Kryefaqja Box 6 Infeksionet e prostatës tek të rinjtë, shkaqet kryesore

Infeksionet e prostatës tek të rinjtë, shkaqet kryesore

0
Shpërndaje

Dr. Arqile Gjikondi, nefrolog – interist / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’

Titulli i artikullit mund të duket mjaft paradoksal për një pjesë të lexuesve, të cilët mendojnë se prostata shfaqet në moshat e vjetra. Për dijeni të lexuesve të rinj, prostata është një gjendër mashkullore, siç janë edhe gjendrat e tjera mashkullore (testet), e cila ndodhet ngjitur me vezikën urinare.

Nëpër këtë gjendër, në qendër të saj, kalon kanali i urinës nga i cili derdhet urina dhe sperma. Pra, kjo gjendër është e pranishme vetëm në seksin mashkull dhe është përgjegjëse për prodhimin e lëngut hollues të spermës që prodhohet në testikujt e mashkullit. Prostata është pjesëmarrëse e rëndësishme në aktivitetin seksual të mashkullit që në adoleshencën e tij. Ngjitur me prostatën, në secilën anë të saj, ndodhet nga një qese dhe në secilën prej tyre grumbullohet sperma që prodhohet në testikuj, dhe në momentin e orgazmës këto qese kontraktohen, shtrydhin sasinë e spermës që përmbajnë, duke e dërguar atë në prostatë, ku edhe përzihet me lëngun hollues që përmban prostata, dhe në fund del nëpërmjet kanalit të urinës, jashtë.

Pra, prostata ka lidhje shumë të ngushta, pothuaj të padallueshme me sistemin e kanalit të urinës dhe sistemin e prodhimit dhe nxjerrjes së spermës. Nëse kemi infeksion në urinë ose në testikuj, ku prodhohet sperma, pothuaj është e pamundur që prostata të mos infektohet edhe ajo së bashku me strukturat që përmendëm më lart.

Në këtë kuptim, pra, në kuptimin praktik, klinik, nuk mund t’i ndajmë kanalin e urinës, prostatën, vezikulat seminale (të spermës) në njësi të veçanta. Ato gjithmonë bashkëveprojnë dhe preken, sëmuren së bashku, pra, edhe duhen mjekuar së bashku.

Dikur, infeksionet e urinës tek meshkujt mjekoheshin thjesht si infeksione urinare (të kanaleve të urinës), por me përparimin e teknologjisë së ekzaminimeve (EKO, analiza të hollësishme direkt në prostatë etj) u kuptua dhe tashmë është e pranuar që pothuaj gjithmonë në një infeksion urinar mashkullor, në një mënyrë të tërthortë apo të drejtpërdrejtë do të preken edhe strukturat prostatike dhe vezikulat seminale.

Me zhvillimin e zakoneve të reja të marrëdhënieve seksuale, si: marrëdhëniet me disa partnerë, njëkohësisht apo veç e veç, përdorimi në masë edhe i seksit anal midis partnerëve, refuzimi i përdorimit të prezevativëve etj, shtojnë në maksimum rrezikun e infeksionit tek meshkujt e rinj, me mikrobe nga më të ndryshme, qoftë ata që rriten në organet gjenitale të femrave, qoftë ata që rriten në zorrën e trashë të njeriut.

Në këtë shkëmbim të vazhdueshëm mikrobesh midis partnerëve, ka momente në të cilat organizmi i mashkullit është i dobësuar, me imunitet të ulur, ose lodhur fizikisht, psikologjikisht, alkool, duhan, drogë etj., dhe për pasojë mikrobet kthehen në mikrobe patogjene dhe shkaktojnë sëmundje (të ashtuquajtura, sëmundje seksualisht të transmetueshme).

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme nuk janë i vetmi shkak për shfaqjen e infeksioneve uro-prostatike.

Ndër shkaqe të tjera mund të përmendim edhe punën e rëndë dhe me djersë të shumtë, si në ndërtim, bujqësi, sidomos tek emigrantët në vende të nxehta (Greqi, Itali të Jugut), në të cilët dehidrimi (deficiti në lëngje në krahasim me djersitjen) është një fenomen i vazhdueshëm, gjë që bën të mundur përqendrimin e shtuar të kripërave që, në fakt, duhet të eliminohen me urinë.

Përqendrimi i këtyre kripërave bën të mundur prodhimin e kristaleve me shumicë dhe në përmasa më të mëdha, deri në formim të gurëve në të gjithë sistemin urinar. Këto kristale, duke kaluar me vështirësi në kanalin urinar, shkaktojnë gërvishtje të këtij kanali, duke bërë të mundur depërtimin me lehtësi të mikrobeve të ndryshme, nga muret e kanalit, në ambientin jashtë tij, pra në gjendrën e prostatës, dhe këtu fillon dhe zhvillohet infeksioni i kësaj gjendre.

Shkak tjetër, jo shumë i shpeshtë, është edhe përdorimi i tepruar i biçikletës në moshë të re (në fillimet e adoleshencës), gjatë së cilës, shala e biçikletës traumatizon vazhdimisht zonën në të cilën mbështetet prostata, zorrën e trashë, që është ngjitur me prostatën dhe për pasojë infeksionet mund të depërtojnë me lehtë nga zorra e trashë direkt në prostatën e të rinjve ose nga kanali i urinës.

Pra, në të gjitha variantet që përmendëm, prostata preket, infektohet dhe e zhvillon sëmundjen në mënyrë të pavarur, shpesh në heshtje, pa simptoma të forta, shpesh me analiza urine normale.

E theksova këtë parahyrje të gjatë për të kuptuar pse infeksionet urinare tek meshkujt nuk duhen konsideruar si infeksione të thjeshta që mund të kalojnë me një mjekim të lehtë prej disa ditësh me ciprinol ose antibiotik tjetër.

Përdorimi i menjëhershëm i antibiotikëve në kohën e sotme, të cilët për hir të së vërtetës, duhet pranuar që janë mjaft të efektshëm, rezulton në përmirësime të shpejta të simptomave më të rënda që kanë meshkujt e infektuar. Kjo është gjë e mirë në një kuptim, por në anën tjetër maskon dhe simptomat, ul vigjilencën e pacientit, dhe për pasojë sëmundja zhvillohet në heshtje dhe, kur bëhet e dukshme për pacientët, zakonisht janë bërë dëmtime të parikthyeshme.

Çdo mashkull në moshë të re, që urinon më shpesh se shokët (në punë apo kafene), që ngrihet natën për të urinuar qoftë edhe 1 herë, meshkujt me rëndim ose dhimbje mesi qoftë natën apo ditën pa shkaqe të dukshme, meshkujt që kanë rëndim apo dhimbje në fund të barkut, që e fillojnë urinimin me vonesë apo vështirësi, meshkujt që kanë dhimbje në momentin e spermës apo që vërejnë se ka rënë sasia, presioni i spermës apo dëshira seksuale, është e detyrueshme të paraqiten pranë specialistëve përkatës për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Për dijeni të pacientëve, mund të themi se mjekimi i infeksioneve të prostatës apo urogjenitale në përgjithësi nuk është i lehtë. Kërkon mjaft durim si nga pacientët, ashtu edhe nga mjeku, janë infeksione rezistente për arsye se është mjaft e vështirë që medikamentet të depërtojnë në prostatë me atë lehtësi që depërtojnë në organet e tjera.

Për këtë arsye, kërkohen medikamente të zgjedhura me kujdes, të përdoren për një kohë relativisht të gjatë të shoqëruara me një sërë ndryshimesh në dietën, aktivitetin e pacientëve të rinj, gjithashtu kërkon edhe një kosto financiare disi të konsiderueshme.

Në këto raste, janë vetë pacientët, mjaft rezistentë ndaj përdorimit të zgjatur të medikamenteve, përdorimit të prezervativit, dietës etj, por duke e ditur mirë mekanizmin e sëmundjes, ata vetvetiu bëhen mjaft bashkëpunues me mjekun për luftimin e sëmundjes që në fillimet e saj.

Është detyrë e mjekësisë që të sensibilizojë strukturat arsimore të vendit publike apo private që të futen njohuritë e programuara për të tilla sëmundje në sistemin e edukimit seksual, të pasurohet ai në mënyrë që djemtë e rinj të dinë jo vetëm sëmundjet seksualisht të transmetueshme, por edhe pasojat afatgjata që këto sëmundje do të lënë në sistemin e tyre riprodhues apo në cilësinë e jetës, e cila bëhet mjaft e vështirë, në persona të tillë, qoftë në punë, qoftë në jetën e natës./ https://shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here