Nga mjekja nefrologe Benereta Hoxha
Infeksionet e rrugëve urinare janë të shpeshta dhe përbëjnë një problem të përditshëm. Ato prekin çdo lloj moshe: fëmijë, të rinj dhe pleq, mund të përsëriten apo të marrin karakter kronik prandaj duhen vlerësuar me kujdes. Themi se kemi infeksion urinar kur sasia e mikrobeve në urinë i kalon 10 në fuqi të 5. Kur sasia e mikrobeve është më e vogël kemi të bëjmë me ndotje urinare e në këto raste përsëriten analizat pas një trajtimi me lëngje dhe higjienë më të lartë personale.
Sa llojesh janë infeksionet urinare?
Infeksionet e rrugëve urinare ndahen në infeksione urinare të rrugëve të sipërme, ku preken veshkat dhe quhen pielonefrite dhe infeksionet urinare të rrugëve të poshtme. Këtu hyjnë ato të fshikëzës së urinës (cistite), infeksione të prostatës tek burrat (prostatite), infeksionet e uretrës, kanalit të poshtëm të nxjerrjes së urinës (uretrite).
Infeksionet urinare mund të jenë akute dhe kronike. E rëndësishme është të theksohet se infeksionet e rrugëve urinare të rrugëve të poshtme (që janë dhe më të shpeshta) mund të kalojnë në rrugët e sipërme urinare nëse nuk mjekohen mirë e të japin pielonefrite. Këto të fundit me kalimin e kohës kronicizohen dhe bëjnë atrofi (zvogëlim) të veshkave, gjë e cila sjell rritje të shifrave të tensionit arterial, prishje të funksionit të veshkave dhe azotemi, insuficiencë renale kronike.
Cilët janë shkaktarët e infeksioneve urinare?
Shkaktarët më të shpeshta të infektimit të rrugëve urinare janë mikroorganizmat apo mikrobet: E.coli në 80% të rasteve, proteus mikrobilis në 10-15% të rasteve, e më rrallë klebsiella, piocineus, stafilokoku aureus, streptokoku etj. Shkaktarë të tjerë përveç mikrobeve mund të jenë edhe parazitët si trikomonas apo më rrallë viruset.
Çfarë shenjash klinike shfaqin infeksionet urinare kronike?
Në rastet kronike kemi rëndim të mesit, herë pas here lodhje, dhimbje koke si rezultat i rritjes së shifrave të tensionit arterial, urinim të shpeshtë e herë pas here me djegie e ndryshim të ngjyrës. Në analizën e urinës ka proteinuri (albuminë) e cila mund të arrijë nga gjysmë deri 1 gr në 24 orë. Densiteti i urinës ulet dhe ka leokucite në urinë, si dhe cilindra leukocitarë. Në infeksionet e rrugëve të poshtme urinare si ato të fshikëz së urinës i sëmuri ka urinim të shpeshtë, djegie e rrallëherë edhe pika gjaku në fund të urinimit. Kujdes duhet të kenë edhe meshkujt, sidomos pas vitit të 400të të jetës për shenjat e sipërmendura, sepse janë të prirur për të bërë infeksion të prostatës.
Si mjekohen infeksionet urinare?
Mjekim bëhet sipas shkakut dhe duhet bërë nga mjeku sipas një urokulturë (mbjellje të urinës) e të mos përdoren antibiotikë të ndryshëm të marrë pa rekomandimin e mjekut, i cili duhet të jetë i vetmi që të bëjë vlerësimin e rastit, të përcaktojë mjekimin dhe kohëzgjatjen e tij. Mjekimi pa kriter çon në kandidozë (myk) dhe dëmtim të mëlçisë apo rezistencë mikrobiale.
