Dr. Polikron Çelo, pediatër i përgjithshëm dhe specialist për sëmundjet e veshkave
Infeksionet urinare (I.U) të shkaktuara nga mikrobet,nuk do të ishin dhe aq problematike nëse disa prej tyre nuk do të bartnin rrezikun e dëmtimit të veshkave.
Pasojat e një infeksioni urinar të kaluar në muajt ose vitet e para të jetës, shpesh dalin në pah në moshat më të rritura. Më poshtë kini disa prej pasoja të mundshme.
Pielonefriti kronik (P.N.C) – Një infeksion i rrugëve të sipërme urinare në një fëmijë mbi 6muaj mund të çojë në dëmtime të rënda duke nxjerrë jashtë funksioni pjesëza funksionale në pjesë të veçanta veshkave (cikatrica) që nuk riparohen.
Mundësia e cikatricave është më e madhe (4 – 6 herë) në rastet e reflukseve veziko-ureterale apo anomalive të tjera të sistemit urinar.
Këto dëmtime me kalimin e kohës mund të çojnë në një pielonefrit kronik.
Shpikja e antibiotikëve, fillimi i menjëhershëm i tyre dhe mjekimi korrekt kanë bërë që sot këto dëmtime të pakësohen ndjeshëm (e kundërta ndodh nëse nuk trajtohen si duhet).
-Pamjaftueshmërija veshkore kronike (Insuficienca Renale Kronike IRC) është dëmtimi më i rëndë i veshkave, një fatkeqësi e vërtetë për të sëmurin (se bëhet invalid para kohe), po dhe një problem sa familjar, edhe shoqëror. Për ta bërë më të kuptueshme, mjafton të kujtojmë se familja dhe shoqëria detyrohen të shpenzojnë shuma kolosale për mbajtjen e tyre në jetë (për sisteme dializash, transplante etj).
Nëse do t’i referohemi të dhënave statistikore (tona dhe të huaja), del se një pjesë e mirë e I.R.C. lidhen me pielonefritet e filluara qysh në moshat e vogla.
-Proteinat në urinë (Proteinuria) – Gjetja e proteinave në urinë (qoftë dhe në sasi të vogëla) është një e dhënë me vlerë (quhet dhe spiune e një dëmtimi veshkash të pavënë në dukje më parë). Ajo është gjetur deri në 20 herë më e lartë se norma në RVU të pazbuluara.
Proteinura ka dhe shkaqe të tjera, por kjo i takon vetëm mjekut për ta sqaruar.
-Ulja e atësisë koncentruese (Densitetit). Aftësia për të eliminuar më pak urinë, po të koncentruar ose më tepër, po të holluar (diliuar) është një nga treguesit e rëndësishëm për vlerësimin funksionit të veshkave. Këto organe, si “nikoqire të përsosura” rrisin densitetin sa herë merren pak lëngje ose shtohen humbjet me rrugë të tjera (bark, të vjella, djersitje, temperaturë e lartë etj) dhe e ulin kur merren lëngje me tepricë.
Në sajë të këtij mekanizmi ruhet në trupin tonë si sasia e nevojshme e lëngjeve, ashtu dhe elementet e tjera. Nëse vërtetohet se densiteti qëndron në çdo rrethanë i ulur, atëherë pa humbur kohë duhet kërkuar shkaku i cili mund të jetë në veshka.
-Gurët në veshka – Lidhja midis infeksioneve urinare dhe gurëve njihet prej kohësh. Sa më shumë infeksione të pazbuluara në kohë ose të pamjekuara si duhet, aq më shumë raste me gurë; po është i njohur gjithashtu dhe akti se mandej guri bëhet shkak për infeksion urinar (një lidhje e ndërsjelltë që të kujton historinë e vezës me pulën).
Vitet e fundit, me përdorimin e antibiotikëve në trajtimin e infeksioneve urinare, është ulur dhe numri i rasteve me gurë për shkaqe të kësaj natyre.
-Rritja e tensionit të gjakut (Hipertensioni arterial – HTA). Ka një lidhje të ngushtë (sidomos në fëmijët) midis dëmtimeve të rënda të veshkave dhe rritjes së tensionit.
Në jetën e përditshme hasim jo rrallë mendimin e gabuar se fëmijët nuk kanë rritje tensioni, prandaj s’ka pse të matet. Në të vërtetë rastet me HTA në fëmijë (duke filluar bile prej të porsalindurve), nuk janë aq të rralla sa mendohet.
Nisur nga kjo dukuri, sa herë në një fëmijë gjendet tension i rritur, shkaku duhet kërkuar në radhë të parë në dëmtimet e veshakve si rrjedhojë e infeksioneve urinare të kaluara më parë. Këtë e vërteton më së miri dhe përvoja jonë shumëvjeçare.
Një këshillë, interesohuni për matjen e tensionit të fëmijëve me të njëjtin kujdes si për shumë tregues të tjerë (peshën, gjatësinë etj).
-Shtatzënia – njihet si një periudhë me predispozicion të shtuar për infeksion urinar; po gjatë kësaj periudhe mund të dalin në pah dhe pasojat e cikatricave që përmenda më lart, të cilat nuk kanë shfaqur shenja.
Sot ecuria e infeksioneve urinare te fëmijët ka ndryshuar mjaft. Në të gjitha rastet e zbuluara në kohë, të mjekuara si duhet e për aq kohë sa është e nevojshme, ecuria është mjaft e mirë dhe pasojat që përmenda janë më të rralla.
Ky ndryshim i dedikohet zbulimit të antibiotikëve, përsosjes së aparaturave për zbulimin e hershëm të keqformimeve (sot diagnostikohen qysh para lindjes), protokolleve për mjekimin e veçantë të çdo rasti, si dhe rritjes së edukatës shëndetësore të prindërve.
Dua të kujtoj se po u nënvleftësuan, të gjitha sa përmenda më lart, janë plotësisht të mundshme, prandaj kujdes.

