Tritan Kalo, mjek QSUT
Prej disa javësh opinionin e profesionistëve të mjekësisë, dhe jo vetëm, e ka shqetësuar një nismë antiligjore e ndërmarë nga Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me “testimin” e mjekëve, infermierëve, laborantëve dhe teknikëve të imazherisë vetëm të sektorit publik, pa u këshilluar aspak me grupet e mësipërme të interesit, si dhe pa pritur nxjerrjen e përfundimeve të nevojshme të mbylljes së periudhës së 5-vjeçarit të parë, të vendosjes së aplikimit të ligjshëm të Edukimit në Vazhdim në vendin tonë.
Kjo ndërhyrje e panevojshme, e mjegullt, dhe jo pak qëllimkeqe, ngjalli me të drejtë një reagim në kohë të të gjithë mantelbardhëve të punësuar në sektorin e shëndetësisë publike, dhe jo vetëm, të mbështetur moralisht edhe nga grupet e tjera shoqërore.
Në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Edukimi në Vazhdim është gjykuar si mënyra më e drejtë për përditësimin e njohurive teoriko-praktike të profesionistëve të shëndetësisë, si të sektorit publik po ashtu edhe të atij privat, bazuar në rregulla të mirëpërcaktuara të organizuesve të këtij procesi “oksigjenprurës”, për të mbajtur në një nivel sa më të lartë profesional armatën e madhe të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve, infermierëve, laborantëve dhe teknikëve të imazherisë.
Nisur nga kjo praktikë tashmë e konsoliduar e vendeve të BE-së, u ngrit struktura e Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim (QKEV), e cila merret me organizimin dhe mirëadministrimin e këtij procesi. Asnjë prej profesionistëve të mjekësisë shqiptare nuk i është shmangur qëllimtazi një praktike të tillë, por që me fillimet e saj ka patur jo pak vërejtje si për organizmin, po ashtu edhe mundësinë e pjesëmarrjes në këtë proces, për një kategori të caktuar të këtyre profesionistëve. Është e kuptueshme se asgjë nuk është e mundshme të shkojë dhe realizohet në perfeksionin e saj, por një risi e tillë për ne dhe mirë e njohur në botën e zhvilluar, u mirëprit dhe u bë pjesë e rutinës së punës së profesionistëve të shëndetësisë sonë. Infermierët, laborantët, teknikët e imazherisë si kategori e profesionistëve të shëndetësisë nuk ishin të përfshirë në një proces të tillë të drejtuar nga QKEV, por deri më tani me edukimin në vazhdim të tyre ishin marrë vetëm strukturat e Urdhërit të Infermierëve.
Ministria e Shëndetësisë në këtë fillimvit ndërmorri një nismë aspak ligjore, për të ritestuar të gjithë mjekët, infermierët, laborantët dhe teknikët e imazherisë, me justifikimin se donte të kishte një pasqyrë të gjendjes së përgatitjes së këtyre profesionistëve në sektorin publik, duke përjashtuar jo logjikisht dhe teknikisht punonjësit e sektorit privat, si dhe stafin pedagogjik të Fakulteve të Mjekësisë dhe të Shkencave Teknike Mjekësore, gjoja për të patur një tablo më të qartë të gjendjes së burimeve njerëzore, si dhe për të përmirësuar në të ardhmen procesin e Edukimit në Vazhdim.
Ministria, e cila ka për detyrë thelbësore të mirëmenaxhojë dhe mirëadministrojë fondet publike, që i vihen asaj në dispozicion nga buxheti i shtetit dhe e cila ligjërisht nuk e ka tagrin të ndërhyjë në këtë proces të Edukimit në Vazhdim, e gjen kohën dhe ndërhyn në këtë proces të shumëmirëpërcaktuar ligjërisht, duke krijuar një tollovi e stres të pavend për të gjithë mantelbardhët në Shqipëri.
Nëse Ministrisë së Shëndetësisë i tingëllon alarmues fakti që 70% e infermierëve nuk e kalojnë provimin shtetëror të licencimit, atëherë të testojë dhe të shohë nivelin e përgatitjes së stafeve pedagogjikë te fakultetet përkatëse shtetërore apo private qofshin ato, të shqyrtojë me shumë kujdes programet e formimit të këtyre infermierëve, sepse “një furrë difektoze” vetëm kuadro të tillë do të nxjerrë edhe në të ardhmen. Korrigjimi i kujdesshëm i cilësisë së “bukëbërësve” dhe e “furrës pjekëse të saj”, detyrimisht do ta largojë në të ardhmen këtë “brengë” të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe detyrimisht do të rrisë nivelin e përgatitjes së infermierëve të ardhshëm. Më pas, do të duhet që Ministria e Arsimit në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë të organizojë në bashkëpunim me fakultetet përkatëse dhe Urdhrin e Infermierëve, mbajtjen të përditësuar në njohuri teorike dhe praktike të infermierëve tanë, gjithmonë vetëm e vetëm nëpërmjet sistemit tashmë të sprovuar të Edukimit në Vazhdim. Nëse Ministria e Shëndetësisë ka shqetësime të ngjashme edhe për mjekët, stomatologët e farmacistët, një skemë e tillë është po aq e vlefshme edhe për ta, ku aktorët tashmë do të jenë përveç Ministrisë së Arsimit e Ministrisë së Shëndetësisë, edhe Universitet Mjekësore të Akredituara e Urdhëri i Mjekëve, Urdhëri i Stomatologëve dhe Urdhëri i Farmacistëve, si dhe Shoqatat e Ndryshme të këtyre Profesionistëve.
Profesionistët e Shëndetësisë, qofshin ata mjekë, stomatologë, farmacistë, infermierë, laborantë e teknikë imazheristë, janë kategoria profesionale më e testuara në Shqipëri, sepse ata kalojnë “një kalvar të gjatë edukimi prej shumë e shumë vitesh, një kalvar të gjatë prej dhjetëra e dhjetëra provimesh, një kalvar të gjatë prej dhjetëra e qindra orësh praktike profesionale”, përpara se t’i nënshtrohen provimit të shtetit dhe të licensohen në ushtrimin e profesioneve të tyre. Ushtrimi i profesioneve të rregulluara ku përfshihen edhe ato të mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, laborantit dhe teknikut të imazherisë është tashmë i mirërregulluar me ligj (Ligji “Për Profesionet e Rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, nr. 10-171, datë 22.10.2009).
(Shkrimin e plotë do ta lexoni në numrin e 11 majit 2015 të gazetës “Shëndet+”)


