Kryefaqja STUDIME DHE RAPORTE ISHP: 4% e fëmijëve në Shqipëri, obezë që 9 vjeç

ISHP: 4% e fëmijëve në Shqipëri, obezë që 9 vjeç

0
Shpërndaje

kidsFëmijë obezë që në moshën 9-vjeçare. Mënyra e të ushqyerit, jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik dhe dëshira për të qëndruar për orë të tëra përpara kompjuterit ose TV, janë shkaqet kryesore. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e nutricionit në Institutin e Shëndetit Publik. Në studimin e fundit që kanë kryer me 4000 fëmijë në të gjithë vendin, jepen të dhëna mjaft interesante që dëshmojnë se shpesh të kesh nuk do të thotë edhe të dish të rrisësh shëndetshëm një fëmijë.

Shifrat tregojnë për raportin e mbipeshës së fëmijëve në qytet dhe në fshat. Duket se ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes mirëqenies dhe shëndetit të tepërt të fëmijëve edhe nga një tregues tjetër. Në shkollat private ka 2 herë më shumë fëmijë obezë se në ato publike.

“Prevalenca kombëtare e mbipeshës te fëmijët 9-10 vjeç në vend është në vlerën e 15.2% dhe prevalenca e obezitetit 3.8%. Nga të dhënat rezultoi gjithashtu prevalencë më e lartë e peshës trupore në zonat urbane, në raport me ato rurale, pasi për çdo fëmijë obez në fshat gjenden 4 fëmijë obezë në qytet”, sqarojnë specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, numri i fëmijëve mbipeshë në shkollat private rezulton 2 herë më i lartë se në shkollat shtetërore, ku rreth 2.5 herë më e lartë është diferenca e fëmijëve obezë në shkollat respektive.

“Të dhënat tona evidentojnë se 15.2% e fëmijëve janë mbipeshë dhe 3.8 për qind janë obezë dhe, sipas grupmoshave të marra në studim, për fëmijët 10 vjeç rezultojnë 13.5% mbipeshë dhe 3.5% obezë, ndërsa për fëmijët 9 vjeç rezultojnë 16.3% mbipeshë dhe 4% obezë”, thuhet në raport. Prevalenca e mbipeshës është dukshëm më e lartë në qytet sesa në fshat, te meshkujt në raport me femrat dhe në shkollat private në raport me ato publike. Duke e krahasuar me prevalencën e 25 shteteve të Bashkimit Europian, 16-22% mbipeshë dhe 4-6% obezë, si dhe duke marrë parasysh trendin e prevalencës së mbipeshës në vite në Europë, tendenca e obezitetit është e përafërt edhe në vendin tonë.

Sipas studimit, fëmijët, ndonëse në moshë të vogël, kanë një perceptim të saktë të imazhit të tyre trupor. Kështu, të gjithë fëmijët që ndihen nën peshë, duan ta ruajnë këtë imazh. “Gjithashtu, vihet re se ka nga ata të cilët nuk ndihen mirë me pamjen e tyre dhe do të dëshironin ta përmirësonin atë. E dukshme është kjo dëshirë veçanërisht te fëmijët obezë, nga ku rreth 72% e obezëve, vetëm 13.7% e tyre janë të kënaqur me imazhin e tyre trupor, kurse pjesa tjetër dëshirojnë të jenë në peshë normale, ose nënpeshë”, raportojnë specialistët.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here