Për Gazeta Shëndeti, dr. Ledio Bregu, Onkolog Radioterapeut
Referuar Raportit Shëndetësor Kombëtar, dëshmohet se ka një rritje mjaft të fortë të barrës së kancerit në popullatën shqiptare gjatë 20 viteve të shkuara. Aktualisht, proporcioni i kancerit përbën kontribuesin e dytë më të madh në barrën totale të sëmundjeve në Shqipëri pas SKV-ve (Sëmundjet Kardio-Vaskulare). Në kontekstin e moshimit të pandalshëm të popullatës, pritet që Shqipëria të përjetojë një rritje të konsiderueshme të incidencës së kancerit vitet e ardhshme. Kanceri i prostatës është kanceri i dytë më i shpeshtë tek meshkujt në të gjithë botën. Vlerësohet se 1 në 6 meshkuj do të preket në një moment të jetës së tij nga kanceri i prostatës, mundësi kjo që rritet me rritjen e moshës. Shenjat dhe simptomat Rastet më të shumta të diagnostikimit të kancerit të prostatës kanë ndodhur nga ekzaminimet e personave jo simptomatik. Por disa nga shenjat më të shpeshta të kancerit të prostatës po i radhisë si më poshtë: – Fenomene dizurike dhe retension urinar – Dhimbje mesi – Hematuri (shenja që mund të hasen dhe në hipertrofinë beninje të prostatës) Në raste të avancuara mund të ketë dhimbje kockash, kaheksi, limfedeme të anesive të poshtme, distendim i vezikës urinare nga bllokimi i urinës etj.
Diagnoza PSA: Rritja e PSA (antigjeni specifik i prostatës (analizë gjaku) është një shenjë alarmi për diagnozën e kancerit të prostatës. Një PSA e lartë jo gjithmonë do të thotë kancer, ashtu sikurse një PSA e ulët jo gjithmonë do të thotë që nuk ka kancer. Rekomandohet që PSA të kryhet nga të gjithë meshkujt mbi 50 vjeç, një herë në vit.
Në meshkuj që kanë të afërm të shkallës së parë të diagnostikuar në moshë të re rekomandohet që të fillojnë të bëjnë PSA që në moshën 40-vjeç.
Tusheja rektale: I jep mjekut informacion mbi formën, madhësinë, fortësinë dhe formacioneve të mundshme të prostatës.
Biopsia: Vendos përfundimisht diagnozën për kancerin e prostatës. Merret material prostatik me disa shpime transrektal në prostatë dhe më pas vlerësohet nga mjeku anatomopatolog.
Stadifikimi: Është e rëndësishme që përpara se të vendoset për trajtim të bëhet një stadifikim i saktë se sa agresive dhe e përhapur është sëmundja.
Vlerësohet: 1) madhësia e tumorit dhe se sa ka infiltruar nga prostata dhe strukturat fqinje. 2) Në ka gjëndra pelvike të zmadhura që mund të jenë të prekura nga sëmundja. 3) A ka përhapje të sëmundjes në organet e tjerë, kryesisht në kocka. Gjithashtu vlerësohet se sa e lartë është PSA gjithashtu edhe nga biopsia shihet Gleason që është një tregues numerik që tregon për agresivitetin e tumorit. Nga sa thamë më sipër kanceri i prostatës ndahet në: Kancer prostate i lokalizuar dhe metastatik. Trajtimi Kanceri i prostatës i lokalizuar mund në varësi të gravitetit, moshës së pacientit, dhe pritshmërisë së jetesës së pacientit, mund të trajtohet në disa mënyra:
- Observim (rastet me rrezik shumë të ulët dhe në mosha të vjetra).
2 .Trajtim me Kirurgji Prostatektomi radikale.
- Radioterapi (IMRT do ishte teknika më e mirë dhe e vetmja në kancerin lokalisht të avancuar).
- Trajtim hormonal (Terapi për Deprivim i Androgjenit, që rekomandohet si trajtim ndihmës i radioterapisë apo pas kirurgjisë).
- Kimioterapi në rastet metastatike hormonorezistente.
Trajtimi me radioterapi në kancerin e prostatës
Trajtimi me radioterapi mund të bëhet në të gjitha stadet e kancerit të prostatës, që nga fazat më të hershme e deri tek fazat e avancuar lokalisht dhe metastatike me rezultate të ngjashme me kirurgjinë. Janë disa teknika të radioterapisë që përdoren duke filluar nga 3DCRT, IMRT, SBRT, dhe brakiterapia. Për rastet e kancerit të prostatës lokalisht të avancuar përgjithësisht rekomandohet trajtimi me radioterapi IMRT, për shkak të disa avantazheve që ka. IMRT (radioterapia me intesitet të moduluar) është një teknikë e avancuar e radioterapisë e cila me anë të një planifikimi invers bën të mundur përqendrimin e rrezatimit qelizat tumorale në prostatë, vezikula seminale, apo adenopati pelvike duke maksimizuar vrasjen e këtyre qelizave. Nga ana tjetër bën të mundur ruajtjen maksimale të organeve të shëndosha nga rrezatimi. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për të dhënë më shumë dozë rrezatimi mbi tumor dhe më pak në organet e tjera sesa radioterapi konvecionale 3D.
Avantazhet ndaj kirurgjisë
1) Është një metodë trajtimi jo invazive. Pacienti vjen trajtohet për 30 minuta në ditë për 7 javë rresht, nga e Hëna në të Premte. Dhe gjatë kësaj kohe vazhdon jetën normalisht duke patur disa efekte të lehta anësore.
2) Radioterapia me IMRT nuk shkakton efekte të inkontinencës urinare, dhe njëkohësisht fenomenin e impotencës e ka në përqindje shumë më të ulët se kirurgjia.
3) Shumica e pacientëve me kancer të avancuar të prostatës që trajtohen me kirurgji, më pas kanë nevojë për trajtim me radioterapi një muaj pas kirurgjisë (pra i bie që pacienti të bëje dy trajtime njëri pas tjetrit).
4) Në shumicën e rasteve të trajtimit me radioterapi dhe hormonoterapi sëmundja mbahet në kontroll për një periudhë të gjatë, dhe në disa raste të rekurencës së sëmundjes gjithmonë është mundësia për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale radikale.
Përmbledhje
Kanceri i prostatës është një sëmundje që po prek gjithmonë e më shumë meshkuj. Rëndësi të madhe ka diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje në mënyrë që trajtimi të jetë efikas. Gjithashtu përpara se të vendoset për trajtim është e nevojshme konsulta e disa specialistëve si: urologu, onkologu, imazheristi, anatomopatologu (konsulta onkologjike në mënyrë që të bëhet një stadifikim i saktë edhe të vendoset për trajtimin më të mirë që i duhet pacientit duke u nisur nga shumë faktorë. Konsulta onkologjike tashme në shumë vende evropiane është e detyruar me ligj për të gjithë pacientët onkologjik, në mënyrë që të zgjidhet trajtimi më i mirë i mundshëm për këta pacientë dhe të minimizohen gabimet në trajtimin e këtyre pacientëve./ Shendeti.com.al


