Tre janë shtyllat ku bazohet protokolli i trajtimit të kancerit kolorektal.
Trajtimi kirurgjikal, kimioterapia, radioterapia
Kirurgjia: Për tumorët e lokalizuar aplikohet operacioni kirurgjikal, i cili bën heqje kirurgjikale komplet të tumorit në kufij të pastër për të arritur shërimin e pacientit. Kjo realizohet me laparatomi ose laparaskopi. Nëse ka metastaza të lokalizuara në mëlçi apo në mushkëri, ato mund të hiqen.
Kimioterapia: mund të përdoret para operacionit, sidomos në kancerin e rektumit, por aplikohet dhe pas operacionit kirurgjikal si terapi ndihmëse.
Radioterapia: kombinimi i kimioterapisë dhe radioterapisë kryesisht aplikohet për kancerin e rektumit. Ashtu si kimioterapia, radioterapia përdoret si terapi preoperatore në stade të caktuara të kancerit rektal. Për shkak të ndjeshmërisë që kanë zorrët ndaj rrezatimit, përdorimi i saj nuk është rutinë në trajtimin e kancerit të kolonit.
Masat parandaluese
Disa kancerë të zorrës të trashë mund të parandalohen nëse rritet mbikëqyrja dhe zakonet e jetesës.
- Rekomandimet për ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes konsistojnë në konsumimin e drithërave, perimeve, frutave dhe reduktimin e mishit të kuq. Aktiviteti fizik ndikon relativisht më pak.
- Marrja e aspirinës dhe Onsenal (ilaç që futet në grupin e anti-inflamatorëve josteroide dhe ul incidencën e polipeve kolorektalë). Marrja e vitaminës D, është e shoqëruar me incidencë të ulur të kancerit kolorektal.
- Kontrolli me ekzaminime të zorrës
- Më tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze, të cilat identifikohen nga kolonoskopia dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen 60 %.
- Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksible, feçe gjak okult ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve.
Nga mosha 50 – 75 vjeç rekomandohet të bëhet çdo 2 vjet feçe gjak okult, sigmoidoskopi çdo 5 vjet, kolonoskopi çdo 10 vjet. Në rastet me rrezik të lartë, ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten.


