Kaos në QSUT, pacientët probleme me oraret

Emanuel Smaka

Një qytetare nga Tirana u acarua së tepërmi me shërbimin mjekësor, pas pritjes prej më shumë se një ore mëngjesin e të martës në ambientet e brendshme të Shërbimit Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Pak minuta më vonë, një tjetër grup pacientësh shpërthyen në të shara ndaj bluzave të bardha, pasi  këta të fundit u komunikuan se konsultat nisin në orën 10. U desh ndërhyrja e punonjësve të policisë private në institucion që situata të normalizohej.

Pjesa më e madhe e pacientëve ishin paraqitur në spital që në orën 8. Pas pritjes prej 2 orësh, ata u detyruan që të qëndrojnë sërish në radhë, deri në momentin e konsultës.

Ndërkohë, oraret e afishuara në ambientet e Shërbimit Onkologjik bien ndesh me atë që u komunikohet pacientëve, duke krijuar konfuzion tek këta të fundit.

Një paciente nga periferia e Tiranës tregoi gjithashtu për gazetën se është dita e dytë radhazi që qëndron në pritje dhe nuk ka arritur të sigurojë një konsultë mjekësore. Në kushtet e anonimatit ajo tha se mjekët po tregohen të papërgjegjshëm. Sipas saj, gjatë 30 ditëshit të sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, mjekët duhet të jenë akoma më të ndërgjegjshëm dhe në shërbim të pacientëve.

Të pyetur nga “Shëndet+”, qytetarët pranojnë se shpeshherë përballen me probleme të tilla sa u përket orareve. Në shumë raste ata nuk kanë informacionet e duhura duke krijuar kështu radhë të gjata.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shërbimin e Onkologjisë së QSUT trajtohen mesatarisht 10 000 pacientë të shtruar në vit./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Shtatë fëmijë të Kopshtit nr. 10 në Vlorë përfundojnë në spital, dyshohet për helmim nga ushqimi
Produktet e pasigurta në treg, alarmi vjen nga Belgjika; kontrollet në Shqipëri ranë me 33% në 2025
Trajtimi me medikamentet GLP-1 RA, mjekja zbulon gabimet më të zakonshme që bëjnë pacientët
Buxheti 2027/ Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale
Pagesat nga xhepi për shëndetësinë, Raporti i KE: Qytetarët paguajnë tri herë më shumë se mesatarja e BE-së
Mjekja zbulon dietat që janë efektive për rënien nga pesha
Përtej vitaminës D: Si ndikon drita e diellit në metabolizëm dhe sheqerin në gjak
Pudinga me copëza xhami në treg, AKU: Mos e konsumoni