Këmba diabetike, rëndësia e vetëkontrollit

Dr. Ina Shehaj

Diabeti është një sëmundje metabolike që karakterizohet me rritje të niveleve të glicemisë në gjak dhe rritje të riskut për dëmtim të zemrës dhe enëve të gjakut, syve, veshkave, nervave, sistemit imunitar. Çdo vit në vendin tonë numri i të sëmurëve që diagnostikohen me diabet mellitus është rreth 3000 persona. Ndërsa numri i të sëmurëve rritet, rritet dhe shpeshtësia e shfaqjes së komplikacioneve të kësaj sëmundjeje. Stili i jetës, kequshqyerja, duhanpirja, jeta sedentare, stresi dhe faktorë të tjerë kanë ndikuar në rritjen numrit të të sëmurëve si dhe në shfaqjen e sëmundjes në mosha të reja. Megjithatë një ndër faktorët më të rëndësishëm në parandalimin e komplikacioneve është marrja e informacionit të duhur mjekësorë. Në vende si Britania e Madhe, ku numri i amputacioneve për shkak të diabetit është rreth 6000 persona në vit, janë ndërmarrë fushata sensibilizuese gjithëpërfshirëse të quajtura “ Këmba në plan të parë”.

Këmba diabetike është një nga komplikacionet më të rrezikshme, të shkaktuara nga sëmundja e “heshtur”, Diabeti Mellitus.

Ajo ul cilësinë e jetës së individit, duke ndikuar në jetën e përditshme dhe atë profesionale, shton kostot financiare dhe invalidizon të sëmurin. Nëse diabeti nuk është i mirëkontrolluar, i manifestuar me vlera të larta të glicemisë në gjak, mundësia e shfaqjes së këtij komplikacioni është e madhe. Problemet në këmbët e diabetikëve shfaqen si pasojë e dëmtimit të nervave periferike (ulje e ndjesisë së dhimbjes) dhe furnizimit të keq me gjak të gjymtyrës. Nëse dëmtohet sistemi nervor në një individ diabetik, përkeqësohet ndjeshmëria në këmbë. Sekretimi i gjëndrave të djersës dhe prodhimi i yndyrës në lëkurë është gjithashtu i dëmtuar. Të gjithë faktorët e mësipërm mund të shkaktojnë presion jonormal në lëkurë, kocka dhe artikulacionin e këmbës gjatë ecjes dhe dëmtim të lëkurës. Nëse do të shkaktohen plagë në këmbën e një diabetiku, dëmtimi i qarkullimit të gjakut dhe i sistemit imunitar e bëjnë të vështirë shërimin e këtyre plagëve. Ajo që fillon si një plagë sipërfaqësore në lëkurë vazhdon në drejtim të indeve subkutane, muskujve deri në kocka dhe mund të përfundojë në gangrenë. Si pasojë e mosqarkullimit të mirë të gjakut dhe efekti i antibiotikeve është i limituar. Nëse infeksioni nuk trajtohet në kohë mund të përfundojë në amputacion, humbje të anësisë. Përveç gjendjes lokale është përhapja sistemike e infeksionit nëpërmjet gjakut, ajo që vë në rrezik jetën e të sëmurit.
Të sëmurët me diabet mellitus duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe shumë të kujdesshëm për mënyrën e trajtimit të problemeve të lidhura me këmbën diabetike, parandalimin e tyre sa më shpejt në kohë si dhe konsultimin me mjekun për trajtimin e duhur. Vitet e fundit metodat për trajtimin e këmbës diabetike janë përmirësuar dhe kanë dhënë rezultate më të mira, por kontrolli i niveleve të sheqerit në gjak mbetet metoda më e mirë për parandalimin e komplikacioneve.

Për këtë arsye diabetikët duhet të mësojnë si të kontrollojnë këmbët e tyre në kushte shtëpie, të njohin shenjat e para të problemeve të këmbës diabetike, të kujdesen në ruajtjen e higjienës së tyre. Gjithashtu çdo diabetik duhet të kuptojë momentin kur duhet të paraqitet te mjeku për të vlerësuar gjendjen e tyre si dhe për menaxhimin e problemeve që janë urgjencë mjekësore.

Por sa të ndërgjegjshëm janë pacientët mbi rëndësinë e këtij problemi?

Shtimi i numrit të amputacionëve të këmbëve diabetike, shtimi i hospitalizimeve të diabetikëve tregon se ndërgjegjeësimi i të sëmurëve është akoma jo në nivelet e duhura. Njohja e faktorëve që rrisin riskun për shfaqjen e sëmundjes mund të krijojë mundësinë e modifikimit paraprakisht të tyre. Duhet të evitohen këpucët që shkaktojnë diskomfort, skuqje të lëkurës, kallo, dhimbje të vazhdueshme si dhe në rastet që kanë deformime të këmbës duhet të vishen këpucë specifike. Traumat në këmbë sado të vogla mund të jenë shkaktar të dëmeve të rëndësishme në këmbën e një diabetiku si pasojë e humbjes së ndjeshmërisë. Infeksionet mykotike duhet të trajtohen në mënyrën e duhur pasi mund të mbivendosen me infeksione bakteriale. Thonjtë që janë rritur keq në këmbë duhet të trajtohen nga mjeku specialist, jo nga vetë pacienti. Ndërprerja absolute e duhanpirjes është e rëndësishme pasi vetë duhani dëmton arteriet e vogla të këmbëve duke penguar shërimin e plagëve dhe duke rritur mundësinë për infeksione.

Kur duhet të drejtoheni te mjeku?
Së pari, këshillohet që çdo individ i diagnostikuar me diabet mellitus duhet të bëjë kontrollin e këmbëve të paktën njëherë në vit te mjeku, pavarësisht nëse ka apo jo shqetësime. Megjithatë çdo herë që i sëmuri pëson një traumë sado të vogël, ose vë re shfaqjen e një zone të skuqur e të nxehtë në këmbë apo të ndonjë plage duhet të konsultohet me mjekun e familjes si fillim. Së treti, nëse shfaqen shenjat e mpirjes, djegies apo ndjesia e “mizave në këmbë” duhet të planifikohet një kontroll mjekësor.

Këmba diabetike është një komplikacion që duhet trajtuar nga një ekip multidisiplinar që përfshin mjekun e familjes, mjekun endokrinolog, kirurgun vaskular, mjekun ortoped, mjekun radiolog. Mjekët që merren me këmbën diabetike kanë si parim në punën e tyre të trajtojnë të sëmurin në kompleks jo vetëm një organ.
Si fillim mjekët do të vlerësojnë gjendjen e përgjithshme të pacientit, funksionet e organeve vitale, situatën lokale të këmbës nëpërmjet ekzaminimit objektiv, analizave të gjakut, ekzaminimeve imazherike në veçanti angio Ct skanerit të gjymtyrëve të poshtme. Më pas bazuar në gjendjen klinike të pacientit dhe rezultatit të ekzaminimeve ndërtohet strategjia individuale e trajtimit të të sëmurit. Ndërsa këmba diabetike gangrenoze është një urgjencë mjekësore dhe kirurgjikale, që kërcënon jetën e pacientit dhe vë në sfidë mjekët. Deri në gangrenizimin e këmbës në shumicën e rasteve, paraprihet nga shenja të tjera të cilat nënvlëresohen nga pacientë dhe të afërmit e tij. Nëse pacientët do të ishin të kujdesshëm, shumë prej komplikacioneve të mëdha do të parandaloheshin.

Për të sëmurët diabetikë rekomandohet të informohen mbi sëmundjen e diabetit, të kontrollojnë nivelet e glicemisë dhe të modifikojnë stilin e jetës si dhe të njohin shenjat paralajmëruese të komplikacioneve të diabetit.  Rekomandohet aktivitet i përditshëm fizik, ecje të paktën 30 minuta dy herë në ditë, dietë e balancuar ushqimore hipokalorike hipolipidike, rënia në peshë, konsumimi i të paktën 2 litra ujë në ditë, higjienë e mirë e këmbëve dhe kontroll i përditshëm i tyre nga vetë i sëmuri, ndërrimi i këpucëve, mbajtja e këmbëve të thata jo me lagështirë, lënia e duhanit dhe alkoolit. Shpesh njerëzit gabojnë duke përdorur kremra apo pomada të ndryshme të cilat në fakt nuk rekomandohen në të sëmurët me diabet mellitus, pasi krijojnë mundësinë për mbivendosjen e mikroorganizmave të ndryshëm që mund të bëhen burim infeksioni. Dëshiroj të theksoj dhe njëherë se për tu mbrojtur nga këmba diabetike duhet të jeni shumë të rregullt me kontrollin dhe ekuilibrimin e diabetit.  Këshillat e mësipërme janë në dukje të thjeshta, por shumë të rëndësishme në parandalimin e shfaqjes së plagëve në këmbë. Gjithashtu rekomandohet kontroll periodik te mjeku për ekzaminimin e sistemit nervor dhe qarkullimit të gjakut, rivlerësim nga mjeku endokrinolog.

Një lajm i mirë është se shumica e studimeve thonë se 85% e amputimeve të këmbëve diabetike mund të parandalohen.  Metodat e reja për përcaktimin e riskut të një pacienti për shfaqjen e ulcerave në këmbë na ndihmojnë ne që t’i  parandalojmë, por shpesh pacientët vijnë vonë. Prandaj pacienti luan rolin më të madh në parandalimin e ulcerave të këmbëve, duke ndjekur rregullat e thjeshta të cituara më sipër. Kujdesi vetjak për parandalimin dhe trajtimin e ulcerave do të ndihmojë për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Si të dallojë një diabetik që ka probleme me këmbët e tij?
Dhimbja e vazhdueshme, skuqja e lëkurës së këmbës, nxehtësia lokale mund të jenë shenja të pranisë së një plage, një infeksioni të fshehtë apo e veshjes së këpucëve të papërshtatshme. Enjtja e këmbëve mund të jetë treguese e inflamacionit, qarkullimit të keq venoz të gjakut. Nëse keni dhimbje në këmbë ose pulpa gjatë ecjes që ju detyron të ndërprisni ecjen dhe përmirësohet në qetësi, lëkurë të fortë, të shkëlqyer duhet të kontrolloni sistemin e arterieve të këmbëve pasi këto mund të jenë shenja alarmi. Çdo plagë në këmbë është serioze pavarësisht shkakut që mund të jetë këpucët e papërshtatshme, goditja ose infeksioni. Dhe nëse nga një plagë rrjedh likid me ngjyrë të verdhë ose gjak i shoqëruar me ethe dhe temperaturë, i sëmuri duhet të paraqitet menjëherë te mjeku, pasi këto mund të jenë shenja të një infeksioni jetëkërcënues.

Postime të ngjashme

Ozempic, bari inovativ antidiabetik me mbrojtje nga risqet kardiovaskulare edhe në Shqipëri
Dërgonin pacientët e Onkologjikut në klinika private, Prokuroria mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim zyrtarë dhe mjekë të QSUT (EMRAT)
Pse luleshtrydhet myken kaq shpejt? Gabimi që bëjmë të gjithë
Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin