Sot baballarët shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë që janë një mbështetje e fortë për bashkëshorten dhe të pranishëm për të vegjlit e tyre që në momentin e ardhjes në jetë
Aishe Thartori
Na bën të ndihemi krenare kur dëgjojmë se mentaliteti ka ndryshuar në Shqipëri, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndryshime pozitive. Padyshim këto ndryshime vërehen sidomos tek çiftet e reja ku të dy partnerët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në çdo aspekt. Dikur ishte pothuajse tabu apo e papranueshme për mendësinë e përgjithshme të shihje një burrë duke mbajtur fëmijët, gatuar, duke bërë pazare apo kontribuar në forma të ndryshme brenda shtëpisë. Sot të gjitha këto jo vetëm që janë pjesë e realitetit shqiptar, por ndodh që çdo përgjegjësi apo angazhim të ndahet midis partnerëve. Duke iu referuar së shkuarës, vite më parë ardhja në jetë e një fëmije ishte një proces kënaqësinë e së cilit mund ta “shijonte” vetëm nëna. Sot baballarët shqiptarë po tregojnë gjithnjë e më shumë që janë një mbështetje e fortë për bashkëshorten dhe të pranishëm për të vegjlit e tyre që në momentin e ardhjes në jetë. Duket se prezenca e mashkullit në sallën e lindjes lehtëson nënën dhe e ndihmon psikologjikisht. Kjo është ajo çka pohon për gazetën “Shëndet +” mjekja obstetër-gjinekologe në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, Mimoza Keta.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 16 marsit 2014 të gazetës “Shëndet+”, në suplementin “Baballarët në sallën e lindjes”. Projekti “Së bashku për një familje të shëndetshme, pa dhunë” po zbatohet me mbështetjen e UNDP-së, UN Women dhe fonde të Qeverisë Suedeze nga Shoqata “Together for life”)


