Kimioterapia dhe rëndësia e trajtimit në kohë e kancerit

Nga Prof. Ass. Dhurata Tarifa, mjeke onkologe

Në repartin e Kimioterapisë në spitalin Onkologjik në QSUT, pacientja vjen pasi rasti është analizuar në stafin multidisiplinar të këtij shërbimi dhe i është vendosur diagnoza. Sa më herët të kapet sëmundja, aq më herët fillon edhe kurimi. Pas ciklit të tretë të trajtimit me kimioterapi, bëhet edhe rivlerësimi i gjendjes shëndetësore të pacientes me qëllim për të vendosur nëse do të vazhdohet më tej me këtë skemë mjekimi apo duhet ndryshuar.

Nga eksperienca jonë, të dhënat për ecurinë e sëmundjes së kancerit të gjirit tek gratë e diagnostikuara në faza të hershme, janë më pozitive.
Për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit ka një optimizëm vitet e fundit në drejtim të mbijetesës, kjo si rezultat i dy faktorëve më të rëndësishëm që janë: së pari, diagnoza në stade më të hershme të paraqitjes së pacienteve. Së dyti, zhvillimet e trajtimeve të personalizuara. Diagnoza më e hershme është si pasojë e dy faktorëve: rritjes së ndërgjegjësimit të grave dhe zhvillimet e imazherive që diktojnë tumoret në stade shumë të hershme. Në mbijetesën e rritur të pacienteve me kancer të gjirit, ndikon edhe zhvillimi i trajtimeve të personalizuara, të cilat përcaktohen nga të dhënat e laboratorëve morfologjikë, imunohistokimikë dhe ato molekulare, të cilat japin të dhëna prognostike mbi natyrën e tumorit dhe shkallën e agresivitetit të tij. Të gjitha këto kanë rezultuar në një ulje të vdekshmërisë me 40% krahasuar me vitet 80-90.

Çfarë është Kimioterapia?

Kimioterapia është trajtim medikamentoz sistemik i kancerit që ka për qëllim:
1- të eliminojë qelizat kanceroze që qarkullojnë me anë të gjakut
2- të reduktojë dimensionin e tumorit para interventit kirurgjikal
3- të mjekojë një kancer të avancuar
4- të qetësojë simptomat e një kanceri të caktuar.

Përpara fillimit të trajtimit me kimioterapi, pacientja, sipas diagnozës që ka, merr një informacion të detajuar rreth trajtimit të cilit do t’i nënshtrohet. Theksohet këtu se trajtimi i specializuar kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë me pacienten, pasi ai ndryshon sipas rastit. Mjeku i bën të qartë pacientes efektet anësore të mundshme të terapisë të cilat mund të evidentohen ose jo, gjatë trajtimit por pacientja duhet t’i dijë. Gjithashtu sipas rastit të pacientes, mjeku rekomandon edhe dietat që duhet të ndjekë pacientja, kryesisht pas marrjes së trajtimit. Përpara marrjes së trajtimit të çdo forme, pacienti pajiset me ekzaminimet e gjakut dhe ato imazherike (mamografi, rezonancë magnetike) të nevojshme sipas këshillimit të mjekut specialist.

Kohëzgjatja e Kimioterapisë

Koha e marrjes së një seance kimioterapie është e ndryshme, në varësi të skemave dhe varion nga 1 orë deri 48 orë. Ndërkohë edhe intervali i marrjes së terapisë varion nga 1 javë në 28 ditë, edhe kjo në varësi të skemave të ndryshme në tumorë të ndryshëm. Kohëzgjatja e këtij trajtimi mund të jetë përgjithësisht nga 4 deri në 6 muaj, periudhë gjatë të cilës kryhen nga 3-4 deri në 6-8 cikle trajtimi. Gjithsesi, trajtimi mund të ndryshojë në varësi të diagnozës, pacientit dhe llojit të mjekimit individual.

Si kryhet Kimioterapia dhe efektet anësore të saj

Kimioterapia merret me rrugë të ndryshme si: rruga orale, intramuskulare, intravenoze apo intrakavitare në hapësirat e trupit siç është ajo e barkut.
Efektet anësore të saj grupohen në efekte anësore të përgjithshme dhe specifike. Ndër efektet anësore të përgjithshme, të cilat ndodhin pothuajse në të gjithë pacientet janë: të përzierat, të vjellat, rënia e flokëve, dëmtimi i palcës së kuqe të kockave etj. Ndërkohë efektet anësore janë specifike, në varësi të organeve dhe sistemeve që ato kanë topizëm të dëmtojnë. Përpara fillimit të trajtimit, pacientja informohet nga mjeku specialist kimioterapeut për efektet e mundshme të pritshme ose jo, që mund të ndodhin pas marrjes së trajtimit, në të gjitha format e aplikimit.

Këshillat për pacientet

Këshillat pacientes i rekomandohen nga mjeku specialist dhe duhet të themi se ato janë specifike në paciente të ndryshëm dhe varen nga dy faktorë shumë të rëndësishëm, që janë: lloji i skemës së mjekimit e cila mund të jetë e thjeshtë e moderuar apo e vështirë, si dhe performanca e pacientes gjatë dhe pas mjekimit, pra si reagon pacientja ndaj terapisë. Konkretisht mjeku e udhëzon pacienten për kujdesin në dietë që ajo duhet të ketë, apo aktivitetin fizik që duhet të kryejë gjatë ditëve të pushimit, si edhe gjatë ditëve të terapisë dhe më pas. Këto këshilla janë të ndryshme në pacientë të ndryshëm. Pacientet që kanë performacë shumë të mira mund të vazhdojnë të bëjnë një jetë normale, të ushqehen dhe të kryejnë aktivitet fizik si çdo njeri tjetër. Ndërkohë, gjatë ditëve të terapisë pacientet këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje, të ushqehen me një dietë me sa më pak apo pa yndyra shtazore, por të pasur me perime dhe frutat e stinës, si dhe të kryejnë një aktivitet normal. Pacientet me një performancë jo të mirë duhet të këshillohen vazhdimisht me doktorin e tyre, pasi këshillat janë shumë specifike dhe të ndikuara nga shumë faktorë, p.sh. në varësi të mjekimit që marrin një pjesë e pacienteve këshillohen mos të ekspozohen ndaj të ftohtit apo diellit, pasi ky i fundit mund të krijojë komplikacione në lëkurë. Pacientet që shfaqin probleme me veshkat, gjatë terapisë, këshillohen të konsumojnë sa më shumë lëngje. Pacientet me performancë jo të mirë nuk duhet të sforcohen fizikisht, si dhe duhet të ndjekin një dietë të shëndetshme, siç u fol më sipër.

Ecuria e kontrolleve

Edhe gjatë kryerjes së kimioterapisë është e nevojshme bërja e ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike. Konkretisht midis dy cikleve kimioterapi bëhen ekzaminimet laboratorike, pra një analizë gjaku e thjeshtë, pasi ndodh një ulje e rruazave të bardha të gjakut. Ndërkohë, pas disa ciklesh, në varësi të skemës së mjekimit të pacientes, bëhen ekzaminimet vlerësuese të sëmundjes që janë markusët tumoral dhe ekzaminimet imazherike, sipas rastit. Ndërkohë pasi përfundon gjithë protokolli i terapisë, pacientja kontrollohet gjatë vitit të parë dhe të dytë pas terapisë, çdo 3-4 muaj. Gjatë vitit të tretë dhe të katërt kontrollet bëhen çdo 6 muaj dhe pas vitit të pestë, një herë në vit. Gjatë kontrolleve pacientja duhet të bëjë analiza gjaku, eko, mamografi apo rezonancë, sipas protokollit mjekësor që i kërkon mjeku kurues.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”/ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit