Korrupsioni në shëndetësi, a qëndron problemi te mjekët?!

Tritan Kalo, mjek

Korrupsioni në fushën e kujdesit shëndetësor, ashtu si në sektorë të tjerë publikë, përbën një fenomen të rëndë dhe të mjaftpërhapur. Korrupsioni në këtë fushë është një pasqyrim i qarëe i problemeve të rëndësishme të (1) drejtimit, (2) të nënfinancimit dhe (3) të mosreformimit të sistemit shëndetësor, lufta ndaj të cilit kërkon një strategji të integruar antikorrupsion, të bashkangjitur me një vullnet politik për ta fituar luftën kundër tij. Mungesa e reformave thelbësore në shëndetësi përbën shtratin që çon në shfaqjen e fenomeneve korruptive në këtë fushë.

korrupsioniQeveria, për të fshehur përgjegjësinë e saj, ka aplikuar një politike pothuajse-mediokre, me rezultat krijimin e një klime mosbesimi ndaj mjekëve dhe personelit mjekësor, që i akuzon si aktorët kryesorë të korrupsionit në mjekësi, duke synuar të largojë nga vetja përgjegjësitë e mungesave të theksuara të medikamenteve dhe materialeve të mjekimit, të kushteve të vuajtshme të infrastrukturës spitalore, të mangësive dhe pamundësisë të realizimit të testeve diagnostike të kategorive të ndryshme, të promovimit nepotik të personave të paaftë dhe, çka është më e rëndë, përgjegjësinë e mosreformimit të sistemit.

Krijimi i një klime të tillë mosbesimi dhe kriminalizimi është një dëm i madh që i bëhet publikut, sepse profesioni i mjekut ka në themel të tij dy elemente: (1) besimin e të sëmurit ndaj mjekut dhe (2) respektin e mjekut për pacientin. Pa këtë frymë mirëkuptimi e besimi reciprok, ky profesion i vështirë nuk mund të zhvillohet. Si pasojë e një politike të tillë është krijuar një percepsion publik i përhapur se pagesat informale përbëjnë tipin kryesor të korrupsionit në shëndetësi.

Në fakt, sipas të dhënave të Bankës Botërore, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepi i tyre rreth 60% të nevojave për kujdes shëndetësor, dhe vetëm 1- 6% e këtyre 60% të parave që ata shpenzojnë për të mbushur “gropën” e keqfinancimit të shërbimit shëndetësor publik, shkon për pagesat informale, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime të munguara, të cilat sistemi shëndetësor e ka për detyrë t’ia sigurojë, dhe kjo përbën pjesen e luanit në korrupsionin në shëndetësi. Korrupsioni në shëndetësi i ka rrënjët në një numër të rëndësishem faktorësh thelbësore, të cilat nuk janë prekur aspak ose janë anashkaluar nga i ashtuquajturi reformim i sistemit shëndetësor siç janë:

1- Nënfinancimi i sistemit.

2- Mungesa e autonomisë dhe funksionimi me buxhete historike i institucioneve shëndetësore.

3- Mungesa e transparencës.

4- Mungesa e dixhitalizimit të informacionit dhe informatizimit të kartelave klinike, që do të rriste hapësirat e transparencës dhe kontrollit.

5- Moskrijimi i incentivave për personelit mjekësor të lidhura me kualitetin e shërbimit.

6- Mungesa e protokolleve standarde të mjekimit, që do të kushtëzonte edhe përpilimin e listave të përshtatshme medikamentesh për t’u prokuruar.

7- Mungesa e përllogaritjes dhe përcaktimit të kostove të shërbimit, që do të përmirësonte mekanizmat financuese dhe menaxhuese.

8- Përzgjedhja e drejtuesve, më e pakta jo profesioniste, pa konkurse publike, por për interesa të ngushta partiake, më shpesh korruptive.

9- Hapi më i rëndësishëm për luftimin e korrupsionit, është kthimi i institucioneve publike shëndetësore në ente autonome, publike, jofitimprurëse, që drejtohen nga këshilla administrativë, të cilat kontrollojnë e drejtojnë burimet financiare dhe bëjnë politika profesionale në zgjedhjen e drejtuesve e të personelit mjekësor të përgatitur si duhet.

Postime të ngjashme

Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  
Eklipsi diellor: Kujdes me sytë, ja si ta shikoni në mënyrë të sigurt
VIDEO/ Mjekja zbulon dy shtyllat kryesore për të rënë nga pesha
Raporti i KLSH nge alarmin: 43 barna të rimbursueshme janë hedhur në treg pa autorizim  
Pas pagesave të kripura për shërbime të pakryera, koncesioni i check up-it i kthehet shtetit
Ambasada e SHBA-së në Tiranë: Një vend që nuk prodhon dot ilaçe, nuk mund të mbrojë popullin e tij