Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Daniela Bardhi
Sipas një studimi të bërë viteve të fundit, është konstatuar se ngacmimet apo pseudonimet tallëse që ju bëhen fëmijëve që në vogëli mund të shkaktojnë rreziqe të mëdha të sjelljeve patologjike apo përkeqësimeve psikologjike gjatë gjithë jetës së tyre. Studimi përkufizon fjalën “ngacmim” si një gjendje që i shkakton një individi trazira psikologjike dhe fizike nëpërmjet veprimeve apo fjalëve shqetësuese. Akte të tilla mund të përfshijnë abuzim verbal apo shpifje, ndjenjë agresioni apo frikësimi si dhe imponim në kryerjen e veprimeve që vetë individi i ngacmuar nuk do që t’i kryejë.
Sipas Departamenit Amerikan të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (DHHS) disa nga llojet më të shpeshta të dhunës psikologjike që ndikojnë në të gjithë jetën e individit janë:
Pseudonimet – 44.2% të rasteve
Talljet – 43.3 % të rasteve
Thashethemet apo gënjeshtrat – 36.3% të rasteve
Shpifjet – 32.4% të rasteve
Goditjet – 29.2% të rasteve
Nxjerrja jashtë një ambjenti të caktuar – 28.5% të rasteve
Fjalët kërcënuese – 27.4% të rasteve
Sipas, departamentit amerikan, ngacmimi apo dhuna psikologjike mund të ndikojë në shëndetin e fëmijëve në mënyra dhe në nivele të ndryshme. Sipas studimeve është gjetur edhe një lidhje e fortë midis ngacmimeve dhe vetëvrasjeve sepse këta fëmijë ndihen të menjanuar dhe të papërkrahur, ata zhyten në ndjenjat e melankolisë dhe nervozizmit. Madje shumë prej këtyre fëmijëve bëhen edhe më agresiv dhe të pamëshirë me të tjerët kur të rriten. / www.shendeti.com.al / Burimi: tophealthnews


