Dr. Eno Gaçe, mjek stomatolog
Fëmijët me aftësi të kufizuara kanë disa veçori lidhur me zhvillimin e gojës dhe problematikat e saj. Përkujdesja për personat me aftësi të kufizuar është shpesh e vështirë dhe kërkon aftësi dhe durim. Kujdesi dentar për këta persona nuk është i lehtë, megjithatë kjo nuk duhet të shërbejë si shkak për të lënë pas dore kujdesin për këta persona.
Te aftësitë e kufizuara futen:
- Sindroma Down dhe prapambetja mendore
- Autizmi
- Paraliza cerebrale
- Shurdhmemecët
- Verbëria
- Paraplegjikët dhe tetraplegjikët
- Sindroma të ndryshme
Ç’duhet të kemi parasysh kur kujdesemi për fëmijët me aftësi të kufizuara
- Vendi. Nuk ka rëndësi vendi se ku do të lahen dhëmbët, banja nuk është i vetmi vend për larjen e dhëmbëve. Dhëmbët mund t’i lajmë edhe në kuzhinë apo në dhomë. Për disa aftësi të kufizuara është më e lehtë që këtë procedurë ta kryejmë duke e ulur personin afër tavolinës. Vendi duhet të jetë i ndriçuar mirë, në mënyrë që ne të kemi fushëpamje të mirë. Në rastet e paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe paralizës cerebrale, pozicioni ulur (karrocë, karrige) është i vetmi vend ku mund të kryhet larja e dhëmbëve.
- Sjellja e fëmijëve me aftësi të kufizuar shpesh është e vështirë për shkak të prapambetjes mendore dhe intelektit të kufizuar që ata kanë, kjo e bën të vështirë kujdesin dentar. Fëmijët me aftësi të kufizuar shpesh frikësohen ose acarohen kur ne përpiqemi të kujdesemi të pastrojmë gojën e tyre. Ankthi dhe frika janë dukuri e zakonshme tek këta persona, duke i bërë jo-bashkëpunues.
- Kapaciteti mendor dhe fizik i fëmijës. Fëmijët me aftësi të kufizuar kanë kapacitet mendor dhe fizik më të ulët se fëmijët e tjerë. Prindërit duhet të kenë kujdes dhe të kenë parasysh aftësitë e tyre intelektuale dhe motore (lëvizjet), si dhe aftësitë e të shprehurit. Në disa raste këta persona kanë lëvizje të pakontrolluara ose e kanë të pamundur të kujdesen për veten e tyre. Prindërit duhet të pozicionohen mirë e të marrin masa për t’i vendosur këta persona në pozicione sa më të përshtatshme për larjen e dhëmbëve.
Këshilla praktike për kujdesin oral
- Përdorni gjithmonë metodën shpjego-trego-kryej për të bashkëpunuar me fëmijën. Tregojeni se si duhet të veprojë duke e demonstruar tek vetja dhe duke e lënë fëmijën të kryejë veprimin tek ju.
- Jepini kohë fëmijës që të mësojë e të përshtatë atë që mësoi për kujdesin dentar. Jini të duruar dhe të qetë, në këtë mënyrë do të fitoni besimin e fëmijës për procedurat që do kryeni.
- Përdorni zërin dhe trupin tuaj për të komunikuar me fëmijën.
- Bëjeni rregull kujdesin dentar duke përdorur të njëjtën teknikë, duke e kryer në të njëjtën orë e vend çdo ditë.
- Bëhuni kreativ. Zhvillojeni kujdesin oral si lojë. Jepini fëmijës lodrat që ai ka qejf ose muzikën që pëlqen më shumë gjatë kohës kur i pastroni gojën.
- Pozicionimi i saktë gjatë pastrimit të gojës është i rëndësishëm për sigurinë e fëmijës dhe për të shmangur aksidentet e mundshme.
- Koha më e përshtatshme për larjen e dhëmbëve është në mëngjes dhe në darkë, përpara se të flenë, por mund të mos jetë për këta fëmijë. Mund të jetë më e lehtë gjatë kohës kur fëmija është më i relaksuar.
- Përdorni gishtat me kujdes për të hapur buzët dhe faqen në mënyrë që të shihni më mirë dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve.
- Larja e dhëmbëve duhet të kryhet në mënyrë të tillë që asnjë sipërfaqe e dhëmbëve të mos lihet pa pastruar.
- Lani mirë duart ose vishni doreza kur ndihmoni persona me aftësi të kufizuar gjatë kujdesit oral.
Si të gjithë individët e tjerë, edhe personat me aftësi të kufizuar mund të kenë një higjienë të mirë. Larja e rregullt, dieta e duhur, përdorimi i fillit dentar dhe vizitat e rregullta tek dentist janë komponentët më të rëndësishëm për të patur një higjienë të mirë orale.
- Si të lajmë dhëmbët tek fëmijët me aftësi të kufizuara
Prindërit apo personat që kujdesen për këta persona duhet të kenë parasysh:
- Zgjedhja e furçës ka një rëndësi të veçantë. Prindërit duhet të kenë parasysh që bishti i furçës të jetë i trashë në formë B. Në disa raste prindërit mund t’i përshtatin vetë bishtat, duke futur një top tenisi mes përmes bishti, ose dorezën e biçikletës, ose duke i zgjatur me një vizore ose spatula druri. Megjithatë sot në treg ka furça të posaçme për fëmijët me aftësi të kufizuar. Furçat elektrike me qime të buta janë një alternativë e mirë për të pastruar gojën e personave me aftësi të kufizuara.
- Njomeni furçën (nëse fëmija ka rrjedhje të pështymës nga goja nuk është e nevojshme) dhe vendosni një sasi paste dhëmbësh sa një kokërr bizeleje.
- Vendosni qimet e furçës me kënd 45 gradë me gingivat dhe ushtroni presion të lehtë duke lëvizur para-prapa me lëvizje të shkurtra. Në këtë mënyrë pastroni pjesën e përparme dhe të brendshme të dhëmbëve, të sipërme e të poshtme.
- Poziciononi furçën në mënyrë vertikale për të pastruar anën e brendshme të dhëmbëve të përparme, bëni lëvizje para-prapa për të pastruar sipërfaqen e brendshme.
- Për personat me lëvizshmëri të limituara metoda të tjera për larjen e dhëmbëve. Një nga këto metoda është ajo me lëvizje ‘rrethore’. Dhëmbët e fëmijës qëndrojnë të mbyllur dhe me kujdes futni furçën duke zhvendosur faqen. Ushtroni presion të lehtë duke kryer lëvizje rrethore të shpejta.
- Pas larjes së dhëmbëve, mos harroni të pastroni gjuhën. Gjuha pastrohet me një furçë të posaçme, por në pamundësi të kësaj furçe, mund të përdorni furçën e dhëmbëve.
- Pas larjes së dhëmbëve goja duhet të shpëlahet me ujë. Personat që nuk mund ta shpëlajnë gojën duhet që goja tju pastrohet me një garzë të mbështjellë rreth gishtit tregues./ Shendeti.com.al


