Kryefaqja Shendeti a-z DH Kujdesi për dhëmbët, ja pse është i rëndësishëm

Kujdesi për dhëmbët, ja pse është i rëndësishëm

0
Shpërndaje

Bisedoi: Riselma Telo

Goja është pjesë delikate e trupit të njeriut. Ajo bëhet shkak për një sërë infeksionesh të cilat shkaktohen nga mospastrimi i rregullt i dhëmbëve me pastë ose fill dental, që ndikojnë në higjienën dhe shëndetin oral. Për të pasur dhëmbë të shëndetshëm nuk është e mjaftueshme vetëm higjiena orale por dhe kujdesi për ato çfarë ne hamë. Celiana Toti, mjeke stomatologe, thekson se secili prej nesh duhet të bëjë vazhdimisht kontrolle periodike tek mjeku, dhe jo vetëm atëherë kur ka nevojë, pasi vetëm në këtë mënyrë arrrijmë të parandalojmë probleme.

Sa kujdesemi për shëndetin oral?

Mendoj  se vitet e fundit po bëhemi gjithnjë e më të kujdesshëm për shëndetin oral.  Po kuptohet tashmë se shëndeti për gojën duhet të konsiderohet si pjesë e  rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm. Në fund të fundit nëpërmjet ushqyerjes plotësojmë nevojat jetike dhe mbajmë në formë organizmin, prandaj një aparat nofull-dhëmb i shëndetshëm është shumë i rëndësishëm në përpunimin e këtij ushqimi. Nga ana tjetër, një buzëqeshje e bukur dhe rrezëllitëse të bën më tërheqës për të tjerët dhe është një “bonus” për shanset që të ofrohen.

Informacionin njerëzit e marrin kryesisht nga mediat, ku “modelet për t’u ndjekur “ kanë gjithmonë dhëmbë të bukur dhe të shëndetshëm. Revistat shkencore, broshurat e përgatitura nga specialistë të stomalogjisë apo shoqatat, janë një mënyrë e mirë për edukimin e popullatës.

Cilat janë problemet më të zakonshme të dhëmbëve?

Problemet më të zakonshme të dhëmbëve lidhen me kariesin dentar, pra prishjen e kurorës së dhëmbit. Nëse ky proces nuk kurohet, prishja do të vazhdojë dhe do te prekë të tjera srtuktura më në thellësi duke shkaktuar procese inflamatore, jo të thjeshta për t’u kuruar dhe që komprometojnë komoditetin e pacientit sepse shoqërohen me dhimbje, ënjtje, vështirësi në ushqyerje, etj. Një problem tjetër lidhet me heqjen e dhëmbëve. Edhe një dhëmb i vetëm ka shumë rëndësi në përpunimin e  ushqimit, në zhvillimin normal të procesit alveolar, në vazhdimësinë e harkut të dhëmbëve në nofull.

Heqja e dhëmbëve dhe moszëvëndësimi i tyre sjell probleme në renditjen e dhëmbëve dhe vështirësi në zëvendësimin më vonë të tyre. Problemet ortodontike janë mjaft frekuente. Këto lidhen me renditjen jo korrekte të dhëmbëve apo raportet jo normale të nofullave. Fatkeqësisht këto janë probleme të cilat i hasim edhe në pacient me dhëmbë të shëndetshëm. Korrigjimi në kohë i problemeve ortodontike ofron një estetikë të pëlqyeshme, rikthim të funksioneve normale (ushqyerje, e folur, gëlltitje, etj) si edhe një vetëvlerësim më pozitiv.

Si ndikojnë ushqimet  në shëndetin oral?

Të gjitha ushqimet që konsumojmë merren nëpërmjet gojës. Dhëmbët ndihmojnë në përpunimin e ushqimit, por edhe cilësia e ushqimeve ndikon në shëndetin oral. Konsumimi i ushqimeve të freskëta ashtu sikundër është i rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm, ndikon edhe në dhëmbë të shëndetshëm. Duhen evituar sa më shumë ëmbëlsirat, pijet apo lëngjet e frutave të gatshme, sepse përmbajnë një sasi të lartë sheqeri. Konsumimi i ushqimeve të forta është gjithashtu shumë i rëndësishëm, sepse ndikon në rritjen dhe zhvillimin e nofullave, por edhe në procesin e vetëpastrimit të gojës nëpërmjet pështymës duke stimuluar prodhimin e saj. Në këtë proces pastrimi ndikon edhe përdorimi i çamçakëzit.

Përse në rregullimin e dhëmbëve pjesa lart e nofullës rregullohet me zirkon-porcelan ndërsa ajo poshtë me metal-porcelan

Nuk ka ndonjë rregull fiks. Një punim protetik i punuar mirë estetikisht dhe teknikisht, si me metal-porcelan ashtu edhe me zirkon-porcelan, mund të ofrojë një përmirësim të estetikës dhe funksionalitetit. Zgjedhja e zirkon-porcelanit është e preferueshme sepse ofron një natyralitet më të madh të dhëmbëve artificialë nga ana estetike, por është më i kushtueshëm se metal-porcelani. Preferenca e njerëzve për të bërë punime zirkon-porcelani në nofullën e sipërme është se dhëmbët në nofullën e sipërme  janë më te ekpozuar estetikisht. Nga ana tjetër të njëjtin efekt do të kishin edhe në dhëmbët e nofullës së poshtme, por për arsye financiare, pacientët “kursejnë” duke i aplikuar kryesisht në nofullën e sipërme.

 A është i dëmshëm përdorimi i lazerit në rregullimin e linjës së gingivave?

Lazeri po gjen një përdorim gjithnjë e më të gjerë edhe në stomatologji. Indikacionet e përdorimit janë nga më të ndryshmet si: rikonturim i gingivave, rigjenerim i gingivave, etj. Ashtu sikundër edhe përdorimi pa kriter i medikamenteve mund të bëhet i dëmshëm, edhe në përdorimin e lazerit duhet të jemi të kujdesshëm. Përdorimi sipas indikacioneve, respektimi i protokolleve dhe sidomos ofrimi i këtij shërbimi nga specialistë të fushës janë të një rëndësie të veçantë.

Po përsa i përket ndrydhjes apo bluarjes së dhëmbëve, cili është shkaku kryesor?

Problemet lidhen kryesisht me mungesën e dhëmbëve, renditjen jo korrekte të tyre si edhe me problemet në artikulacionin temporomandibular. Stresi është një faktor i rëndësishëm gjithashtu. Tek fëmijët e vegjël mund të ndikojnë edhe parazitët në sistemin tretës, prandaj edhe këshillohet analiza e parazitëve në feçe.

Këshilla?

Unë do të jepja vetëm dy këshilla: e para lidhet me higjienën orale. Duhet të pastrojmë rregullisht gojën, dhëmbët dhe duke mos neglizhuar përdorimin e shpëlarësve antiseptikë (sidomos pacientet me punime protetike); e dyta lidhet me ndërgjegjësimin e njerëzve për ta kthyer në kulturë kontrollin periodik tek dentisti, të paktën dy herë në vit.

Dentisti gjatë këtyre kontrolleve do t’ju bëjë prezent problemet tuaja dhe do t’ju ofrojë këshilla apo trajtimin e duhur. Duhet që të mos kujtohemi për dentistin vetëm kur ndiejmë dhimbje në gojë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here