Kujtim Prodani: Të pathënat e këngës “Dedikuar Nënës”

Bisedoi: Elena Beta

Të gjithë e njohim si një kompozitor të suksesshëm dhe shumë nga këngët më të dashura për të gjithë mbajnë vulën e tij. Sigurisht që nuk mund të ndodhte ndryshe me Kujtim Prodanin, djalin e dy artistëve të mëdhenj që kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës shqiptare… Disa ditë pas lançimit të këngës “Dedikuar Nënës”, Kujtimi vjen në një intervistë për gazetën “Shëndet +” ku rrëfen disa sekrete rreth këngës dhe videoklipit më të fundit. Çfarë mendon Kujtimi për brezin e ri të artistëve, për të ardhmen e artit në vendin tonë, si ka qenë marrëdhënia me nënën e tij? Të gjitha këto mund t’i lexoni në intervistën më poshtë…

Kujtim, çfarë do të thotë për ty të jetosh shëndetshëm?

Të jetosh shëndetshëm për mua do të thotë të vraposh 1 orë çdo ditë dhe të ushqehesh me gjithçka që të sheh syri.

Nëse do të kishe një shqetësim shëndetësor do të shkojë në një klinikë private apo në shtet?

Sigurisht privatin.

Di të gatuash? Nëse po, cila është pjata jote e preferuar?

Po, patjetër që di, vezë të skuqura dhe sallatë të mirë. Sa për pjatat e preferuara më pëlqejnë shumë prodhimet e detit, krudo dhe ndonjë gotë verë, sidomos vera e bardhë.

Ti ke një karrierë tepër të suksesshme muzikore.  Të ka ndihmuar pjesa e të qenit vetëm pa angazhime familjare në këtë aspekt? Pasi të gjithë e dimë se familja do gjithmonë kohën e vet?

Unë kam qenë gjithmonë i lirë. Kur ti e zgjedh një profesion, nuk ka pengesë, nuk mund të ekzistojë asnjë pengesë që të më ndalojë të ushtroj profesionin që dua. Nga eksperiencat e mia në jetë kam kuptuar se kur jam vetëm, jam 100 % i përkushtuar në karrierë.

Kur kontaktuam për të realizuar intervistën ishe duke realizuar videoklipin e këngës “Dedikuar nënës” Mund të zbulosh pak më shumë rreth këtij projekti? Si lindi?

Në vitin 2014 bashkëpunoja me poetin Arben Duka të cilin e kam mik dhe bashkëpunëtor të vjetër dhe duke punuar mbi tavolinën e tij të punës, më zuri syri titullin. I hodha një sy dhe ishin të paktën 22 – 26 strofa, ka qenë poemë.

-A ma jep ta bëj këngë? i thashë Agimit.

-Nuk ta jap, nuk e bën dot, sepse mamaja jote është si kokrra e mollës, del këndon nëpër skena, do vish ta marrësh mbasi ajo të ketë ndruar jetë, më tha ai.

Dhe kështu ndodhi. Disa ditë pasi Anita iku nga kjo botë, e morr dhe fillova realizimin e këngës. Ndonëse kjo këngë u kompozua disa ditë pas ikjes së saj, ka një sekret të vogël… Kënga ka një motiv që është refreni i këngës, fillimi i refrenit… Vitet e fundit melodinë e refrenit e luaja në piano pa ditur se çfarë është, dhe Anita pyeste shpesh se çfarë është kjo melodi. Nuk e di, i thoja, është improvizim. Bëj një tekst dhe ma jep, më thoshte. Kalonin 2 – 3 javë, përsëri shprehte pëlqimin e saj dhe në momentin që më ra në dorë poezia e Benit më lindi ideja e një prove për të bashkangjitur teksin me motivin që Anitës i kishte pëlqyer aq shumë, gjë që qëlloi në shenjë 100%. Qeshia mbi tortë e këngës mund të them se është Eneda Tarifa. Është një vokaliste që shoqëron këngën nga fillimi në fund, e cila mban emrin e Enedës.

Po videoklipi, ka kushtuar shumë?

Në momentin që rashë në kontakt dhe kërkova një shifër lidhur me shpenzimet, me thanë se është dhuratë për Anitën. Kjo tregon se ka njerëz, ka artistë që vlerësojnë, prandaj dua ta falënderoj Dorjan Gjonin, organizatorin e kompanisë për këtë dhuratë. Më bën të ndihem mirë.

Si ka qenë marrëdhënia jote me Anitën? Ishte artistikisht kritike kundrejt teje?

Nuk ka këngë nga krijimtaria ime që Anita të mos e ketë “vulosur”. Sa mbaronte një këngë, ishte ajo që e dëgjonte e para, ishte konsulentja ime.

Në çfarë moshë e ke filluar kompozimin e parë?

Në moshën 16 vjeç, ndërsa këngën e parë e kam krijuar 10 ditë mbasi vdiq im atë, titullohet “Mirënjohje”. Ai nuk donte që unë të shkruaja këngë dhe unë u ula dhe i dedikova një këngë. Ky është profesioni im. Dikush i dhuron prindit lule, dikush poezi, dikush një kornizë të bukur, dikush një vilë të bukur, unë kam privilegjin t’i dhuroj tinguj muzikorë dhe kjo më bën të lumtur pa masë.

Si duket e ardhmja e artistëve të rinj shqiptarë në këndvështrimin e një profesionisti si ty, Kujtim?

Fatkeqe. Jo më larg se dje pyesja veten ku është ndryshimi nga gjenerata e babait tim, Agim Prodani, dhe kolegëve të tij dhe nga Kujtimi dhe kolegët e tij. Ka një ndryshim , nëse ai brez kompozitorësh ka shkruar muzikë, ka ushtruar aktivitetin në shekullin e muzikës dhe të artit, unë me kolegë dhe brezi i ri jemi të detyruar të ushtrojmë aktivitetin artistik në shekullin e dekriminalizimit. Në një atmosferë të tillë të rëndë mbytëse që do të kalojë mbas disa dekadash, është e vështitë. Dhe kjo gjenerata e re që ka dëshirë të lançohet, do ta ketë suksesin pasi kjo epokë të kapërcehet. Artisti e gjen frymëzimin tek sekondat e përditshme, ku të frymëzohet me njerëz të trishtuar?

Po ata të rinj që kanë talentin dhe nuk kanë mbështetje? Çfarë e ardhme i pret?

Nuk mendon kush për këta artistë. Këtu mendohet si të prodhohen para duke shfrytëzuar spektaklet. Dhe po, është e vertëtë, ka shumë më të mirë se sa ne që këndojmë nëpër ekrane, por s’ka ku shkon ai, s’ka ku përplaset.

Përveç zërit të mrekullueshëm, cili është “tipari” që ke trashëguar nga nëna jote, një artiste e madhe e cila ka lënë një vlerë të madhe në muzikën shqiptare?

Të falënderoj për komplimentin. Nëna ime ishte grua e drejtpërdrejtë, ishte njeri i sinqertë, shumë e hapur, tolerante. Këto janë gjëra në dukje të vogla, por në tërësi pastaj përbëjnë thelbin e njeriut ose të paktën atë si duhet të ishte njeriu. Në fakt, forca ime kryesore është kompozicioni dhe përcjellja e emocionit tek publiku.

Po nga babai?

(Qesh) Babai im ishte shumë largpamës. Ndërsa unë jetoj me plane 4 – 6 mujore, sepse jeta më ka mësuar mos bëj plane shumë pasi të zhgënjehesh. Nuk është bukur por le të them këtë shpirtin e krijimit nga im atë e kam trashëguar. Faktin që unë krijoj, ulem në piano dhe di të rendis notat, megjithëse ka konsum muzikor prej qindra vitesh, unë kam atë individualitetin tim, një lloj stili të cilit dua t’i qëndroj besnik.

Së fundmi, ju vetë keni bërë publik faktin se nuk jeni më pjesë e RTSH-së. Ndërkohë ka pasur edhe shkarkime të tjera të figurave legjendare të këtij televizioni. Çfarë mendon se po ndodh?

Nuk mendoj asgjë. Në momentin që të ikën nëna nga kjo jetë, nuk të bën përshtypje se çfarë ndodh me gjërat e tjera. Ky është një vendim i drejtorisë të përgjithshme dhe nuk dua ta komentoj fare. Ashtu e menduan.

Cila është motoja që ke në jetë?

(Qesh) Bëj në jetë atë që di të bësh më mirë.

Marëdhënia me duhanin?

Nuk e kam provuar kurrë dhe mund të them se është fat i madh.

Çfarë vlerëson më shumë tek një njeri?

Lista është e gjatë, por unë po e filloj me thjeshtësinë.

Çfarë këshille do t’u japësh të gjithë atyre që të shohin si frymëzim?

Nëse më shohin si frymëzim, le të vazhdojnë ta bëjnë këtë, sepse më bëhet qejfi…/ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Ja pijet dhe ushqimet më të mira që mund t’i konsumoni çdo ditë në verë
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë