Kryefaqja Box 1 ‘Lëviz për kopshtin tim’, përfaqësuesit e TFL-së takohen me drejtuesit e arsimit

‘Lëviz për kopshtin tim’, përfaqësuesit e TFL-së takohen me drejtuesit e arsimit

0
Shpërndaje

Në kuadër të projektit “Lëviz për kopshtin tim”, i mbështetur financiarisht nga qendra “Lëviz Albania” me fonde të Qeverisë Zviceriane, u organizua një takim midis përfaqësuesve të “Together for Life” dhe zv. ministres së Arsimit dhe Sporteve, znj. Nora Malaj.

Qëllimi i takimit ishte njohja e titullarëve të këtij institucioni me natyrën e projektit që po zbaton shoqata “Together for Life”, i cili bazohet në monitorimin e 43 kopshteve publike  të Tiranës lidhur me zbatimin e standardeve të infrastrukturës fizike, sigurisë dhe higjienës, dhe marrja e autorizimit të tyre  për kryerjen e këtij monitorimi brenda ambienteve të kopshteve.

Përgjegjësia lidhur me aspektet e  infrastrukturës, sigurisë dhe higjienës me ligjin  Nr. 139, të miratuar në vitin 2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, ka kaluar nën kompetencat e pushtetit vendor. Ndërkohë, kopshtet si institucione të arsimit parashkollor, janë ende nën juridiksionin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve,për sa i përket organizimit të shërbimit arsimor dhe funksionimit të përditshëm të tyre.

Znj. Nora Malaj shprehu  interes kundrejt projektit në fjalë dhe siguroi mbështetjen  e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për kryerjen e këtij monitorimi, i cili do të ofrojë në mënyrë të paanshme  të dhëna lidhur me situatën reale të respektimit të standardeve mbështetëse që ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të ofrimit të arsimit parashkollor ndaj fëmijëve të Tiranës.

Ajo përgëzoi organizatën për nismën e ndërmarrë, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e rritjes së ndikimit të shoqërisë civile në çështje me ndjeshmëri të lartë shoqërore, siç është edhe garantimi i kushteve pritëse, sigurisë dhe shëndetit të fëmijëve në kopshte.

Nga ana e përfaqësuesve të “Together for Life” u theksua se qëllimi në vetvete i këtij projekti është jo vetëm nxjerrja në pah e problemeve, por edhe dhënia e sugjerimeve ndaj autoriteteve për përmirësimin e situatës dhe bashkëpunimi për këtë me të gjitha institucionet përgjegjëse./ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here