Kryefaqja Lajm kryesor Majlajdo Gala: Koreograf lind, nuk bëhesh

Majlajdo Gala: Koreograf lind, nuk bëhesh

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

“Lumturi është të jetosh, të jesh me fat të zgjohesh çdo mëngjes dhe të jesh i shëndetshëm. Lumturi për mua janë dhe duartrokitjet që marr pasi përfundoj një performancë, është një lumturi që nuk mund të përkthehet me fjalë”.

Një rrugëtim nga gjimnastika në kërcim, shumë punë dhe përkushtim do  të nxirrte në pah një talent si Malajdo Gala. Punën e tij e shohim të pasqyruar në skenat e programeve më të ndjekura, si e “Diela Shqiptare”, “Kënga Magjike”, deri tek videoklipet e këngëve hit. Tepër modest për të thënë se është ndër koreografët më të mirë që ofron tregu shqiptar sot, Majlajdo ngulmon të theksojë se do të vijojë të punojë shumë për të arritur më të mirën. Si ka lindur dashuria për kërcimin, marrëdhënia me këngëtarët dhe shumë detaje të tjera nga përditshmëria e Majlajdos, mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Majalajdo, të gjithë i kanë parë koreografitë e tua, nga skena e së “Dielës Shqiptare”, “Kënga Magjike”, deri tek videoklipet e këngëve më hit. Për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për ty,  mund të rrëfesh një historik të shkurtër rreth vetes? Si nisi gjithçka për ty?

Gjithçka ka nisur kur unë kam lindur,të gjithë e kanë të shkruar fatin e tyre, vetëm është mënyra dhe rruga që zgjedh për ta përfaqësuar atë. Unë si fillim kam filluar me gjimnastikë, por duke analizuar dhe studiuar për një të ardhme më të sigurt, të gjatë dhe të suksesshme, mësuesja dhe familja ime vendosën që unë të vazhdoja rrugën e baletit, ku studiova për 8 vite në shkollën e baletit.  Atëherë kam qenë i vogël për të vendosur vetë, por jam i lumtur që ata zgjodhën rrugën më të mirë për mua, duke parë talentin që unë kisha për balet. Gjithmonë kam krijuar kur kam qenë në shkollën e baletit, sipas idesë dhe asaj që mua më vinte natyrshëm, dhe jam i lumtur që profesori im i baletit më dha një mundësi që në klasë të gjashtë të kem një performancë të realizuar prej meje në Kampionatin e Dancit Sportiv në vitin 2006, një numër special dhe përshëndetës të krijuar prej meje.

Ka qënë një koreografi modeste pasi kam qënë akoma i vogël, por shumë i lumtur sepse ka qënë koreografia ime e parë me 4 balerinë. Mbarova shkollën e baletit dhe më pas ndoqa për 5 vite Akademinë e Arteve për Koreografi. Gjatë kohës së shkollës dhe universitetit kam qenë shumë i angazhuar dhe për këtë gjë jam ndjerë gjithmonë i vlerësuar. Ky është historiku i shkurtër, ku sigurisht gjatë rrugës sime te formimit kam patur 3 profesorë shumë të mirë dhe kam qenë me fat. Migena Panariti, Shpëtim Dajçi dhe Kozeta Bakiu. Gjimnastika më dërgoi në balet dhe baleti më informoi më shumë për koreografinë, derisa arrita t’i mbyllja me sukses studimet e mia të baletit dhe koreografisë.

I ofron Shqipëria kushte një koreografi të shpalosë talentin e tij?

Mundësitë janë të pakta, por s’mund të them që jo. Mendoj që një njeri që e dashuron profesionin, që bën e gjen punën dhe në fund të botës, personalisht gjithmonë kam patur punë dhe për këtë jam i lumtur. Nëse vlen, vlen dhe sigurisht që do të të marrin, por dua të them diçka. Shumë balerinë mbarojnë universitetin e arteve për koreografi, por s’do të thotë që janë koreograf. Koreograf lind, nuk bëhesh! Në universitet merr vetëm bazat dhe mëson shumë, por shkolla nuk mund të të krijojë trurin e krijuesit, koreografit.

Sigurisht që puna jote luan një rol të rëndësishëm në klikimet e një videoklipi. Sa kohë të duhet të punosh me një projekt?

Unë çdo punë e marr shumë seriozitet, sepse në momentin që del emri im, nuk dua të gaboj. Kur ndërtoj, nuk mendoj tek klikimet, pasi për mua ato janë thjesht numra, por e rëndësishme është që arti i kërcimit të jetë i gërshetuar mirë me muzikën e këngës, tekstit dhe vetë këngëtarit që do e realizojë. Ka ndodhur shpeshherë që t’i bëj koreografi dhe në montazh bëjnë një çmenduri, duke nxjerrë vetëm veten e tyre ku duken më bukur, jo balerinët ose koreografinë përkatëse, dhe ajo është diçka vërtet jo profesionale.

Sa e vështirë është të bashkëpunosh me këngëtarët?

Të bashkëpunosh me këngëtarë është gjë e mirë, por me ata që dinë vlerën e koreografisë është akoma më mirë. Ndodh shpesh që duan të kërcejnë si Beyonce dhe vijnë vetëm 3 ditë para xhirimeve ose performancës. Është bukur të bashkëpunosh, vetëm se duhet t’i japin më shumë rëndësi kërcimit sesa make- up, hair styles dhe veshjeve, këto janë thjesht gjëra sipërfaqësore. Duhet të kesh një bazë të fortë dhe pastaj çfarëdo të vendosësh lart është thjesht plotësuese.

Cila ka qenë sfida më e madhe për ty?

Nuk e kam arritur akoma sfidën më të madhe dhe po punoj shumë që të jem drejt asaj rruge.

Format e tua perfekte janë rezultat i kërcimit apo edhe ushqyerja e shëndetshme ka luajtur rolin e vetë?

Absolutisht kërcimi të krijon mundësinë për të mbajtur një trup të bukur, por ushqimi luan rol shumë të rëndësishëm. Ushqim plus kërcim ose sport është rezultat mahnitës.

Të kalojmë në një atmosfere tjetër pyetjesh… Shkon për kontrolle tek mjeku? Nëse po, cili është mjeku që viziton më shpesh?

Në fakt kam qenë gjithmonë i shëndetshëm dhe jam shumë i lumtur dhe me fat për këtë pjesë. Falënderoj Zotin që deri tani kam qenë mirë dhe s’ka lejuar që të takohem me doktorët. Në të vërtetë, nga gjithçka kam dëgjuar dhe parë, nuk kam asnjë dëshirë për t’i frekuentuar. Unë besoj, dhe besoj shumë, ndërsa tek doktorët për fat të keq nuk kam besim.

Në rast të një dhimbje koke apo ftohje, muskuli do t’i besojë mjekësisë alternative apo ilaçeve të rekomanduara nga mjeku?

Të gjithë duhet të jenë doktor të vetes dhe në momentin që është një dhimbje koke ose një ftohje muskulore mund të jesh i aftë dhe të marrësh një medikament në farmaci dhe të kujdesesh për veten. Nëse është diçka më e madhe, sigurisht duhet t’i drejtohesh profesionistëve.

Ç’mund të thuash për ndonjë projekt të ri tëndin. Do kemi pak nga Majado në skenën e këngës Magjike këtë vit?

Kam disa projekte të cilat i kam deri në fund të këtij viti brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këngën magjike realizova një performancë për këngëtarin Kelly dhe tani presim për gjysëm finalet. Kam shumë ide të ndryshme të cilat nëse këngëtarët do t’i pranonin nuk do zhgënjeheshin. Unë do jem këtu deri në fund të dhjetorit ndaj kushdo këngëtar që do të bëjë diferencën është i mirëpritur.

Nëse do të zgjidhje një profesion tjetër përveç kërcimit, cili do të ishte ai?

Profesioni i këngëtarit, por sigurisht nëse do kisha shumë vokal për të kënduar. Nëse dua të bëj diçka, dua ta bëj në mënyrën më të mirë.

Çfarë të inspiron?

Nuk kam diçka që më inspiron ose frymëzon, pasi më vjen natyrshëm. Ato gjëra që më ngacmojnë janë gjërat e veçanta, në momentin që shoh diçka që më jep një goditje dhe më tërheq syrin, dua se s’bën ta zhvilloj dhe ta krijoj.

Ç’do të thotë për ty lumturi?

Lumturi është të jetosh, të jesh me fat të zgjohesh çdo mëngjes dhe të jesh i shëndetshëm. Lumturi për mua janë dhe duartrokitjet që marr pasi përfundoj një performancë, është një lumturi që nuk mund të përkthehet me fjalë.

Cila është pika jote e fortë?

Pika ime e fortë është që jam i prerë dhe i vendosur. Unë jam ose bardh ose zi, nuk mund të jem gri.

Çfarë këshille do t’ju jepje atyre të rinjve që duan të ndjekin rrugën e kërcimit?

Këshilla ka shumë, por i uroj të gjithë ata që duan të ndjekin rrugën e kërcimit dhe i them që luftoni për të qenë më të mirët. Mos harroni që e mira s’ka fund, ndaj gjithmonë të punoni fort, me vullnet, pasion dëshirë dhe kushdo të jetë pjesë e këtij arti, kurrë mos hiqni dorë, sepse gjithmonë do jetë dikush që do të shohë vullnetin, punën, pasionin, dëshirën dhe ëndrrën tuaj. Është një rrugë shumë e vështirë, por shumë e bukur për ata që ky profesion i mbush shpirtin më shumë se çdo gjë tjetër./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here