Denisa Canameti
Sjellja në jetë e një fëmije mbetet gjëja më e bukur për një femër. Megjithatë, të bëhesh nënë për herë të parë shoqërohet shpesh me konfuzitet që
nënkupton: mohim të bebit, frikë për të mbajtur fëmijën në krah, frikë për ta ushqyer etj. Të kujdesesh për një të sapolindur duket sa vështirë, aq edhe delikate. Në lidhje me këto problematika për gazetën “Shëndet+” flet pediatrja Sanie Neziri, e cila shprehet se te nënat që sapo kanë lindur, ndodhin ndryshime hormonale dhe kjo shoqërohet me pasiguri, pesimizëm. Ndaj nëna duhet të jetë e rrethuar nga shumë dashuri. Gjithashtu, ajo tregon për kujdesin e përgjithshëm që sidomos nënat e reja duhet të kenë me fëmijët e tyre.
Si mund ta qetësojmë beben kur qan shumë?
Nëna duhet të kuptojë përse qan fëmija. Duhet të shikojë nëse fëmija ka të shtrënguar veshjen, pampersin etj. Të kuptojë nëse fëmija ka orarin e pirjes, ka temperaturë, ka dhimbje barku apo kërkon ta mbash në krah etj. Fëmijët edhe nëse nuk kanë diçka të shtrënguar, sapo ta hapësh qetësohen. Kur e kupton nëna që fëmija mbledh këmbët në bark, do të thotë që fëmija ka dhimbje barku. Nëna në këtë rast duhet të përdorë më shumë gjëra ambientale, gjëra të momentit. Mund ta kthejë fëmijën përmbys. Nëse dita është e vrenjtur, të parët që e ndiejnë këtë ndryshim janë fëmijët. Ata bëhen më të grindur. Nëna mund ta nxjerrë shëtitje fëmijën. Ai është mësuar në kushtet e lëngut amniotik ndaj mund t’i krijohen kushte të ngjashme. Mund t’i ndezë një freskuese, një tharëse flokësh për t’i krijuar idenë e dallgëve. Mund ta zhveshë për ta vënë lëkurë mbi lëkurë me trupin e saj.
Kur gjendja është shqetësuese?
Gjendja është shqetësuese kur fëmija qan mbi 1 orë e gjysmë, 2 orë. Nëna mund të marrë në telefon edhe mjekun për t’u konsultuar nëse bebi ka temperaturë, nëse ka dalë jashtë, nëse ka vjellë, të gjitha këto e bëjnë të kuptojë se çfarë ka.
Pas kësaj nëna mund ta qetësojë beben me një banjë me kamomil.
A është simptomë e ndonjë sëmundje të fjeturit për një kohë të gjatë?
Nëse fëmija pi, ka dalë jashtë, ka temperaturë normale, dhe pse fle nuk ka problem. Shume fëmijë akoma nuk janë akomoduar me idenë natë-ditë dhe mund të flenë. Nuk ka një problem pse fle 4 orë pa u ushqyer, sepse qetësinë e natës mund ta kërkojë ditën. Kjo ndodh vetëm tek të porsalindurit. Nëna thjesht duhet të jetë e vëmendshme. Ta nxjerrë në orët e para kur dielli sapo ka rënë.


