Bisedoi: Elona Tereziu
Koncepti i estetikes për dhëmbët dhe të bukurën ndryshon nga një kulturë në tjetrën. Mirëpo, vitet e fundit, e ashtuquajtura “Buzëqeshja Hollivudiane” duket se është kthyer në trend estetik, veçanërisht për të rinjtë.
Të fokusuar tek bardhësia ekstreme, ”buzëqeshjet skenike” tundojnë jo pak pacientë drejt ndërhyrjeve të tilla, herë herë ndoshta dhe të pa nevojshme. E meqenëse ngjyra e dhëmbëve i atribuohet pjesërisht gjenetikës, higjiena dhe përkujdesja luajnë gjithashtu një rol të veçantë.
Arjana Shehu, mjeke stomatologe tregon për gazetën “Shëndet +” se si realizohet zbardhja e dhëmbëve, metodat që përdoren, efektet negative dhe se çfarë duhet të kenë parasysh pacientët para dhe pas kësaj ndërhyrjes.
E ndërkohë që flet për kohëzgjatjen e efektit (jo definitiv), tregon se bardhësia ekstreme nuk mund të jetë kurrsesi pasojë e një zbardhje të mirëfilltë, por falë këllëfëve, kapsulave e fasetave që vihen mbi dhëmb, në këtë rast duke realizuar një buzëqeshje artistikisht aq të bukur.
Çfarë është zbardhimi i dhëmbëve?
Vetë dhëmbët me kalimin e kohës kanë tendencë që të ndryshojnë ngjyrë, kjo për shkak se pjesa e smaltit që jep atë ngjyrën e bukur mbi sipërfaqe me kalimin e viteve dëmtohet dhe shfaqet dentina (pjesa më në brendësi me ngjyrë me tendencë drejtë të verdhës). Meqenëse ngjyra e dhëmbëve varet kryesisht nga gjenetika, nuk është mirë që të ndryshohet/modifikohet duke përdorur substanca zbardhuese, të cilat normalisht kanë efekte abraziv dhe mund të dëmtojnë smaltin. Por shpesh herë media ‘’buzëqeshjet skenike’ me një bardhësi herë herë deri ekstreme, bëjnë që pacientët të tundohen dhe për rrjedhojë t’i nënshtrohen ndërhyrjeve të tilla.
Çfarë metodash përdoren për zbardhjen e dhëmbëve?
Mënyrat e zbardhimit të dhëmbëve mund të jenë të tilla që bëhen në klinikë dentare (profesionale), si dhe në kushte shtëpie nga vetë pacienti. Në rastin kur bëhen nga vetë pacienti, duhet patur shumë kujdes në përqendrimin që marrin zbardhuesit, pasi japin dëmtime shumë të forta të smaltit. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, blerjet bëhen në internet nga vetë pacienti. Mirëpo ndonjëherë ndodh që të shiten edhe produkte të forta që kanë një përqendrim gati 25 herë më të madh zbardhimi nga niveli i lejuar, duke bërë kështu dëmtime të pakthyeshme të smaltit. Veç kësaj, është shumë e rëndësishme që para çdo zbardhimi, të bëhet patjetër izolimi i mirë i mukozës së gojës dhe gingivave, sepse solucioni zbardhues ka një efekt shumë dëmtues në lidhje me mukozat e gojës dhe gingivat, ndaj gjithmonë duhen izoluar mirë me solucion të caktuar ose diga.
Metodat profesionale?
Për të zbardhur dhëmbët, ne kryesisht përdorim peroksid hidrogjeni (ujë i oksigjenuar) ose peroksid karbomedi. Peroksidi karbomedit është pak më pozitiv në lidhje me zbardhimin sepse është më pak i dëmshëm, ndërsa peroksidi hidrogjenit reagon më shpejt, por kërkon një profesionalizëm më të madh në procesin e aplikimit.
Si bëhet zbardhja/ procedura, kohëzgjatja?
Zbardhimet profesionale që bëhen në klinikë kanë si bazë përdorime të peroksidit të hidrogjenit 35-38% që mund të përdoren me ose pa fotoaktivizim. Kur përdoren me llamba, është ajo që aktivizon një reaksion oksidativ dhe peroksidi hidrogjenit vepron në pigmentet e ngjyruesit të smaltit duke u lidhur me to dhe larguar ngjyrimet që janë në sipërfaqen e dhëmbit.
Mund të bëhen edhe me maskerin, (zbardhimet individuale) apo edhe me peroksid karbomiti në klinikë. Por është e rëndësishme gjithmonë që para zbardhimit të dhëmbëve, pacienti të bëjë një pastrim të mirë të gojës, gurrëzave e gingivave në mënyrë që të jemi direkt në nivelin e sipërfaqes së dhëmbit, pa pasur papastërtia të tjera.
Për sa i përket kohëzgjatjes, zbardhuesit nuk është se kanë efekt thjesht me një seancë. Në përgjithësi duhen 3-4 seanca më një interval kohor nga njëra tjetra nga disa ditë deri në një javë.
Sa kërkohet dhe çfarë i shpjegohet paraprakisht pacientit?
Pacientët insistojnë aq shumë në lidhje me zbardhjen e dhëmbëve, sa ndonjëherë efekti psikologjik që ka tek ata të detyron që në një farë mënyre, në varësi të situatës dhe preferencës së tij, edhe mund ta bësh një zbardhje dhëmbësh. Megjithatë, mjeku duhet të jetë shumë i qartë tek pacienti dhe t’i shpjegojë që zbardhja e dhëmbëve nuk është definitive dhe një procedurë realisht e shëndetshme për smaltin e dhëmbëve dhe shëndetin e gojës në tërësi.
Më tej, duke vlerësuar dhe gjendjen e dhëmbëve, kariesin, dhëmbët e prishur, në qoftë se pacienti ka kryer mbushje, sidomos në 8 dhëmbët e parë, si dhe nëse ka këllëfë apo mbushje të cilat janë të dukshme në pjesën ballore, atëherë i shpjegohet që në momentin që t’i bën zbardhje, dhëmbi i mbushur apo me këllëf, do të krijojë kontrast me dhëmbët e tjerë dhe ndoshta do të lindi nevoja ta ndryshosh atë për të patur një gojë uniforme.
Gjithashtu, shumë e rëndësishme është t’i shpjegohet që para përdorimit të zbardhimit ka disa njolla që mund të jenë si rrjedhojë e malformimeve të smaltit, për shembull kur personi ka marrë shumë tetraciklinë në moshë pediatrike, nga ndryshimet hormonale apo nga një nerv i hequr, dhe në këtë rast zbardhja do të jetë shumë e vështirë. Në dhëmbët me nerv të hequr, për shembull, duhen bërë disa seanca zbardhimi dhe ndoshta ky zbardhim do të ketë një efekt shumë të përkohshëm. Kështu që është shumë e rëndësishme dhe duhet vlerësuar mirë në momentin që merr përsipër të bësh këto lloj ndërhyrjesh që pacienti të marri rezultatin që pret për një buzëqeshje uniforme.
Cilët janë efektet negative dhe çfarë duhet të ketë kujdes pacienti?
Në momentin që bëhet zbardhimi, pacientit i shfaqet një hipersensibilitet i dhëmbëve, por që mund të kalojë duke përdorur solucione me fluor në nivele të larta. Pas procedurës së zbardhimit, pacienti duhet të jetë shumë i kujdesshëm me ushqimet. Ushqimet me ngjyrues, siç është kafeja, vera, salcërat e ndryshme, frutat me ngjyra si luleshtrydhet, qershia, panxhari apo edhe karotat, është mirë që të mos i përdorin fare. Në këtë fazë, pas zbardhimit poret e smaltit janë shumë të hapura dhe mundësia që t’i përthithin këto lloj ngjyrash është shumë më e madhe, gjë e cila mund të na çojë në një ndryshim të ngjyrës në drejtim të papëlqyeshëm për pacientin.
Sa kohë zgjat efekti zbardhues? A është ai definitiv?
Procesi i zbardhimit nuk është proces definitiv, kjo duhet theksuar dhe është shumë e rëndësishme. Procesi i zbardhimit është një proces i rikthyeshëm, që do të thotë se pas një viti ose më shumë se një viti, në varësi dhe se sa i kujdesshëm është pacienti për higjienën e gojës, do të kthehet sërish tek ngjyra që kishte në fillim. Pra nuk është proces definitiv.
Kush kundër-ndërlikohet për të bërë zbardhjen e dhëmbëve?
Mosha më pak e dëmshme për të bërë/ përdorur zbardhimin e dhëmbëve është ajo mbi 50 vjeç. Kjo për shkak se pas kësaj moshe nervi është më shumë i tërhequr në brendësi dhe procesi i zbardhimit më pak i dëmshëm për smaltin. Pra pacienti nuk ka shumë hipersiensibilitet. Për sa i përket kundër ndërlikimeve, nuk është parë që zbardhuesit të kenë efekte anësore (përveç ndikimit në dhëmb) po që peroksidi të japi ndonjë alergji.
A e këshilloni tek të rinjtë?
Për të rinjtë ne nuk e këshillojmë zbardhimin profesional, për arsye të cilat i përmendëm më lart, por dhe sepse veç sensibiliteti dhe efektit të përkohshëm, mund të ndodhë dhe dëmtimi i nervit. Gjithashtu, duhet pranuar që ndryshimi i ngjyrës nga fillimi dhe pas zbardhimit nuk përgjithësi nuk është shumë i madh tek këta mosha, pra nuk ndihet diferenca.
Këshilla?
Para se pacienti të futet në procesin e zbardhimit, dhëmbët duhen parë/ ndjekur me radiografi, duhen parë sëmundjet e gojës, mukozave, gingivave, të faqeve, palatumit dhe gjendja e gojës në përgjithësi. Pas ndërhyrjes, pacienti nuk duhet të përdori për një periudhë të konsiderueshme disa ditore, kafen, verën, çokollatën, cigaren, gjithçka ngjyruese sepse e thamë dhe më lart, jep një rikthim, një ngjyrë të caktuar të dhëmbit që është e pa pëlqyeshme nga pacienti./ Shendeti.com.al


