Kryefaqja Femijet Meny javor për fëmijë 1-3 vjeç

Meny javor për fëmijë 1-3 vjeç

0
Shpërndaje

Blerina Bombaj, dietologe

Mosha 1-3 vjeç, mosha ideale për të formuar shije të shëndetshme

Ushqimi pas vitit të parë

Pas vitit të parë, qumështi i lopës me yndyrë të reduktuar, fillon të bëhet burimi kryesor i lëndëve ushqyese; 2-3 gota në total në ditë e përmbush këtë rol. Konsumi më i madh se kaq i qumështit të lopës nuk këshillohet sepse mund të shkaktojë anemi dhe të spostojë marrjen e lëndëve të tjera ushqyese. Kurajohet praktika e pothuaj të njëjtave ushqime me të rriturit, me disa specifika dhe përjashtime.

Parimet shkencore mbi te cilët është hartuar ushqimi ditor
  • Në menytë e moshave 1-3 dhe 4-6, vendosja e ushqimeve ndjek parimin e servirjes së ushqimeve të dukshme, me copëza të vogla dhe të ndara nga njëri -tjetri, në mënyrë që fëmija të dallojë shijet dhe të zgjedhë atë qe i pëlqen. Fëmijët pëlqejnë shije të pastra dhe të thjeshta, pa komplikime dhe përzierje.
  • Konsumi i vezës është vendosur në 4 ditë të javës, duke pasur parasysh përbërjen e saj në elemente ushqyes si kolina, vitamina D dhe luteina-zeaksanthina, të cilët janë të pazëvendësueshëm për një fëmijë. Përbërja e pjesës tjetër të ushqimit, është mjaft e kufizuar ne kolesterol, kështu që konsumi i shpeshtë i vezës nuk përbën shqetësim, pasia sasia totale në ditë nuk i kalon 230mg – me rekomandimin në total <300mg/dite. Për më tepër, fëmijët kanë nevojë për më shumë kolesterol përkatësisht për peshën e tyre, krahasuar me të rriturit.
  • Gjate dy viteve të parë të jetës, ushqimi nuk duhet të jetë tepër i varfër ose tepër i pasur në yndyrë, për këtë kemi zgjedhur produkte bulmeti me 2% yndyrë. Ndërsa përqindja totale e yndyrave është midis 30-40% te kalorive ditore. Konsumi me i ulët i yndyrave në total, mund të rrezikoje marrjen e mjaftueshme dhe përthithjen e disa vitaminave dhe mineraleve.
  • Vaji i ullirit është yndyra kryesore e ushqimit ditor të fëmijëve, në mënyrë që të përftojnë acidet lyrore esenciale te tij, polifenolet dhe antioksiduesit që forcojnë imunitetin e fëmijëve dhe paraprijnë për një shëndet kardiovaskular më të mirë, krahasuar me konsumin e yndyrave të ngurta si gjalpi. Zëvendësimi i gjalpit me vaj ulliri, është vendosur për të kufizuar marrjen e yndyrave të ngurta dhe te kolesterolit që ai përmban*, duke i dhëne hapësirë konsumit më të shpeshte të vezës. Studimet tregojnë se konsumi i vajit të ullirit nga fëmijët, mund të përbëjë një mjet parandalues për shfaqjen e obezitetit.1 Mbi te gjitha, përbën një mënyrë edukuese për zgjedhjet e fëmijëve edhe në moshë më të rritur.
  • Sheqeri i shtuar nuk kalon 10%te kalorive ditore, pasi një konsum më i lartë mund të komprometojë marrjen e lëndëve të tjera ushqyese.
  • Në rajonin e Evropës, mungesa e vitaminës A është më e përhapur, për këtë arsye i është dhënë rëndësi e veçantë marrjes së saj nga ushqime si karota dhe pjepri (kur ky i fundit është në stinë).
  • Në menu përfshihen shpesh agrumet, për të siguruar marrjen e mjaftueshme të vitaminës C dhe acidit folik, elemente ushqyes me rol të veçantë në rritje, në përthithjen e hekurit (vitamina C) dhe në formimin e rruazave të kuqe (acidi folik).
  • Mungesa e hekurit te foshnjat, është mjaft e përhapur dhe rezulton në pasoja serioze për shëndetin. Parandalimi i anemisë si pasojë e mungesës se hekurit ka qenë një prioritet në hartimin e vakteve. Kjo është arsyeja e përdorimit të përditshëm të mishit të kuq dhe të mishit të pulës, të alternuara me legume ose fasule. Prania e një sasie sado të vogël e mishit në një vakt, favorizon përthithjen e hekurit që përmbahet edhe në ushqimet e tjera bimore si p.sh., spinaqi, patatet, bizelet etj., “ne saje te faktorit te mishit”.
  • Në meny është vendosur buka e thekrës, pasi bima e thekrës nuk është e ndotur nga pesticidet sikurse ajo e grurit, dhe përmban dyfishin e fibrave të kësaj të fundit.
  • Vendosja e tërshërës është menduar për të ofruar fibra dhe beta-glukane- elemente që gjenden vetëm te tërshëra dhe elbi, dhe qe forcojnë florën bakteriale, e si rrjedhojë ndihmojnë në uljen e rrezikut te alergjive, sëmundjeve autoimunitare dhe sëmundjeve inflamatore të aparatit tretës.
Ushqimi javor
E hënë
  • Mëngjes: 240ml qumësht të skremuar; 1 fetë (30gr) buke thekre; 1 vezë të zier me vaj ulliri, 15gr gjizë pa kripë dhe pak rigon; 1 frut të stinës (120gr).
  • Drekë – Sallatë e ngrohtë me karota të ziera të prera në kubikë, spinaq të zier,  patate të ziera me lëng mishi (në kubike të vegjël ose të shtypur), me pak limon dhe vaj ulliri; Pjatë kryesore: 50gr mish vici me 30gr bizele, pak karotë, majdanoz, pak qepë, vaj ulliri, 1/5 hudhër; 20gr bukë thekre
  • Zemër: 180ml kos; 30gr bukë thekre; 1 banane
E martë
  • Mëngjes: 100ml kos me banane dhe tërshërë të zbutur; 1 vezë vaj ulliri dhe pak rigon
  • Drekë – Pjatë e parë: speca të kuq të pjekur me pak hudhër, vaj ulliri – të bluar në formë pureje. Pjatë kryesore: fasule të bardha të gatuara me karotë, selino, pak qepë, pak salcë domate dhe vaj ulliri.
  • Zemër: 30gr gruri integrale të lyer me gjizë të njomë; tarator me 100ml kos, vaj ulliri, kopër dhe pak kastravec* të grirë imët sa për aromë; 1 portokall ose 120ml lëng portokalli të shtrydhur.
E mërkurë
  • Mëngjes: (20gr) trahana me 15gr djathë të bardhë, vaj ulliri dhe bukë thekre; 2 mandarina
  • Drekë – Pjatë e parë: Pure lulelakre me 40gr patate, lulelakër, pak hudhër, qumësht
  • Pjatë kryesore: Supë pule me oriz, selino, karotë, majdanoz, vezë, vaj ulliri.
  • Zemër: 1 gote qumësht (240ml); 30gr bukë thekre e pjekur me vezë: 1 frut të stinës (120gr)
E enjte
  • Mëngjes: 1 kek me vaj ulliri, vanilje dhe portokall: 1 gotë qumësht
  • Drekë – Pjatë e parë: Perime të ziera si kungull, brokoli, karotë, të servirur në copëza të vogla ose të shtypura; vaj ulliri, pak lëng limoni dhe pak majdanoz të grirë hollë për shije. Pjatë kryesore: 90gr patate pure me qumësht, vaj ulliri, 20gr djathë të bardhë.
  • Zemër: 1 vezë të zier, kos me pak reçel kumbulle dhe tërshërë të zbutur.
E premte
  • Mëngjes: 120ml qumësht me pak tërshërë te zbutur dhe te ëmbëlsuar me mollë të shtypur dhe banane të shtypur.
  • Drekë – Pjatë e parë: kungull, karotë, të shtypur ose pure, me vaj ulliri dhe djathë të bardhë ose gjizë. Pjatë kryesore: makarona të vogla me 30gr mish të grirë, domate të freskët në verë ose salcë në dimër, 15gr djathë kaçkavall, dhe pak karota, vaj ulliri.
  • Zemër: Syltjash me qumësht, oriz, pak sheqer, pak kanellë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here