Neurologia Mira Rakacolli flet për “Shëndet+” lidhur me shkaktarët e shpërthimit të migrenës dhe mënyrës se si duhet trajtuar sëmundja nga e cila njerëzit preken që në adoleshencë e deri kur plaken
Aishe Thartori
Migrena njihet ndryshe në përditshmëri si dhimbja e kokës dhe prek rreth 15% të popullsisë . Sipas mjekëve specialistë, më të riskuara prej saj janë femrat në raportin 3 me 1. Por nuk mbaron me kaq, sepse migrena prek gjithashtu edhe fëmijët. Disa nga faktorët që favorizojnë shfaqjen e migrenës janë pa dyshim regjimi jo i rregullt, kequshqyerja, lodhja fizike, pijet alkoolike, çokollatat me bajame e lajthi, gjendjet e stresit, ndryshimet e temperaturave apo presionet e ndryshme. Mjekët apelojnë jo vetëm për një regjim më të kujdesur, por edhe për t’u drejtuar menjëherë tek mjeku specialist në rast se individët vuajnë nga dhimbje të herëpashershme të kokës.
Ajo çka mjekët nuk e këshillojnë absolutisht, është vetëkurimi apo përdorimi i antibiotikëve pa këshillimin e mjekut. Në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet+”, mjekja neurologe në QSUT prof. Mira Rakacolli shpjegon se çfarë është migrena, si dhe këshillat që duhet të kemi parasysh në rast se jemi të prekur prej saj.
Doktoreshë, çfarë është migrena?
Migrena është dhimbje e kokës e cila mund të jetë pjesë e ndonjë sëmundjeje të sistemit nervor ose të një sistemi tjetër të organizmit, por mund të jetë edhe sëmundje në vetvete. Në fakt, dhimbja e kokës është ankesa më e shpeshtë me të cilën jo vetëm unë, por edhe mjekët e tjerë në përgjithësi, ndeshen gjatë përditshmërisë së tyre në punë.
Çfarë karakteristikash ka migrena?
Migrena ka këto karakteristika kryesore: dhimbje që përhapet rreth syrit dhe në gjysmën e kokës, ka karakter rrahës, shoqërohet me bezdi ndaj zhurmës e ndaj dritës, e shumë shpesh shoqërohet me të përziera dhe te vjella. Pa përdorim mjekimi zgjat nga 4 deri në 72 orë. Ka disa forma të migrenës, por më të shpeshtat janë dy: ajo që ne mjekët e quajmë migrena me aura dhe migrena pa aura (migrena e zakonshme).
Çfarë është aura?
Aura janë disa shenja që pacienti migrenoz i përjeton gjithmonë para krizës. Zakonisht janë fenomene që lidhen me ndryshime të pamjes, si p.sh, errësim i pjesshëm ose i plotë i saj, njolla të ndritshme ose të errëta para syve, shkëndija, deformime objektesh etj. Këto ndjesi zgjasin jo më shumë se një orë dhe menjëherë me zhdukjen e tyre fillon dhimbja e kokës.
Po atëherë, ku konsiston qëllimi i mjekimit?
Mjekimi konsiston në dy qëllime kryesore që janë: mjekimi i krizës dhe parandalimi i saj. Për mjekimin e krizës përdoren qetësuesit e ndryshëm që prej atyre më të thjeshtëve, si paracetamoli apo aspirina, deri tek ata më specifikët, si preparatet e ergotaminës apo të një grupi më specifik që ne mjekët i quajmë triptanë. Ajo që doja të theksoja në këtë pikë, është që fakti që përdoren medikamente të ndryshme nuk është se dikush është më mirë apo më keq, por fakti që dikush ka specifikën e vet. Dy vëllezër mund të jenë me migrenë e dikush mund të qetësohet nga një medikament e dikush nga tjetri. Prandaj marrja e medikamenteve merret vetëm me këshillën e mjekut specialist që ju ndihmon të identifikoni medikamentin më efikas për ju.
Fatkeqësisht, në praktikë ne shpesh gjendemi para faktit që pacientët i marin medikamentet vetë, pa këshillën e personave të aftë për ta bërë këtë gjë. Një tjetër gjë e rëndësishme në trajtimin e krizës për mua mbetet edhe marja e medikamentit qetësues që në fillim të krizës. Kur kriza është bërë e plotë, është pothuajse e pamundur të qetësohet në kushte shtëpie. Kjo do të thotë që medikamentin qetësues pacienti duhet ta ketë gjithmonë me vete. Përsa i takon parandalimit të krizës, është mirë që pacienti të identifikojë faktorët shpërthyes e të mundohet t’i evitojë ata kur është e mundur.
Po në rastet kur krizat janë më të shpeshta se “norma”?
Kur pacienti përjeton më shumë se dy ose tre kriza në muaj atëherë ai duhet t’i nënshtrohet mjekimit të përditshëm disamujor. Ky mjekim është mirë të përzgjidhet nga mjeku neurolog e të ndiqet nga mjeku i familjes.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 16 shkurtit 2014 të gazetës “Shëndet+”)


