Lida Shosha, mjeke në Spitalin e Traumës
Në këtë tranzicion të tejzgjatur, sektori që vuajti më shumë mungesat në infrastrukturë, kushte pune, politika e strategji zhvillimi, edukimi cilësor e vlerësim financiar ishte shëndetësia. Dhe jo vetëm.
Të gjitha destabilitetet politike që precipitonin me dhunë ekstreme apo “shpërthime fatkeqe depo municionesh”, protesta me të lënduar e të plagosur, ndër vite e deri në ditët e sotme, iu plasën në kurriz mjekëve, që vendosen të ulnin kokën e të punonin natë e ditë dhe të ndihmonin popullatën ndonëse në kushtet e mungesave çnjerëzore, në kushtet e dhunës ekstreme nga njerëz të rrezikshëm që kërcënonin pas dere, që ofendonin, shanin pa pushim e dhunonin ata që përpiqeshin, thuaj se ne ishim fajtorët e mungesave në sistem, fajtorë që spitali nuk kishte skaner, laboratorë të hajrit, ngrohje e ftohje, ilaçe e çarçafë.
Por jo vetëm. Duhen edhe mjekë profesionistë pa investuar asgjë në këtë pikë. Edhe një pjesë e mirë e mjekëve e zgjidhën këtë hendek, vendosën ta perfeksiononin veten duke shkuar në trajnime, seminare, konferenca, kongrese, duke lexuar dhe gërmuar për gjithçka dhe u ngritën në nivele performance të krahasueshme me kolegë në botë. Janë aktivë, pjesëmarrës me referime, publikime, anëtarë panelesh prestigjioze.
Mjekët sot e kanë lënë pas këtë sistem të dobët e të varfër që ofron minimumin, mjekët janë shumë më shumë seç mund t’i ofrojnë spitalet e varfra publike dhe kjo se investuan me të ardhurat e tyre, që ia hoqën familjes, fëmijëve për veten.
Kjo ka sjellë një disnivel të thellë performancë mjeku – kushte pune. Ne jemi shumë më të mirë dhe nëse përmirësohen kushtet infrastrukturore, diagnostikuese, terapeutike, vetëm atëherë do të shohim rritje të performancës cilësore ndaj pacientit. Kjo ndërhyrje arbitrare në një cikël trajnimi akademik të rregulluar me ligje është fyese, denigruese, antimorale, abuzuese, antiligjore. Dhe sistemi do të humbasë dhe ata pak specialistë të zotë që i kanë mbetur.
Sigurisht, fajin ku është sistemi sot nuk mund t’ia përplasni mjekëve në surrat! Kërkojeni në politikat tuaja të dështuara ndër vite.
Mjekët nuk kanë faj. Apo ndoshta kanë?! Është faji i tyre që mbajtën paçavuret e keqdrejtimit dhe keqpolitikëbërjes në vite, punuan në kushte mjerane dhe nuk u dorëzuan, nuk e ngritën zërin, nuk bojkotuan. Sepse mjekët – në ndryshim nga ju politikanë që ziheni paturpësisht e bojkotoni sa herë që ju prishen interesat – kanë bërë pakt me shpirtin e tyre t’u shërbejnë njerëzve me gjithçka kanë në dispozicion. Ky është faji i tyre! Por nëse mendoni se keni të drejta, kur nuk keni kontribute, gaboni, dhe rëndë madje. Këtu ne nuk do ulim kokën, këtu ne do ngremë kokën lart, dhe do ju themi fort “Tërhiquni dhe reflektoni, punoni dhe pastaj kërkoni!”



