Mjeku duhet të jetë i gatshëm t’i shpjegojë në mënyrë të detajuar pacientit të tij sëmundjen prej së cilës ai gjendet aty, si dhe etapat e ndryshme të çdo ekzaminimi që i bëhet pacientit
Llesh Rroku, mjek kardiolog në QSUT
Gjatë një përvoje shumëvjeçare si mjek kardiolog, gjatë punës së përditshme më ka dalë si nevojë primare dhe si domosdoshmëri të funksionuarit mirë të tre hallkave kryesore të shërbimit shëndetësor, përkatësisht raportit mjek – pacient – familjar. Sa më mirë të funksionojnë këto hallka, aq më i mirë dhe më i shpejtë do të jetë shërbimi pranë qendrave shëndetësore. E gjitha kjo në fakt është në të mirë të sëmurit dhe të gjithë shoqërisë, sepse i sëmuri qëndron më pak në spital dhe riaftësohet më shpejt.
Përfitimi nga funksionimi në mënyrë korrekte i këtyre tre hallkave është në të mirë jo vetëm të raportit pacient-mjek, por është në të mirë edhe të familjarëve të pacientit. Kështu pjesëtarët e familjes do të jenë të informuar dhe ndërgjegjësuar rreth gjendjes shëndetësore të të afërmit të tyre.
Mjeku duhet të jetë transparent me të dyja “palët”. Ai duhet të jetë i gatshëm t’i shpjegojë në mënyrë të detajuar pacientit të tij sëmundjen prej së cilës ai gjendet aty, si dhe etapat e ndryshme të çdo ekzaminimi që i bëhet pacientit.
Për ekzaminime të rëndësishme që kemi në kardiologji, ne kemi krijuar dhe fletën e konsensusit, ku i sëmuri informohet me hollësi rreth sëmundjes, ekzaminimeve, përfitimit dhe riskut. Dihet që në mjekësi asgjë nuk është 100 % e sigurt, pasi mjekësia nuk është një shkencë ekzakte. Fletët e konsensusit janë krijuar për koronarografitë dhe goditjen elektrike. Këto fletë konsensusi i dorëzohen pacientit dhe firmosen si nga ky i fundit, po ashtu edhe nga mjeku.
Pacienti duhet t’i dijë mirë përfitimet dhe rreziqet e tyre dhe duhet të firmosë vetë, dhe jo familjari, për vetë arsyen që procedura realizohet në trupin e tij.
Mjeku duhet të jetë korrekt dhe transparent me të sëmurin dhe sëmundjen që ai mbart. Me përkushtueshmëri duhet t’i shpjegojë të sëmurit imtësisht nga se vuan dhe vetë pacienti është i lirë ta pyesë mjekun për çdo paqartësi, rreth shkakut, mjekimit, profilaksisë, dietës apo riaftësimit të tij.
Në praktikën e përditshme shpeshherë ndeshemi me të sëmurë ku kontakti i familjarëve me mjekët që e asistojnë nga afër të afërmin e tyre për ta pyetur rreth tij është i vakët. Ata në fakt duhet të jenë më të interesuar për gravitetin e sëmundjes dhe ecurinë e saj.
Në kushtet tona, me këtë psikologji që kemi, kur pacienti vuan nga një sëmundje e rëndë gati e parikuperueshme, mjeku duhet të komunikojë më familjarin për t’i thënë çdo etapë të sëmundjes, gjithmonë nën kuadrin e asaj sa mund t’i thuhet. E rëndësishme në këtë pjesë është optimizmi që ne si staf mjekësor duhet të reflektojmë tek pacientët.
Lidhur me këtë fakt, në shumë vende të botës perëndimore, pacientit i komunikohen edhe sëmundje të tilla të parikuperueshme, siç mund të jetë kanceri. Por unë jam i mendimit që mjeku kurues së bashku me psikologen e shërbimit duhet të punojnë çdo ditë me pacientët duke bërë psikoterapi dhe duke iu dhënë kurajë për të mposhtur sëmundjen. Madje shpeshherë optimizmi është dhe çelësi i suksesit në përballimin e sëmundjeve të tilla.
I sëmuri pasi del nga spitali duhet të jetë i pajisur me fletë-dalje. Në këtë fletë-dalje është i përmbledhur i gjithë historiku dhe vijueshmëria e sëmundjes së tij së bashku me procedurat e ndërmarra në spital. Në këtë fletë-dalje një rubrikë të veçantë zënë dhe rekomandimet që mjeku kurues jep për të sëmurin.
Ai e rekomandon rreth dietës që duhet të ndjekë pacienti, rreth mjekimit, aftësimit apo ndjekjes ambulatore. Kjo fletë është shumë e rëndësishme për pacientin dhe për mjekun e familjes dhe të dyja palët duhet të pajisen një kopje të këtij dokumenti.
Ndodh që të sëmurët të mos jenë të kujdesshëm apo neglizhues, duke mos i mbajtur me vete apo mos i dorëzuar tek mjeku që do ta ndjekë. E gjitha kjo e vështirëson situatën pasi krijon vështirësi si për vizitën paraardhëse, ashtu edhe për atë pasardhëse. Ky dokumentacion që fillon me kartelën dhe fletë-daljen e të sëmurit, duhet të jetë i plotësuar qartë, i kuptueshëm dhe i plotë, sepse është e rëndësishme si nga ana shkencore, por edhe ajo juridike.
Me këtë shkrim timin dua t’i përcjell një mesazh në dukje të thjeshtë por mjaft të rëndësishëm jo vetëm atyre që janë pacientë, por edhe atyre që kanë një të afërmin e tyre të shtruar në ambientet shëndetësore.
Pacientët duhet të tregohen kërkues ndaj mjekëve dhe vetvetes së tyre për hir të ecurisë së mirë të sëmundjeve të tyre. Pacientët duhet të njohin mirë kartën e pacientit nga e cila rrjedhin detyrat dhe detyrimet. Kjo kartë është e afishuar nëpër korridoret e çdo ambienti spitalor.
Sa më mirë të njihet karta prej tyre, aq më transparente dhe e gjatë do të jetë lidhja mjek – pacient – familje. Nëse njëra prej këtyre hallkave bie, atëherë balanca e vendosur midis tyre rrëzohet.
