Kryefaqja Aktualitet Mungesa e shtretërve në kopshte, prindërit “nënshkruajnë” marrëveshje: “Kush nuk punon, e...

Mungesa e shtretërve në kopshte, prindërit “nënshkruajnë” marrëveshje: “Kush nuk punon, e merr fëmijën në drekë!”

1
Shpërndaje

 

Elona Tereziu

Edhe pse një pjesë e mirë e kopshteve të Tiranës i janë nënshtruar rikonstruksionit të plotë apo të pjesshëm, ndërhyrja në shumë prej tyre duket se ka qenë thjesht fasadë.

Përtej ngjyrosjes së mureve, ndodh që pjesa më e madhe e kopshteve të Tiranës kanë probleme me kapacitetin, ndërkohë që në një pjesë të mirë mungon edhe mobilimi.

I tillë është kopshti nr. 56 në zonën e ish-poligrafikut, rikonstruktuar pjesërisht nga nisma “Adopto një kopsht” në vitin 2016.

Sipas vëzhgimeve të kryera, veç mungesës së psikologut dhe një konflikti pronësie (në proces gjyqësor tashmë­), në këtë kopsht ka probleme edhe me mungesën e shtretërve, çka i detyron shumë prindër t’i marrin fëmijët në drekë, ndonëse është kopsht me fjetje.

Aktualisht kopshti nr. 56 ka të regjistruar rreth 160 fëmijë (5 grupe) frekuentim ditor 120-130, dhe vetëm 80 shtretër. E megjithatë, sipas drejtueses së këtij institucioni, kjo gjë është zgjidhur përmes një marrëveshje gojore që kanë bërë me prindërit.

“Jemi munduar ta rregullojmë këtë çështje mes prindërish. Ata prindër të cilët nuk punojnë ose kanë gjyshërit në shtëpi i kemi kërkuar që ta marrin fëmijën në drekë, pjesa tjetër pastaj qëndron edhe për fjetje. Nuk është se nuk kemi gjetur mirëkuptim, pasi një pjesë e  mirë e fëmijëve tanë të pakën njërin prind e kanë në shtëpi”.

E pyetur nëse kanë bërë ndonjë kërkesë për ta zgjidhur këtë problem shprehet: “Kështu ka funksionuar ndër vite këtu. Edhe sikur të sjellin shtretër të tjerë, nuk ke ku i vë, vetëm po të sjellin marinar, por përsëri nuk mund të vësh 40 fëmijë në një dhomë. Nga fluksi i madh që kishim, dhomën e psikologut e kthyem e bëmë zyrë dhe zyrën time dhomë fëmijësh.”

E megjithatë problemi shkon përtej kësaj. Në njësinë administrative nr. 1, ku bën pjesë edhe kopshti 56, janë edhe  dy kopshte të tjera, përkatësisht kopshti Shkozë Ylber dhe kopshti Shkozë pranë banesave sociale. E problemi nis pikërisht nga ky i fundit, duke qenë se është kopsht pa drekë, (edhe pse sipas drejtuesve ka mbi 4 vite që diskutohet një çështje e tillë), shumë prindër të kësaj zone preferojnë t’i regjistrojnë tek kopshti nr. 56.

Vetë prindërit shprehen të shqetësuar, duke deklaruar se nuk kanë zgjidhje tjetër.

R.Cerina:  Kam djalin të regjistruar këtu, por vij e marr në drekë.  E marr sepse nuk ka ku të flejë. Me drejtoreshën kam folur disa herë, por përgjigjja që marrim gjithmonë është se, sapo të lirohet ndonjë vend, do t’ju them.

D.Tabaku: E sjell vajzën në 8 dhe e marr në 12. Kur e regjistrova në fillim, më thanë që nuk ka më vende, por nuk kisha ku ta çoja tjetër. Është shumë problem, sepse prindërit janë në punë. E kam çuar tek prindërit e burrit herë pas here, por kjo nuk është zgjidhje.

V.Laçi: Doja ta lija në kopsht, por më thanë nuk ka krevat. Megjithatë, për momentin nuk më krijon problem, pasi jam në shtëpi.

L.Merdani: Unë e marr pasdite, por e di që ekziston ky problem. Aktualisht për shembull po dezinfektohet kopshti dhe do t’i mbajmë fëmijët 1 javë në shtëpi. Nuk mund të them se nuk na kanë lajmëruar, por ç’më duhet mua lajmërimi, kur kjo bëhet në kohë të papërshtatshme. Prindi detyrohet ose të lërë punën, ose fëmijën në rrugë.

“Ky botim u realizua me mbështetjen e LëvizAlbania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e LëvizAlbania”./ Shendeti.com.al

1 Koment

  1. Pershendetje! Une kam filluar te mos e dergoj fare djalin ne kopeshtin 56, sepse pervec te gjitha diskutimeve te lartpermendura te gjitha te verteta, jam shume e pakenaqur me cilesine e edukatoreve, vecanerisht Zamires, qe mendoj duhet te hiqet sepse nuk ka aftesi te edukoje femijet. Pa takt e ndonjehere e dhunshme, ajo I ben femijet te mos kene deshire te shkojne ne kopesht. E konstatoj kete pasi aty kam derguar femijen e dyte e historite perseriten. Une pothuaj mbarova pune me kopeshtet se femijet kalojne ne nivel tjeter arsimor por e shpreh kete per t’ju ardhur ne ndihme brezave qe do vijne. Duhet ulur gjithashtu numeri I femijeve per grupe sepse 40 femije eshte shume per ambjentet ne dispozicion.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here