Dr. Shk. Dashamir Gjergji, endokrinolog
Jemi në fillim të dimrit dhe bashkë me qiellin gri vijnë edhe temperaturat e ulëta. Sezoni i dimrit shoqërohet me sëmundshmëri të shumta, kryesisht infektive si virozat. Që të përballet mirë me këtë sezon, organizmi ynë duhet të ketë mjaftueshëm nivel energjie dhe imuniteti. Një nga elementët kyç që mban në tonus dhe efektiv organizmin tonë është prezenca e vitaminës D, apo vitaminës së diellit siç njihet ndryshe. Quhet vitaminë e diellit sepse krijohet prej tij dhe kush ka marrë rreze të mjaftueshme dielli në verë do ta ketë më të lehtë përballimin e sezonit të dimrit në të gjithë aspektet. Pra është koha e duhur për të kontrolluar nivelin e kësaj vitamine në mënyrë që te njerëzit që nuk kanë bërë banjo dielli gjatë vitit, në grupe të caktuara shoqërore me risk të lartë për defiçencë të kësaj vitamine, duhen marrë patjetër suplemente me përmbajtje të kësaj vitamine.
Vitamina D është një nga vitaminat më të rëndësishme për mirëfunksionimin e trupit të çdo njeriu. Shumica e vitaminës D merret nëpërmjet rrezeve të diellit dhe jo me ushqime. Që të marrim mjaftueshëm vitaminë D, duhet të shpenzojmë disa minuta ose orë jashtë në natyrë, sidomos në verë duhet patjetër të bëjmë banjo dielli. Vitamina D konsiderohet vitaminë unike sepse është e vetmja vitaminë e cila sekretohet ose prodhohet nga lëkura nën efektin ndaj rrezeve të diellit. Është unike sepse ne nuk mund ta prodhojmë dot në trupin tonë pa kontakt diellor. Shumë pak ushqime përmbajnë vitaminën D. Vitamina D më shumë sillet si hormon se sa si vitaminë. Interesant është fakti që mjafton ekspozimi i përditshëm në diell për pak minuta në sezonin e verës për të na prodhuar dhe akumuluar në trupin tonë sasinë e duhur dhe të mjaftueshme të vitaminës D për 1 vit.
Çfarë efektesh ka në trupin tonë vitamina D?
Vitamina D na siguron përthithjen e mjaftueshme të kalciumit nga zorrët, mbajtjen në normë të vlerave të kalciumit në kocka dhe në dhëmbë duke siguruar fortësinë e tyre. Ndihmon gjithashtu në mbrojtjen dhe rritjen e imunitetit, si dhe redukton rrezikun për disa lloje të tumoreve në organizëm. Në jo pak studime tregohet që mungesa e kësaj vitamine jo vetëm sjell sëmundjen e rakitizmit tek fëmijët, por është shkaktare për shumë sëmundje të rënda kronike, si për shembull skleroza multiple (e shumëfishtë), sëmundje të zemrës etj.
Si prodhohet nga lëkura jonë kjo vitaminë?
Siç e thamë më lart, ekspozimi ndaj rrezeve të diellit dhe rrezeve ultraviolet janë stimuluesit kryesorë në sintezën dhe prodhimin e vitaminës D. Sa më i madh të jetë ekspozimi, aq më shumë prodhohet. Dozat e mjaftueshme në organizëm të vitaminës D mund të realizohen edhe me ekspozime të vogla në diell i pjesëve të caktuara të duarve dhe kokës. Gjithashtu nevojitet ekspozim në muajt e verës në mënyrë që të shtojë rezervat e vitaminës D, të cilat harxhohen në dimër. Duhet bërë kujdes në ekspozimin e tepërt ndaj rrezeve, sepse mund të bëhet shkak për tumore të lëkurës, si nishanet, melanoma etj. Sa më e errët të jetë lëkura, aq më pak vitaminë D prodhohet dhe aq më shumë rritet rreziku për defiçit të saj.
Ku prodhohet më pak vitamina D?
- Tek të gjithë njerëzit që qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
- Tek të gjithë njerëzit që mbulohen në të gjithë trupin kur dalin në natyrë.
- Tek të gjithë njerëzit me lëkurë të zezë.
- Tek të gjithë njerëzit që banojnë në veri (Polin e Veriut).
- Tek të gjithë njerëzit që banojnë në ajër të ndotur.
- Tek të gjithë ata që përdorin kremra kundra diellit me faktor mbrojtës mbi 8.
Zakonisht rrobat sintetike e ulin shumë mundësinë e sekretimit të vitaminës D. Rekomandohet ekspozimi në diell nga ora 10:00 – 15:00 pasdite nga muaji prill deri në shtator jo më pak se 20 minuta, përveç moshës së tretë dhe njerëzve me lëkurë të zezë që kanë nevojë për më shumë rrezatim. Periudha nga shtatori deri në prill nuk e ka forcën e rrezatimit të mjaftueshëm për të siguruar rezerva të vitaminës D, ndaj në këtë periudhë rekomandohet marrja e suplementeve të vitaminës D. Tek personat me risk për kancerin e lëkurës duhet të përdorin kremra mbrojtës me faktor të lartë ose të mbulojnë lëkurën dhe e vetmja mundësi për marrjen e kësaj vitamine mbeten suplementet.
Sa të rrezikuar jemi ne nga mungesa e vitaminës D?
Nuk mund të jap shifra të sakta për vendin tonë, por ju them që në të shumtën e rasteve, kur e kemi analizuar këtë element, kanë rezultuar me defiçenca dhe jo rrallë herë defiçite të rënda të kësaj vitamine. Në vendet më të zhvilluara, edhe pse i ofrojnë popullatës së tyre ushqime të fortifikuara me vitaminë D, sërish niveli i defiçitit të saj haset nga 40 deri në 60% të popullatës.
Kjo vjen edhe për faktin se shumica e njerëzve gati 75% e tyre vuajnë intolerancën e qumështit apo të laktozës, që e bën të pavlefshëm marrjen e vitaminës D nga ushqime të pasuruara me prezencën e saj.
Kush mund të përdorë vitaminë D?
Vitaminën D mund ta përdorë çdo njeri, por së pari duhet vlerësuar niveli i vitaminës D te çdo subjekt që mund ta përdorë këtë vitaminë. Matjet duhen bërë gjatë gjithë trajtimit me këtë vitaminë në mënyrë që të kompensojmë si duhet defiçitet e saj dhe të mos kalojmë në mbingopje apo “helmim” të organizmit nga kjo vitaminë. Më e rëndësishme është marrja e kësaj vitamine te grupe si:
- Fëmijët dhe adoleshentët të cilët rriten shpejt kanë nevojë për doza të vitaminës D.
- Shtatzënat ose nënat që kanë fëmijët me ushqyerje me gji kanë më shumë nevojë se sa gratë e tjera, sidomos adoleshentet shtatzëna kockat e të cilave janë akoma duke u zhvilluar vetë, kanë nevojë për sasi ekstra të kësaj vitamine, për rrjedhojë dhe kalcium për fëmijët e tyre.
- Moshat e treta ,meqenëse lëkura e tyre nuk është në gjendje të prodhojë normalisht sasitë e nevojshme të Vitaminës D.
- Njerëzit që jetojnë në vende nordike ku ka pak rrezatim diellor.
- Personat që mbulojnë gjithë trupin me rroba.
- Fëmijët dhe adoleshentet që harxhojnë pak kohë duke lozur në natyrë.
- Çdo person që harxhon pak kohë jashtë shtëpisë apo zyrës, sidomos në verë.
- Personat që punojnë turnet e natës dhe që flenë gjatë ditës.
Cilat ushqime përmbajnë vitaminë D?
Vitamina D gjendet në sasi të caktuara në shumë ushqime, por në sasi të konsiderueshme gjendet te peshqit me yndyrë (salmon, sardelet). Prodhimet e tjera të detit përmbajnë sasi të mjaftueshme të vitaminës D. Vezët dhe mishi përmbajnë gjithashtu sasi të vitaminës D. Margarina dhe disa formula të tjera si ushqimet e mëngjesit të fëmijëve. Mëlçitë e merlucit përmbajnë sasi të mëdha të vitaminës D.
Çfarë ndodh nëse nuk marrim sasi të caktuara të vitaminës D?
Tek të porsalindurit dhe fëmijët ndodh rakitizmi, të rriturit mund të kenë hollim të kockave (osteoporozë) ose dobësim të tyre (osteomalaci). Gjithashtu mund të jenë të predispozuar të bëjnë tumore të gjirit dhe prostatës. Disa shkencëtarë besojnë se mungesa e vitaminës D çon në Diabet Mellitus (sheqerit) tip 1, sëmundjeve të zorrëve, sëmundje të zemrës, sëmundje të tiroides, çrregullime te riprodhimit, sklerozës multiple etj.
Cilët grupe i kanë të domosdoshme suplementet e Vitaminës D?
Çdo njeri që ka lëkurë të zezë. Shumica e tyre që mbulohen dhe nuk dalin në verë. Nënat shtatzëna dhe në gji kanë nevojë për më tepër se 400 UI vitaminë D në ditë, e cila është e mjaftueshme për fëmijët dhe vetë ato. Tek fëmijët që ushqehen me gji kanë nevojë për 300 Ui vitaminë D pas 6 muajve të parë të jetës së tyre. Suplementet e vitaminës D në veçanti nuk janë shumë të përhapura por të kombinuara me vitamina të tjera si A, B, D. Vitamina D si rregull duhet të merret 1 herë në ditë, por në raste kur është e përqendruar, mund të merret edhe një herë në javë apo në muaj. Shpesh mund të përdoret edhe me vitamina të tjera apo me suplementet e kalciumit. Tek gratë në menopauze dhe në fillimet e osteoporozës duhen marrë suplemente të mjaftueshme të vitaminës D dhe kalciumi përgjithësisht në dozat 400 – 800 ui D3 dhe 1 – 1.5 gr kalcium. Gjithsesi, ajo çka është e këshillueshme është marrja në mënyrë sa më natyrale e vitaminës D nëpërmjet rrezitjes./ Shendeti.com.al
[…] Vitamina D është shumë e rëndësishme për trupin: Mbron shëndetin e kockave duke transportuar kalciumin në qeliza, rregullon mënyrën se si trupi përdor insulinën, forcon muskujt dhe mban organin gjenital të shëndetshëm. (Lexoni: Mungesa e vitaminës D, pasojat në organizëm). […]