Bisedoi: Elona Tereziu
Një ndër problemet më shqetësuese dhe më të shpeshta që haset në periudhën e verës përsa i përket problemeve në lëkurë, janë infeksionet fungale apo mykotike. Mund të zhvillohen në zona të ndryshme të trupit të njëriut, por më prezente janë midis gishtërinjve, nën thonj, sqetull, rrëzë kofshës, flokë,etj por mund të prekin edhe religjonet genitale.
Shfaqen më tepër tek personat me një higjenë të pakët, pacientët me diabet, si dhe favorizohen nga veshjet jo të përshtatshme, si fustane, bluza apo pantallonë të ngushta e rroba sintetike, që nuk e lejojnë lëkurën të ajroset.
Ankesat më të zakonshme të këtyre pacienteve janë kruarja e fortë e lëkurës , skuqja dhe deskuamimi i saj.
Ardiana Sinani, mjeke dermatologe tregon se këto infeksione janë mjaft të zakonshme dhe 100% të trajtueshme, por në personat e sëmurë rëndë dhe me imunitet të ulët, mund të shkaktojnë patologji mjaft serioze.
Cilët janë problemet e lëkurës më të shpeshta që hasen gjatë verës?
Problemet më të shpeshta në sëmundjet e lëkurës që hasen gjatë verës janë myku i lëkurës dhe dermatitet alergjike. Infeksionet fungale të lëkurës quhen mykoza dhe shkaktohen nga disa organizma të quajtura funge. Infeksionet mykotike janë mjaft të zakonshëm dhe shumë mirë të trajtueshëm por në personat e sëmurë rëndë dhe me imunitet mjaft të ulët, mund të shkaktojnë patologji mjaft serioze.
Çfarë janë infeksionet mykotike dhe ku hasen më shpesh?
Infeksionet mykotike prekin shtresat e sipërme të lëkurës, ato mund të prekin edhe flokët dhe thonjtë. Organizmat mykotike që shkatojnë mykun jetojnë në tokë dhe në rënien në kontakt me lëkurën e infektojnë atë duke shpërthyer një infeksion mykotik. Infeksionet mykotike ngjiten edhe nga kontakti me kafshët si qen dhe mace, apo edhe nga njëriu tek njëriu.
Si shfaqet klinikisht myku në lëkurë?
Ka shumë forma të shfaqjes klinike të mykut por më i zakonshmi është myku midis gishtrinjve të këmbës dhe në regjionet genitale i quajtur ndryshe Tinea pedis dhe Tinea inguinale. Një tjetër lloj shfaqje klinike është myku i i thonjve i cili është dhe më i vështirë në mjekim dhe kërkon një kohë të gjatë trajtimi (rreth 3 muaj). Një tjetër lloj myku është ai i lokalizuar në lëkurën e kokës i cili çon edhe në rënien e flokëve në zonat ku zhvillohet.
Një nga format e tjera klinike të infeksionit mykotik është dhe ai që quhet Diaper rash apo myku i pelenave tek fëmijët e vegjël, zakonisht shfaqet pas dëmtimit të lëkurës së bebit nga diarreja që tek fëmijët e vegjël është acide dhe fillon dhe djeg lëkurën duke prishur integritetin e saj dhe duke e bërë mjaft të ndjeshme ndaj candidës, mykut që normalisht jeton si saprofit në lëkurën tonë.
Cilat janë ankesat më të shpeshta të këtyre pacienteve?
Ankesat më të shpeshta të pacienteve janë kruajtja e fortë dhe bezdisëse në zonat e lëkurës ku është myku, madje ndonjëherë edhe gjatë natës duke u bërë shkak i prishjes së gjumit, skuqja e lëkurës dhe deskuamimi i saj( rrjepja).
Kush preken më shumë nga këto patologji?
Personat që preken më shumë nga këto patologji janë ata që kanë një higjene të pakët, personat diabetik, ata që janë të detyruar të punojnë për orë të tëra me veshje e këpucë që shkaktojnë djersitjen duke krijuar një ambient të favorshëm për zhvillimin e infeksioneve mykotike.
Faktorët prirës?
Faktorë prirës për shfaqjen e mykut në lëkurë ngelet higjiena e pakët dhe veshjet jo të përshtatshme, si fustane, bluza apo pantallonë të ngushta, rroba sintetike që nuk e lejojnë lëkurën të ajroset si duhet.
Trajtimi?
Infeksionet mykotike janë pothujse 100 % të shërueshme. Sot ka një gamë mjaft të madhe medikamentesh antimykotike qofshin këto sistemike apo me pëdorim lokal (tableta, pomada të ndryshme) por që duhen përdorur gjithmonë me rekomandimin e mjekut.
Parandalimi/ këshilla?
Higjiena sa më e lartë është këshilla më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksionet mykotike./ Shendeti.com.al


