Kryefaqja Shendeti a-z DH Ndikimi i dhunës në familje tek fëmijët

Ndikimi i dhunës në familje tek fëmijët

0
Shpërndaje

Dhuna në familje është një fenomen mbarëbotëror, i cili ndikon negativisht në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social, sidomos të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë: grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Ky fenomen shkaktohet nga faktorë të ndryshëm, si: ndikimi kulturor me rrënjë të thella në traditat e vjetra patriarkale, situatat jetësore jo të shëndosha, diskriminimi gjinor, papunësia, kontrolli ndërbreznor në familje etj. Dhunë në familje konsiderohen të gjitha aktet e dhunës fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike që ndodhin brenda familjes ose njësisë shtëpiake.

Dhuna në familje përbën një shqetësim në rritje për shoqërinë shqiptare, qeverinë dhe shoqërinë civile, si dhe donatorët e huaj të cilët operojnë në vend. Studime të ndryshme nxjerrin në pah se është e vështirë të masësh nivelin dhe përhapjen e dhunës në familje, pasi ky fenomen zhvillohet brenda familjes dhe konsiderohet si çështje e brendshme familjare. Studime të ndryshme vlerësojnë se janë disa faktorë që mund të ndikojnë në raportimin e ulët të dhunës në familje, si p.sh.: turpi, frika nga ndëshkimi, normat kulturore, stereotipet që ekzistojnë për dhunën në familje etj..

Në një raport të kohëve të fundit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) evidentohet se pothuajse 9 në 10 gra konsiderojnë se dhuna ndaj grave është e zakonshme në Shqipëri, dhe se 97% e viktimave të dhunës intime brenda shtëpisë nuk e raportojnë atë tek policia.

Dhuna në familje është një nga sfidat më të mëdha në fushën e të drejtave të njeriut. Ajo mbetet një problem kryesisht i fshehur, me të cilin pak vende, komunitete ose familje përballen hapur. Dhuna në familje është një fenomen global dhe nuk është e kushtëzuar gjeografikisht, nga përkatësia etnike ose fetare. Fëmijët, si viktimat më potenciale nga dhuna në familje mund të mbrohet më mirë dhe të mbështeten në kalimin e këtyre situatave vetëm nëpërmjet denoncimit të rasteve.

Llojet e dhunës në familje

Dhuna Ekonomike është çdo akt kontrolli dhe monitorimi i sjelljes së një individi në kushtet e përdorimit të një shpërndarjeje të parave dhe kërcënimi i vazhdueshëm i burimeve ekonomike që vdesin.”

Dhuna gjinore është dhuna që drejtohet ndaj një gruaje ose një vajze pikërisht sepse ajo është grua / vajzë ose që i prek ato në mënyrë disproporcionale me gjininë tjetër.”  Dhuna me bazë gjinore përbën shkelje të së drejtës themelore për jetën, lirinë, sigurinë, dinjitetin, barazinë midis grave dhe burrave, mosdiskriminimin dhe integritetin fizik dhe mendor.

Dhuna fizike është çdo veprim i kundraligjshëm që shkakton dëmtim fizik. Dhuna fizike mund të marrë, ndër të tjera, formën e sulmeve të lehta ose serioze, privim e lirisë dhe të shkojnë deri nëvrasje. Ndëshkimi trupor është çdo lloj ndëshkimi që përdor forcën fizike dhe synon të shkaktojë dhimbje ose shqetësim te fëmija, me qëllim për të korrigjuar sjelljen e fëmijës. Ndëshkimi trupor bëhet nga prindërit, kujdestarët apo persona të tjerë përgjegjës për fëmijën. Ndëshkimi trupor përfshin: rrahjen, torturën, shkundjen, shtytjen, djegien, goditjen, pickimin, detyrimin me forcë për të kryer një veprim, si dhe çdo veprim të ngjashme me këto.

Dhuna psikologjike është çdo veprim që shkakton dëm psikologjik tek një individ. Dhuna psikologjike mund të jetë në formën e një shtrëngimi, shpifjeje, fyerjeje verbale ose ngacmimi.

Ngacmimi seksual është formë sjelljeje e padëshiruar verbale, joverbale ose fizike e natyrës seksuale, me qëllim ose efekt cënimin e dinjitetit të një personi, nëpëmjet frikësimit, presionit, dhunës, poshtërimit, fyerjes.”

Dhuna seksuale është çdo akt seksual i konsumuar, apo në përpjekje për t’u konsumuar, i padëshiruar dhe i refuzuar.

Dhuna seksuale në familje

Abuzuesit seksualë mund të gjenden në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe mund të vijnë nga çdo fushë profesionale, rracë apo fe. Pedofilët mund të jenë duke abuzuar me fëmijët e tyre apo me fëmijë të tjerë të njohur dhe të panjohur.

Abuzuesit brenda familjes mund të jenë babai, njerku, vëllai, daja, xhaxhai, kushërinjtë, gjyshërit. Abuzuesit në linjën femërore edhe pse më të paktë ekzistojnë dhe janë në po të njëjtin rreth familjar sin ë linjën mashkullore. Edhe mësuesit apo edukatorët mund të jenë abuzues seksualë me fëmijët që u janë besuar. Njerëzit të cilët abuzojnë seksualisht ndaj fëmijëve shpesh paraqiten të sjellshëm, të interesuar dhe të dashur ndaj fëmijëve. Kjo bën pjesë në ndërtimin e marrëdhënies me fëmijët, e cila i ndihmon ata të abuzojnë pa u dyshuar apo zbuluar. Abuzuesit mund të targetojnë njërën gjini ose të dyja gjinitë; mund të kenë preferencë për fëmijët e një moshe të caktuar ose mund të jenë kërcënim për të gjithë fëmijët. Pothuajse gjithmonë abuzimi fshihet nga abuzuesi. Fëmija mund të ndihet konfuz dhe mos të dijë kujt t’i tregojë apo çfarë duhet t’i tregojë. Për të mbajtur sekret abuzimin, abuzuesi mund ta kërcënojë fëmijën me jëtën e vetë, apo të familjarëve, ta vërë në siklet për atë që ka ndodhur, apo ta ‘bindë’ se kjo është formë dashurie dhe kujdesi.

 Ndikimi i dhunës në familje tek fëmijët

Sipas UNICEF, fëmijët që janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje mund të pësojnë një varg efektesh të rënda dhe afatgjata. Fëmijët që rriten në një familje të dhunshme ka më shumë të ngjarë të jenë vetë viktima të dhunës. Ata që nuk janë viktima të drejtpërdrejta kanë të njëjtat probleme sjelljeje dhe psikologjike si fëmijët që abuzohen fizikisht. Fëmijët të cilët janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje mund të kenë vështirësi në të mësuar dhe aftësi të kufizuara shoqërore. Ata shfaqin sjellje të dhunshme, të rrezikshme, delikuente, ose vuajnë nga depresioni ose ankthi i rëndë. Fëmijët në vitet më të hershme të jetës janë veçanërisht të rrezikuar: studimet tregojnë se dhuna në familje është më e përhapur në shtëpitë me fëmijë më të vegjël sesa ato me fëmijë më të rritur.

Disa studime sugjerojnë se fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës në familje ka më shumë të ngjarë të jenë viktima të dhunës, dhe të jenë edhe në të ardhmen, kur të rriten ose mund të bëhen dhunues.

Fëmijëve të cilët janë të ekspozuar ndaj dhunës në shtëpi iu mohohet e drejta për një mjedis familjar të sigurt dhe të qendrueshëm. Shumë prej tyre vuajnë në heshtje dhe nuk gjejnë mbështetje. Fëmijët e ekspozuar ndaj dhunës në familje kanë nevojë të mbështeten dhe drejtohen nga të rritur të besuar si dhe për shërbime që do t’i ndihmojnë ata të përballen me përvojat e tyre.

Fëmijët kanë nevojë për një mjedis të sigurt në shtëpi, pa dhunë dhe me prindër që i duan dhe i mbrojnë ata. Ata duhet të gëzojnë ndjesinë e rutinës dhe stabilitetit, në mënyrë që kur gjërat të shkojnë keq në botën e jashtme, shtëpia të jetë një vend qetësimi /ngushëllimi, ndihme dhe mbështetje. Dhuna në shtëpi shkel të drejtën themelore të një fëmije për t’u ndjerë i/e sigurt në botë. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet i sigurt nga dhuna dhe duhet të ndjejnë që dhe të dashurit e tyre janë gjithashtu të mbrojtur. Fëmijët kanë nevojë që dhuna të ndalet.

Për shumë fëmijë, shtëpia është larg të qenit një strehë e sigurt. Çdo vit, qindra miliona fëmijë janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje dhe kjo ka një ndikim shumë të madh në jetën e këtyre fëmijëve dhe në shpresat e tyre për të ardhmen.

Dhuna e fshehur gjeneron dhunë të vazhdueshme

Shumë gjëra mund të ndryshohen pozitivisht. Duhet të thyhet mentaliteti se dhuna në familje është një ccështje e brendshme e familjes dhe për të nuk duhet të flitet jashtë saj. Fenomeni i dhunës në familje duhet bërë një problem public dhe për të duhet folur. Mesazhi duhet të jetë se dhuna në familje është e dëmshme për të gjithë, përfshirë fëmijët që janë të ekspozuar ndaj saj dhe kjo dhunë mund dhe duhet të ndalet. Zakonet që “promovojnë” dhunën në familje dhe nuk pranojnë ndikimin e saj tek fëmijët duhet të luftohen.

Eksperienca ka treguar se edukimi i publikut funksionon në thyrjen e tabuve dhe mentaliteteve të vjetra. Politikat mbrojtëse të vendosura nga qeveria duhet të jenë në sinkron me përpjekjet e shoqërisë civile dhe aktivitëve për të ndryshuar qendrimet dhe traditat që falin dhe/ apo justifikojnë abuzimin. Për sa kohë që dhuna në shtëpi mbahet e fshehur, ajo do të vazhdojë dhe do të prodhojë viktima të cilat nesër mund të bëhen gjenerues të dhunës, duke krijuar rrethin vicioz të dhunës që nuk ndalet, por ‘trashëgohet’.

Shteti ka detyrimin që të parandalojë abuzimin ndaj fëmijëve, pra, ta të ngrejë mekanizma dhe instrumenta që e ndalojnë abuzimin ndaj fëmijëve përpara se ai të ndodhë. Në rastet ku abuzimi ndodh, shteti duhet të sigurohet që ai është trajtuar plotësisht dhe që autorët kanë marrë dënimin e duhur sipas ligjit.

*Ky artikull u zhvillua nga Together for Life në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna dhe abuzimi nëpërmjet edukimit gjithëpërfshirës”, i cili zbatohet në kuadër të skemës së granteve të vogla të projektit “Promovimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet arsimit gjithëpërfshirës dhe fuqizimit të Organizatave të Shoqërisë Civile Lokale” i financuar nga BE dhe i zbatuar nga “Shoqata Internacionale për Solidaritetin në partneritet me Fondacionin AVSI dhe shoqatën Gruaja në Zhvillim Shkodër.

Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Together for Life dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here