Kultura menaxhuese është pengesa e vetme në lidhje me çdo ndryshim pozitiv në një ambjent spitalor
Rudina Degjoni
“Të shkruash receta është e lehtë. Të kuptosh njerëzit është mjaft e vështirë”, shkruan Franc Kafka në librin e tij “Doktori i fshatit”, ndërsa prof. Sër Siril Çantler thekson se “Mjekësia spitalore dikur e thjeshtë, inefektive dhe relativisht e sigurt, sot është bërë tepër komplekse, më efektive, por potencialisht shumë më e rrezikshme”.
Rritja e rrezikshmërisë së saj varet nga menaxhimi i kulturës organizative spitalore, kjo është parë gjithnjë si një pjesë e domosdoshme e reformës së sistemit shëndetësor. Reformat në shërbimin shëndetësor spitalor janë të bazuara në premisat se një transformim kulturor spitalor sigurohet së bashku me ndryshimet strukturore dhe proceduriale për të ofruar përmirësime të dëshiruara në cilësi dhe performancë. Ndryshimi i kulturës menaxhuese spitalore është një element kyç i sistemit shëndetësor dhe sot sistemet shëndetësore kudo në botë janë duke u fokusuar në ripërtëritjen kulturore si një levë e mundshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Disa studime kanë sugjeruar se kultura menaxhuese spitalore lidhet me punën në grup, organizimin, kontrollin, monitorimin, vlerësimin dhe koordinimin e praktikave të vazhdueshme të përmirësimit të cilësisë në shërbim të pacientit.
Cilat janë strategjitë në dispozicion të menaxherëve të cilët dëshirojnë të rrënjosin një kulturë të përshtatshme menaxhuese spitalore? Sot, të gjithë ne duhet ta kuptojmë që nevojat e spitaleve nuk përballen duke rritur buxhetin, ato do të përballohen vetëm atëherë kur fondet e disponueshme do të shfrytëzohen në mënyrë më racionale nga një plejadë e re menaxherësh në shëndetësi. Spitalet publike në vendin tonë përballen me shumë sfida dhe vështirësi, por dy mbeten akoma probleme të rëndësishme që nuk kanë gjetur zgjidhjen e duhur: në atë të sektorit të burimeve njerëzore siç është mungesa e profesionistëve të trajnuar në menaxhim shëndetësor, mungesa e programeve të menaxhimit shëndetësor spitalor në kurrikulën e universitetit të vetëm publik të mjekësisë në vend, përveç një cikli në degën e shëndetit publik të këtij universiteti. Më duhet të theksoj se drejtuesit e spitaleve publike i kanë kryer studimet universitare para shumë vitesh kur arsimi mjekësor nuk ofronte informacionin dhe trajnimin e duhur në këtë drejtim, duke perceptuar sot si vështirësi serioze angazhimin e madh me punë klinike, studime shkencore,
mosmenaxhimin efektiv të kohës, paqartësitë për rolin dhe detyrat e drejtuesit, vështirësi në delegimin e detyrave, vështirësi në programimin afatgjatë, mungesën e njohurive ekonomike, kufizimet në drejtim të menaxhimit të buxhetit, mungesat në infrastrukturë, pajisje, materiale, medikamente etj. Sigurisht, një pjesë e këtyre vështirësive nuk lidhen direkt me drejtuesin e spitalit, pra për zgjidhjen e tyre kërkohen ndërhyrje në nivele më të larta, por disa prej këtyre sfidave lidhen direkt me nivelin e njohurive të këtyre drejtuesve. Në vendet më të zhvilluara, shërbimi spitalor si pjesë e sistemit shëndetësor është në qendër të vëmendjes lidhur me zhvillimet e menaxhimit spitalor, të organizimit, të marketingut spitalor, të teknologjisë spitalore, të shërbimeve të reja mjekësore, të studimeve shkencore etj, për vetë faktin që ky shërbim zhvillohet me ritme shumë të shpejta duke bërë imperative rifreskimin e vazhdueshëm të njohurive në praktikë nga të gjithë menaxherët dhe drejtuesit e spitaleve.
Mendoj se shërbimet spitalore publike menaxhohen kryesisht nga mjekë që nuk janë të trajnuar për menaxhim shëndetësor, por nga ana tjetër ndodh që drejtuesit e spitaleve t’i shohin pozicionet e tyre të përkohshme. Ata presin që të zëvendësohen në të njëjtën mënyrë siç u emëruan, duke u krijuar kështu një situatë e tillë ku menaxherët nuk shohin ndonjë vlerë ose të ardhme në përmirësimin e aftësive të tyre profesionale, në ndërtimin e ekipeve menaxhuese në spitale, në përmirësimin e punës por qoftë dhe në bashkëpunimin me vetë aktorë të tjerë të sistemit shëndetësor për të siguruar të dhëna, informacione që do të mundësonin krijimin e një vizioni të qartë tekniko profesional në shërbim të pacientit. Pa një strategji, ndryshimi të kulturës menaxhuese spitalore, vizioni i çdo drejtuesi do të mbetet një ëndërr në sirtar. Hartimi i një vizioni drejton dhe nxit stafin gjatë ndryshimit, por spitali ka nevojë edhe për një plan, për një autonomi spitalore që të tregojë se çfarë të bëjë, si dhe kur ta bëjë. Kulturat e suksesshme menaxhuese spitalore krijojnë vizion dhe strategji të qartë, ndërsa ato jo të suksesshme kanë vetëm plane të detajuara e buxhete që nuk janë të mjaftueshme dhe vizione jo të ‘ndjeshme’ ndaj asaj që ndodh përreth dhe që duhet t’i shërbehet.
A ka ardhur momenti të ndryshojë kultura e menaxhimit të spitaleve publike? Në sistemin tonë publik spitalor vihet re njё përqasje e centralizuar e menaxhimit, paaftёsi pёr tё pёrcaktuar pёrgjegjёsitё pёrkatёse nё sistem, ky ёshtё rezultat i kulturёs së mbartur të sistemit shëndetësor në përgjithësi. Ndryshimi i kulturës së menaxhimit shëndetësor spitalor duhet konsideruar si një oportunitet pozitiv dhe ky do të sigurojë një strukturë të re spitalore, funksionale dhe organizative për punonjësit, do të përcaktojë mënyrën sesi ata do të ofrojnë një shërbim cilësor dhe të standardizuar tek pacienti. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se kur çdo risi dekurajohet nga drejtuesit, dhe kur kultura nuk është e aftë të menaxhojë sfida të reja, atëherë është koha për të ndryshuar kulturën menaxhuese spitalore. Çdo ndryshim i forcave të paradoksit detyron çdo kënd për të rivlerësuar pozitën, etikën profesionale brenda kulturës së sistemit të ri menaxhues, vetëm në rastet kur drejtuesit dhe stafi i tyre bashkëpunëtor perceptojnë ndryshimet e reja përkundrejt çdo force ndryshuese atëherë rruga drejt së ardhmes do të jetë e ngadaltë, por me një rritje të qëndrueshme.
Çfarë prioritesh do të ketë ndryshimi i kulturës menaxhuese spitalore? Konkurrenca në rritje e
tregut spitalor privat ka nxitur kohët e fundit nevojën e ndryshimeve radikale në sistemin spitalor publik. Hapat kanë filluar të hidhen dhe këto duken ndjeshëm në procesin e riorganizimit dhe riorientimit të shërbimeve të ofruara dhe të mbuluara brenda strukturës spitalore. Gradualisht, shërbimi spitalor i sektorit publik do të krijojё më në fund besimin e popullatёs tek sektori shёndetёsor publik, dhe si pasojë e rritjes së besimit do të kemi jo vetëm rritje të numrit të pacientëve për trajtim, por dhe një qëndrueshmëri të gjithë sistemit spitalor shëndetësor. Mendoj se në vendin tonë sektori shëndetësor publik duhet të nxjerrë mësime nga konkurrenca spitalore private në lidhje me strukturën e menaxhimit të tyre funksional, sepse këta konkurrentë po “lulëzojnë dhe rriten përditë” dhe kjo falë strategjisë dhe kulturës së tyre menaxhuese spitalore. Spitalet publike mund ta shikojnë bashkëpunimin me sektorin privat spitalor jo vetëm si komplementarë të shërbimeve spitalore por dhe si udhërrëfyes në praktikë të kulturës menaxhuese spitalore. Vetëm dikush me aftësitë e një menaxheri mund ta bëjë këtë, sepse vetëm menaxherët e kuptojnë sa i rëndësishëm është sot ky ndryshim i konceptit centralist të kulturës së të menduarit dhe të vepruarit në ambjentet tona publike spitalore.
