Nipi im është vetëm 2 vjeç. Është bërë një kapriçoz i tmerrshëm. Nëse nuk ia plotëson dëshirat, fillon të qajë e të përplaset dhe nuk pushon derisa i jep çfarë po kërkon. Thonë që është kalimtare, gjithsesi shpesh sjellja më duket problematike. Çfarë mendoni se mund të jetë zgjidhja e duhur?
Përgjigjet për shendeti.com.al mjeku pediatër Polikron Çelo
Mosha në të cilën ndodhet fëmija është pikërisht ajo moshë në të cilën fillojnë kapriçot e vërteta (manipulative) për të arritur përfitime të caktuara. Kohëzgjatja lidhet në radhë të parë me edukimin dhe mjedisin ku rriten. Shumë studiues mendojnë se ndikon edhe faktori gjenteik. Ja pse dy vëllezër nga të njëjtët prindër, të rritur në të njëjtin mjedis, kanë sjellje të ndryshme. Këta fëmijë, të bindur se në një moment prindërit do të thyhen, kapriçon e shfyrtëzojnë si mjet për qëllime të caktuara. E veçanta është se për plotësimin e asaj që duan, sillen në mënyra të ndryshme: nuk e zgjatin për shembull, kur e dinë se nuk u ecën me nënën dhe shtrihen përtokë, qajnë e bërtasin përpara gjyshes ose gjyshit, të bindur se do t’ia arrijnë qëllimit.
Si duhet vepruar? Nëse nëna, babai, gjyshërit arrijnë të kuptojnë këtë të vërtetë, atëherë duhet të jenë të prerë, të vendosur dhe të drejtë në ato që duhen plotësuar dhe në ato që nuk duhen plotësuar. Kjo është thelbësore, në të kundërt, kapriçot thellohen pa fund, këta fëmijë bëhen problem dhe kthehen në “tiranë të familjes”. Ana tjetër është se mund të paraqesin probleme karakteri dhe kur të rriten.


