Përshtati në shqip për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Më shumë se 150 vende kanë nisur përdorimin e një lloji tjetër vaksine kundër poliomielitit. Specialistët e shëndetit e kanë cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për zhdukjen e poliomielitit. Gjatë vitit 2015 ka pasur vetëm 74 raste të personave paralizuar nga kjo sëmundje, ndërsa për këtë vit janë raportuar 10 raste, të gjitha në Afganistan dhe Pakistan.
Vaksina e re do të mbrojë kundër dy variacioneve të mbetura të virusit, tipit 1 e 3, dhe më nuk do të përfshijë tipin 2 të virusit të poliomielitit, i cili ishte zhdukur në vitin 1999.
Mijëra njerëz do të monitorojnë ndryshimin e vaksinës në 155 shtetet. Ndërrimi do të bëhet kryesisht në vendet në zhvillim, por gjithashtu edhe në vende më të pasura, si Rusia dhe Meksika.
Vaksina e re do të vazhdojë të jepet me pika në gojë, në mënyrë që punonjësit e shëndetësisë të mos kenë nevojë për trajnime të tjera.
Çfarë është poliomieliti?
- Poliomieliti prek zakonisht fëmijët nën moshën 5 vjeç.
- Ai është një sëmundje ngjitëse që shkaktohet nga virusi dhe prek sistemin nervor, duke shkaktuar paralizë totale në vetëm pak orë.
- Simptomat e para të kësaj sëmundjeje janë: temperaturë, lodhje, dhimbje koke, të përziera, paralizim të qafës dhe dhimbje të gjymtyrëve.
- Një në 200 të infektuar nga ky virus mund të ngelin të paralizuar. Nga të paralizuarit, 5-10% mund të vdesin duke qenë se bllokohen rrugët e frymëmarrjes.
- Aktualisht vetëm dy shtete, Afganistani dhe Pakistani, janë të prekur nga kjo sëmundje, nga 125 që kanë qenë në vitin 1988.
Burimi: BBC / https://shendeti.com.al/


