Përgatiti për “www.shendeti.com.al”: Elena Beta
“Në Indi, numri i pacientëve të sëmurë me diabet është rritur me më shumë se 30 milionë në dekadën e fundit, për shkak të mënyrës së jetesës (qëndrimi ulur dhe orari i parregullt i ushqyerjes) kryesisht tek njerëzit e grup moshës 20-40 vjet. Prandaj dhe India është shpallur si “kryeqyteti diabetik botëror“.
Edhe pse nuk ka shërim për sëmundjen e diabetit, disa ndryshime në mënyrën e jetesës dhe mënyrën e të ushqyerit, mund të ndihmojnë në menaxhimin e sëmundjes në mënyrë efektive. Konsumimi i një diete të duhur diabetike, mund t’ju ndihmojë të mbani nivele të shëndetshme të glukozës ose për të parandaluar diabetin. Këto janë disa këshilla dietetike për diabetikët:
Fokusohuni tek ushqimet e pasura me fibra të tilla si perime, fruta, arra, bishtajore (fasule, bizele dhe thjerrëzat). Këto ushqime ndihmojnë trupin dhe kontrollojnë nivelin e sheqerit në gjak. Hani fruta me më pak sheqer natyror, si papaja, guava dhe mollë, ndërsa mango, banane dhe rrush duhet të konsumohen më pak, pasi ato përmbajnë sasi më të lartë sheqeri.
Shmangni konsumimin e ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri si dhe ushqimin me niseshte.
Minimalizoni konsumimin e produkteve të qumështit, produkteve të larta në yndyrë si dhe proteinat shtazore, si mish lope, sallam dhe proshutë, të cilat përmbajnë yndyra të ngopura.
Hani vakte të vogla dhe të shpeshta në intervale të rregullta, një vakt i madh shkakton rritje të nivelit të sheqerit në trupin e njeriut.
Pacientët diabetikë duhet të ndjekin një dietë e cila është e ulët në karbohidrate, e lartë në fibra dhe përmban sasi të mjaftueshme të proteinave, vitaminave dhe mineraleve. Ata duhet të shmangin ushqime të yndyrshme dhe ëmbëlsirat, dhe duhet duhet të hanë shpesh dhe nga pak (5 vakte në ditë).
Burimi: zeenews


