Nuk e ftuan në ditëlindje se ishte me Sindromën Down, letra prekëse e nënës

Përshtati në shqip për “Shendeti.com.al”: Blertina Koka

Sawyer_Sindroma Down

Nuk ka asgjë më të dhimbshme se të ndihesh e përjashtuar, sidomos kur i ndodh fëmijës tënd. Jennifer Kiss-Engele është nëna e një 8-vjeçari me Sindromën Down. Ajo është ndier shumë keq kur djali i saj Sawyer nuk u ftua në ditëlindjen e shokut vetëm për gjendjen e tij.

Jennifer postoi një letër prekëse në llogarinë e saj në Facebook, drejtuar nënës së djalit që nuk e ftoi Sawyer në ditëlindje.

“Arsyeja e vetme përse vendosët të mos e ftonit djalin tim tek ditëlindja e fëmijës suaj është sepse ka Sindromën Down”, shkruan Jennifer në Facebook. “Më vjen keq që jeni të painformuar, ndoshta të frikësuar, ose të paqartë për atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down”.

Lexoni letrën e  plotë:

Letër dërguar prindërit që mendoi se ishte në rregull të ftonte të gjithë klasën në ditëlindjen e fëmijës, përveç djalit tim…e ndaj këtë publikisht sepse mendoj se është një mësim i vlefshëm për të gjithë, dhe po përpiqem të edukoj dhe përkrah më shumë njerëz. ❤️

Përshëndetje!

E di që ne nuk njihemi mirë, por djali im Sawyer dhe fëmija juaj janë në të njëjtën klasë. Kam marrë vesh se fëmija juaj së fundmi i ka dërguar ftesa ditëlindjeje të gjithë klasës, përveç Sawyer-it, i cili nuk ishte i ftuar. Gjithashtu kuptoj që kjo nuk ishte një çështje neglizhence nga ana juaj; përjashtimi i djalit tim ishte krejtësisht i qëllimshëm.

Dua që ta dini se ne nuk pretendojmë të ftohemi në çdo festë. Në fakt, Sawyer festoi ditëlindjen e tij vitin që shkoi, dhe ne ftuam vetëm disa miq të afërt sepse donim një festë të vogël, duke qenë se ishte pak pas festës së Krishtlindjeve. Por, në rastin tuaj, nuk ishte për të njëjtën arsye. Në fakt, ju keni ftuar të 22 fëmijët e tjerë të klasës, përveç djalit tim. E di që nuk është për shkak se im bir është i ligë, nuk mund të njihni fëmijë më të lumtur. E di që nuk është për shkak se im bir nuk ka humor, pasi ai ka një sens të mirë humori dhe një qeshje ngjitëse. E di që nuk është sepse djali im dhe fëmija juaj nuk shkojnë mirë, pasi e kam dëgjuar që ia përmend shumë shpesh emrin. E vetmja arsye që juve ju duk e arsyeshme të mos e ftonit djalit tim në ditëlindjen e fëmijës suaj, është sepse im bir ka Sindromën Down.

Më vjen keq që ju nuk jeni të informuar,  ndoshta keni frikë, ose jeni të paqartë për atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down. E di se, nëse do të dinit më shumë për Sindromën Down, nuk do ta kishit marrë këtë vendim. Nuk jam e inatosur me ju. Më shumë e shikoj si një mundësi, që ju ta njihni më mirë djalin tim.

Shiko, të kesh Sindromën Down nuk do të thotë se nuk dëshiron të kesh shokë. Nuk do të thotë se nuk ke ndjenja. Nuk do të thotë se nuk të pëlqen të shkosh nëpër festa ditëlindjeje. Njerëzit me Sindromën Down kanë të njëjtat dëshira si të gjithë të tjerët. Duan të krijojnë marrëdhënie të afërta, të ndjejnë dashuri, të japin kontributin e tyre, t’i japin jetës kuptim, dhe të shkojnë në festa ditëlindjeje. Ndonjëherë, mund të jetë e vështirë ta kuptosh tim bir. Por buzëqeshja dhe dashuria që përcjell, nuk ka nevojë për interpretim.

Dua që ta dini gjithashtu se edhe unë kam qenë si ju. Kam përjetuar frikë, turbullira dhe keqinformim për Sindromën Down, përpara se të lindja djalin tim. Isha e shqetësuar sepse mendoja se fëmijët e mi të tjerë nuk do të mund të krijonin me të një lidhje vëllazërore, si të gjithë fëmijët e tjerë. Por gabohesha. Në fakt, fëmijët e mi janë më të afërt se shumë vëllezër të tjerë. Të pasurit një vella me Sindromën Down, i ka ndihmuar të bëhen njerëz të ndjeshëm, të cilët e dinë se të jesh paksa ndryshe nga të tjerët, është normale. Nuk kanë frikë ta ndihmojnë dikë që po ka probleme. Nuk kanë frikë t’i afrohen dikujt që nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht. Si shpërblim, kanë marrë kaq shumë dashuri dhe gëzim, pasi vëllai i tyre është shoku i tyre më i mirë.

Ndoshta nuk keni ditur çfarë t’i thoshit fëmijës suaj, sepse ndoshta ai nuk e donte djalin tim në festën e tij. Ndoshta e keni lënë atë të vendosë, e të besojë se është në rregull të përjashtosh dikë. E di që është e vështirë t’i mësosh fëmijës tënd diçka që nuk arrin ta kuptosh plotësisht as vetë. Edhe unë përballem me këtë. Por është mundësia më e mirë për t’i dhënë vetes një mësim të mirë, bashkë me fëmijën tënd. Me kohë, do ta kujtojnë atë që i keni thënë, se nuk është OK të përjashtosh dikë vetëm prej aftësisë ndryshe, racës apo gjinisë. E di që edhe ju doni për fëmijën tuaj të njëjtat gjëra që unë dua për fëmijën tim. Si prindër, duam që fëmijët tanë të kenë simpati, të kenë miq, dhe të mos lihen vetëm. Këtë e arrijmë duke u dhënë shembullin tonë, duke u dhënë kurajo që të bëjnë zgjedhje që ndoshta tani nuk mund t’i kuptojnë plotësisht. Por kur të kthejnë kokën pas një ditë, kur të jenë të aftë të kuptojnë dhe të njohin atë çfarë u patët thënë. Jam e bindur se me pak shtysë nga ana juaj, fëmija juaj mund të krijojë një miqësi të vërtetë me djalin tim, që do t’u lërë një mbresë të mirë për të gjithë jetën.

Derisa kjo ndodhi, nuk e kisha kuptuar se Sawyer nuk është ftuar pothuajse në asnjë festë ditëlindjeje të shokëve të klasës vitin e fundit. Fëmijët po arrijnë atë moshë kur ftesat e tyre janë shumë të përzgjedhura, dhe Sawyer mesa duket nuk është përfshirë nga asnjëri prej tyre. Prindërit e tjerë të fëmijëve me Sindromën Down që njoh, e kanë nisur vitin shkollor duke edukuar klasën mbi këtë sindromë, por unë këtë s’e kam bërë.

Për mua, ai ka qenë gjithmonë thjesht, Sawyer, e nuk e kam ndier nevojën për t’i folur klasës së tij mbi Sindromën Down, deri në këtë moment. Po kuptoj se e kam zhgënjyer tim bir. Kam lënë të kalojë një vit të tërë pa bërë asgjë për të edukuar edhe familjet e tjera. Ndoshta, nuk do të ishim në këtë situatë tani. E kuptoj se është detyrimi im si prind, që të edukoj më shumë njerëz, mbi atë se çfarë do të thotë të kesh Sindromën Down, dhe sesi ata kanë më shumë ngjashmëri me të tjerët sesa ndryshime. E di që është shumë e rëndësishme të flasësh për këtë, dhe unë jam më se e përkushtuar që ta përmirësoj këtë pjesë.

Ju lutem, ta dini se unë jam këtu për të folur, nëse dëshironi. Mund të jem një nënë tepër mbrojtëse, por nuk jam njeri i frikshëm. E kuptoj që gabime bëjmë të gjithë, dhe në fund të ditës, të dy ne mund të kishim bërë më mirë.

Letra e Jennifer ka marrë më shumë se 20 mijë pëlqime në Facebook, dhe seksioni i komenteve është mbushur me mesazhe prekëse dhe histori personale nga prindër të fëmijëve të tjerë me nevoja të veçanta. Postimi është shpërndarë gjerësisht nëpër rrjetet sociale. Në një tjetër postim në Facebook, nëna e 8-vjeçarit shkruan se kjo histori kishte një “fund të lumtur”.

“Jam shumë krenare që letra ime është lexuar nga kaq shumë njerëz, pasi nuk është vetëm një festë ditëlindjeje, as vetëm Sawyer. Janë kaq shumë fëmijë me nevoja të veçanta (dhe pa to sigurisht) që nuk duhet të ndihen të përjashtuar”, e mbyll ajo postimin.

Burimi: Mashable / https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Çfarë i bën kafja trupit dhe sa zgjat efekti i saj
Studimi i ri: Dieta me bazë bimore ul rrezikun e demencës