Obeziteti është gjendje patologjike e mbipeshës, ku masa dhjamore është me tepricë në krahasim me masën muskulare dhe ku pesha trupore është 20% më shumë se pesha ideale.
Origjina e këtij problemi është jeta sedentare dhe regjimi hiperkalorik i pasur me yndyrna, të cilat mund t’i bashkëngjiten dhe varësisë psikologjike nga ushqimi. Faktorët trashëgues dhe luhatjet e mosfunksionit të tiroides mund të favorizojnë mbipeshën.
Për të diagnostikuar obezitetin bëhet matja e indeksit trupor (BMI) ku pesha dhe gjatësia të përdorura në një formulë fikse japin një vlerë numerike. Kjo vlerë numerike ndikohet nga mosha dhe gjinia e pacientit. BMI-ja e barabartë ose më e madhe se 30 është tregues i sigurt i obezitetit.


