Blerina Bombaj, dietologe
Kohët e fundit, fjala “superushqim” përdoret më së shumti, por jo gjithmonë me vend! A është e vërtetë që panxhari modest hyn në kategorinë e superushqimeve? Nëse studimet, të cilat kanë marrë përsipër evidentimin e vlerave të panxharit rezultojnë edhe në të ardhmen ashtu sikurse deri tani, me siguri që ky ushqim do të kategorizohet ndër më të çmuarat.
Vlera kryesore e panxharit konsiston në uljen e presionit të gjakut, një ndër komplikacionet më serioze të diabetit. Kjo veçori gëzon vërtetim shkencor mjaft bindës dhe e vendos panxharin ndër ushqimet më të domosdoshme për ata që vuajnë nga hipertensioni.
Janë nitratet ato që i japin panxharit këto veti, të cilat shkaktojnë çlirim të arterieve dhe enëve të gjakut, me pasojë uljen e presionit që ato ushtrojnë.
Konsumojeni panxharin të freskët të shtrydhur në këto kombinime:
- Panxhar, karotë, mollë
- Panxhar, boronicë, luleshtrydhe
- Panxhar, mjedër, kastravec, nenexhik
- Panxhar, mollë, xhenxhefil


