Presim fëmijë, mund të mbajmë qen ose mace në shtëpi?

Nga Polikron Çelo, pediatër

Përgjigja është PO.

Një studim interesant i publikuar në një revistë shkencore (Pediatrics 2013) përshkruan se fëmijët që rriten me qen ose mace në shtëpi, sëmuren më pak se të tjerët. Ky zbulim është pritur me kënaqësi prej prindërve që jetojnë me ankth nga frika se qeni apo macja që kanë në shtëpi mund të bëhet shkak për infeksione të fëmijës.

Qeni dhe i porsalinduri

Diçka që ndoshta nuk e dini: qeni e shikon botën pak më ndryshe. Për çdo qen shtëpie, ju, gruaja dhe ai përbëni një “bllok” të vetëm dhe të pandarë. Me ardhjen e një tjetri (bebit), qeni mund të kalojë në një depresion; prandaj për të zbutur sadopak këtë gjendje, krahas kujdesit për bebin, mos harroni të merreni edhe me të.

Kemi të bëjmë me një periudhë kalimtare dhe shumë shpejt qeni do të “njihet” me këtë qenie të re, do ta konsiderojë të njëjtë me ju e do lidhet ngushtë me të duke i kushtuar tërë besnikërinë e njohur të kësaj kafshe.

Qeni përbën rrezik për ndonjë infeksion?

Sigurisht që po, prandaj, para se ta sillni në shtëpi, kontrollojeni në një klinikë veterinare, hapini kartelë e ndiqeni rregullisht në të njëjtën mënyrë si ndiqet çdo fëmijë në këshillimore; pra vizitojeni periodikisht dhe kryeni vaksinat e nevojshme.

Nga ana tjetër, me rritjen e fëmijës bëni kujdes që të zbatojë rregullat e higjienës – për shembull të lajë duart sa herë merret me të, të mos flerë në krevat me qenin, të mos fusë në gojë “kafshatën” që më parë e ka kafshuar qeni etj. Kështu minimizohet rreziku.

Me kalimin e kohës, për fëmijët qeni do të jetë “një shok” besnik më tepër. Ata nuk kanë frikë prandaj i afrohen pa druajtje e miqësohen shumë shpejt. Misid tyre krijohen gjithmonë miqësi reciproke të ngushta (qentë p.sh. u hidhen në qafë dhe i lëpijnë, fëmijët nga ana e tyre u futin duart në gojë, ndajnë kafshatat etj).

Macja

I njëjti kujdes duhet treguar si për qenin (kartelë, vizitë periodike veterinare, vaksinim etj).

Ajo që e dallon prej qenit është se:

  • Macja tregon më pak interes për gjërat që nuk janë në lëvizje, prandaj nuk i bën shumë përshtypje kur shikon për herë të parë bebin shtrirë mbi krevat. Për kuriozitet, ndiqni veprimet e saj (gjithmonë nën mbikëqyrjen tuaj) dhe keni për të parë se ajo do t’i afrohet ngadalë-ngadalë, do e nuhasë, mandej do ta ngacmojë lehtë, lehtë me shputën e këmbës së saj dhe kur e shikon se kjo “qenie” nuk lëviz, do të largohet qetë-qetë ashtu siç erdhi.
  • Është tepër xheloze, aq sa mund ta shtyjë në veprime të rrezikshme, për të cilat me siguri keni dëgjuar apo lexuar. Për të zbutur sadopak këtë dukuri (xhelozinë), sa herë merrni bebin në krahë, merrni dhe macen e kolovitini të dy, ky veprim asaj i pëlqen jashtë mase.
  • Miqësohet shumë me fëmijët po nuk është besnike sa qeni. Me kalimin e kohës, miqësia midis fëmijës dhe maces do të rritet vazhdimisht, ata do të lozin me njëri-tjetrin, të ndajnë kafshata, macja do të qëndrojë mbi supin e tij e do ta lëpijë, do t’i shkojë në krevat etj. Por, sado miq të jenë, ajo nuk ngurron të kundërpërgjigjet me dhëmbët e saj të mprehtë ose me thonj ndaj ndonjë veprimi që e bezdis apo i shkakton dhimbje, sado të vogël (qeni është më tolerant).

Shkëputur nga libri i mjekut pediatër Polikron Çelo, “Babai 6”, një libër që iu vjen në ndihmë baballarëve./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Çfarë duhet të bëni në mëngjes për tretje më të mirë gjatë gjithë ditës
5 shenja që tregojnë se sistemi juaj nervor është i mbingarkuar
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
Shkencëtarët zbulojnë dy pijet me kafeinë që mund të ulin rrezikun e goditjes në tru dhe sulmit në zemër, ja sa duhet të konsumoni për përfitime shëndetësore
5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure