Kryefaqja Të rinjtë Aktivitete Prezantohen rezultatet e projektit “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”

Prezantohen rezultatet e projektit “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”

0
Shpërndaje

Projekti “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, i cili u financua nga Bashkimi Evropian dhe u zbatua nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Komiteti Norvegjez i Helsinkit, Komiteti Holandez i Helsinkit, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe shoqata “Together for Life” ka mbërritur në fundin e tij pas 18 muajve zbatim.

Ditën e mërkurë, më dt.14 nëntor 2018, në Tiranë u realizua edhe konferenca përmbyllëse e këtij projekti ku partnerët zbatues, si dhe 31 organizatat grantmarrëse prezantuan rezultatet e këtij projekti tepër të rëndësishëm për Shqipërinë.

Drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj. Erida Skëndaj, në përmbyllje të këtij projekti shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, u shpreh se shpreson që ai të vazhdojë dhe jo të marrë fund këtu.  “Ne kemi nxjerrë problematikat që ekzistojnë dhe tashmë e dimë që për përmirësimin e gjendjes është një rrugë shumë e gjatë përpara,” u shpreh znj. Skëndaj. Të njëjtin mendim shprehu edhe z. Agron Sojati, Koordinator Kombëtar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Duke vlerësuar shumë projektin “Shoqëria Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm”, Sojati tha se në fakt edhe vetë institucioni që ai drejton e ka parë veten në këto 18 muaj si pjesë të projektit.

Partnerët nga Komiteti Norvegjez i Helsinkit, Komiteti Holandez i Helsinkit, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi dhe shoqata “Together for Life” gjithashtu folën për kontributin e dhënë në zbatimin e projektit.

Enver Djuliman, këshilltar i Lartë i Komitetit Norvegjez të Helsinkit theksoi rëndësinë për ta parë ekstremizmin e dhunshëm jo thjesht si diçka që shkaktohet vetëm nga të tjerët. “Komiteti Novergjez i Helsinkit ka një përvojë 10-vjeçare në konflikte. Aktualisht kemi një projekt të madh në Ukrainë. Kur flitet për ekstremizmin e dhunshëm, besoj se të gjithë kujtoni rastin terrorist të disa viteve më parë në Norvegji, ku mbetën të vrarë 75 persona, të gjithë nën moshën 20 vjeç. Ne ishim të papërgatitur për një terrorizëm nga vetë norvegjezët, pasi terrorizmin e prisnim nga të tjerët jashtë. Kjo është arsyeja pse tashmë mendojmë se është e rëndësishme të shohim edhe pjesën brenda”, u shpreh z. Djuliman.

Përfaqësuesi i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, z. Luka Bozoviç, vuri theksin te edukimi dhe konteksti në informacionin që jepet lidhur me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm, që duhet t’i përshtatet vendit dhe situatës.

“Në këtë projekt ne kemi ndihmuar me nëngrantimin, si dhe me hartimin e broshurave kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në Serbi, një nga problemet me të cilat përballemi janë ata që duan të shkojnë të luftojnë në Ukrainë. Dy janë gjërat e rëndësishme kur flasim për ekstremizmin e dhunshëm: Edukimi, gjithashtu edhe konteksti. Edukimi jo thjesht në shkolla, por në informacionin që jepet, si dhe konteksti i cili duhet t’i përshtatet vendit dhe situatës”, u shpreh z. LukaBozoviç, koordinator projekti pranë Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Ndërkohë, menaxherja e programeve pranë shoqatës Together for Life, Arlinda Shehu, gjithashtu foli për kontributin e dhënë nga TFL, e cila kishte përsipër pjesën e vizibilitetit dhe komunikimit. “Ne kemi realizuar për këtë projekt strategjinë e komunikimit dhe vizibilitetit, manualin e brandimit dhe markimit, këshillimin e nëngrantuesve lidhur me çështjet e komunikimit dhe vizibilitetit, kemi bërë angazhimin e mediave në pasqyrimin e aktiviteteve të projektit etj. Gjithsesi ajo çka e quajmë më të rëndësishme është bashkëpunimi i realizuar me shkollën “Mihal Grameno”, e cila, megjithëse nuk ka qenë pjesë e projektit, falë vizibilitetit na u afrua për të marrë më tepër informacion lidhur me ekstremizmin e dhunshëm. Takimet me nxënës të kësaj shkolle na kanë bërë të kuptojmë se ekstremizmi nuk është vetëm në rrethe si Elbasani, Dibra apo Korça. Ekstremizmi mund të haset edhe në zemër të Tiranës”, u shpreh znj. Shehu.

Shoqatat të cilat përfituan grante nga ky projekt gjithashtu patën mundësi të thonin fjalën e tyre (bëhet fjalë për 20 grante që u përfituan nga 31 organizata të shoqërisë civile).

Edison Kipi nga shoqata Integrimi i Romëve të Veriut në Lezhë u shpreh se ata realizuan një studim me të rinjtë të cilëve iu bënë 52 pyetje. Dy prej tyre lidheshin nëse ata do të kryenin veprime ekstremiste që lidheshin me fenë apo me paranë. Të gjithë zgjodhën kryerjen e veprimeve për shkak të fesë, dhe jo parasë. “Kur pamë këto rezultate, – u shpreh Kipi, – realizuam trajnime në bashkëpunim me myftiun dhe më pas, në testin pas trajnimit, u vu re një rezultat shumë i mirë. Kjo ndodhi për shkak se të rinjtë arritën të bënin diferencimin midis fesë dhe ekstremizmit.

Entela  Maçka nga organizata Gruaja nëZhvillim, Korçë theksoi faktin se në fund të projektit ata kanë tashmë një rrjet prej 20 personash të cilët po ndikojnë për zbutjen e këtij fenomeni.

Lindita Hyseni nga Qendra Rinore Pukë u shpreh se projekti që ata zbatuan u përqendrua te parandalimi, edukimi i të rinjve, si të jenë qytetarë më të mirë për të nesërmen. “Ky projekt i ka rritur kapacitetet e organizatës sonë dhe për këtë jemi mirënjohës”, u shpreh Lindita.

Ndërkaq, Nensi Dragoti nga Fondacioni Arsimor Shqiptar, Shkodër ngriti një nga pyetjet e dala gjatë aktiviteteve: “Nxënësit na pyetën nëse këto aktivitete që po bënim për ekstremizmin mund të na ktheheshin në bumerang? Mendoj se kësaj pyetjeje mund t’ia japim përgjigjen të gjithë ne”.

Roland Alushani, specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tha se është shumë i rëndësishëm  bashkëpunimi me policinë. “Desha t’ju pyes: A po e bëni pjesë të trajnimeve edhe policin? Mos harroni se pas orarit të punës, polici është qytetar, është prind”, tha Alushani, teksa kërkoi një bashkëpunim më të ngushtë të shoqërisë civile me policinë e shtetit.

Gjatë aktivitetit u fol edhe për zbatimin e projektit në sistemin e burgjeve në Shqipëri, rezultatet dhe arritjet.

“Burgjet janë përfshirë me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm prej një kohe të gjatë. Duhet të kemi parasysh se askush nuk ka lindur radikalist apo ekstremist. Kthimi në radikalist apo ekstremist është proces. Me veprat tuaja ju mund ta bëni situatën më të mirë ose më të keqe. Gjatë këtij projekti janë trajnuar 220 anëtarë të stafit të burgjeve. Kishte prej tyre që kishin shumë njohuri për ekstremizmin. Por ata kanë nevojë për të mësuar se si duhet të reagojnë. Kemi krijuar një protokoll se si mund të veprojnë në raste të tilla. Duhet të kuptojmë që burgjet janë jo vetëm për t’i mbajtur të burgosurit brenda, por edhe për t’i edukuar ata. Sepse pasi të dalin nga burgu, ata i kthehen shoqërisë dhe nuk duhet të kthehen të frustruar”, u shpreh z. Jack Burger, ekspert kundër ekstremizmit të dhunshëm në burgje.

“Me Komitetin Shqiptar të Helsinkit kemi punuar shumë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rritjen e kapaciteteve të stafit të burgjeve. Na është ofruar gjithnjë trajnim nga ekspertë të certifikuar dhe kjo është shumë e rëndësishme për fushat e zbatimit të ligjit. Një burg i menaxhuar mirë ka më pak mundësi të bëhet terren për sjelljet radikale dhe ekstremiste. Ne do të japim mbështetjen tonë që projekti të vazhdojë, pasi deri më tani e gjithë puna e realizuar në bashkëpunim me KSHH është vënë në praktikë dhe nuk ka ngelur kurrë në fund të sirtarit”, u shpreh z. dhe Z. Femi Sufaj, përgjegjës i sektorit të trajnimeve, armatimit dhe emergjencave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Pjesë e takimit ishin edhe dy studentë cilët janë trajnuar nga ekspertë të fushës për njohjen dhe ndërgjegjësimin mbi koncepte që lidhen me radikalizimin dhe ekstremizmin, si edhe në dekonstruktimin e ideve të gabuara rreth marrëdhënies së këtyre koncepteve me fenë në përgjithësi.

Besjana Biçaku, studente në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan, tha: “Na është dhënë një informacion të cilin nuk e kishim, ishte i panjohur për ne, ndërkohë që është shumë i rëndësishëm”.

“Trajnimi ishte shumë i rëndësishëm, pasi ne jemi gazetarët e së ardhmes, ndaj është e rëndësishme që të bëjmë një dallim midis termave ekstremizëm, radikalizëm, ektremizëm fetar. Do të na vlejë shumë në jetën, por edhe punën tonë në të ardhmen”, u shpreh Edison Ferataj, student i gazetarisë po në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here