Jam një vjaze 27 vjeçe dhe dua të pyes për një shqetësimin që ka kohë që më është shfaqur. Kur punoj para kompjuterit sytë më lodhen shumë, dhe më pas ndiej vështirësim në shikim, jam vizituar dhe më kanë thënë se nuk kam nevojë për size. Doja të dija nëse fakti që punoj shumë para kompjuterit ndikon në këto shqetësime dhe çfarë mund të bëj për t’u qetësuar?
Elisa
- Për shqetësimin tuaj kemi pyetur mjeken okuliste, Anila Monka:
- “Së pari do sqaroja se ky është një shqetësim që lidhet me lodhjen fizike të syrit. Syri përbëhet nga disa muskuj të jashtëm që kur përqëndrohen për një kohë të gjatë, apo kur syri qëndron i fiksuar ose i ulur, lodhen dhe shkaktojnë atë që njihet si “sindromë e kompjuterit”. Pra më tepër se një patologji e syrit mund të konsiderohet një shqetësim deri diku fizik, ashtu siç mund të ndodhte me organet e tjera të trupit, që nëse punojnë për një kohë të gjatë do të lodheshin. E njëjta situatë është dhe me sytë. Pra deri diku mund të quhet “sëmundje profesionale” që shfaqet nga qëndrimi për një kohë të gjatë, pa lëvizur dhe në mënyrë të papërshtatshme përpara kompjuterit. Ndërkohë për pyetjen e dytë do shtoja se Këto janë disa simptoma që zhduken menjëherë pa largimit nga shkaktari shpërthyes i tyre: kompjuteri. Me daljen jashtë, ose shlodhjen e syve, ato zhduhen. Gjithsesi nëse ato ju shqetësojnë mjaftojnë kompresat me ujë të ftohtë dhe shpëlarja e syve, për t’i qetësuar sytë. Natyrisht mjaft i mirë është dhe loti artificial, që shërben si pastruesi dhe lubrifikuesi më i mirë i syve”.



