Problemet me dëgjimin, si t’i identifikoni tek fëmijët e vegjël

Dëgjimi tek fëmijët e vegjël mund të dëmtohet edhe pas lindjes.

Identifikimi i një problemi të tillë vonohet pa dashur nga prindërit, pasi shumë prej tyre nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës, mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit. Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës, bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem.

Juzela Shehu

D.SH.M. Juzela Shehu, mjeke ORL në Shërbimin e Kirurgjisë Infantile në QSUT “Nënë Tereza”, shpjegon se si prindërit mund të dallojnë që në moshë të vogël nëse fëmijët e tyre kanë probleme me dëgjimin. Humbja e dëgjimit tek fëmijët e vegjël është një paaftësi e qetë dhe e fshehtë. Është e fshehtë sepse fëmijët, veçanërisht të porsalindurit dhe fëmijët e vegjël, nuk mund të tregojnë se nuk po dëgjojnë mirë; është paaftësi sepse, nëse nuk zbulohet dhe nuk trajtohet, çon në vonesë ose në mungesë të zhvillimit të të folurit dhe gjuhës, në probleme emocionale dhe një përparim i dobët në mësime. Zbulimi sa më i hershëm i uljes së dëgjimit, madje sa më afër periudhës së lindjes së fëmijës, bën që të aplikohen trajtime efektive që ulin në mënyrë të dukshme paaftësinë që shkakton ky problem. Shumë shpesh identifikimi i një problemi të tillë vonohet, pasi shumë prindër nuk e dinë që një fëmijë i vogël, qoftë edhe brenda vitit të parë të jetës, mund t’i nënshtrohet testeve të dëgjimit.

Procedurat diagnostike speciale për testimin e dëgjimit janë:

  1. Audiometria tonale
  2. Audiometria e të folurit
  3. Impedancometria
  4. ABR dhe teknika e Emetimit Otoakustik (OAE)

humbja e degjimit

Problemi i dëgjimit tek fëmijët është mjaft domethënës nëse marrin në konsideratë faktet e mëposhtme:

–  1-2 fëmijë në 1000 lindje, lindin me shurdhësi të thellë.
–  Në 2 fëmijë në 1000 lindje mund të shkaktohet shurdhësi në fëmijërinë e hershme.
–  Të porsalindurit që më pas kërkojnë trajtim në reanimacion kanë rrezik të lartë për humbje dëgjimi (1 fëmijë në 50 që janë reanimuar).
–  Infeksioni i veshit shoqërohet me ulje dëgjimi.
–  Pothuajse 100% e fëmijëve kanë një periudhë me ulje dëgjimi.

Dëmtimi i dëgjimit mund të jetë i plotë ose i pjesshëm në njërin ose të dy veshët. Niveli i dëmtimit të dëgjimit mund të jetë i lehtë, i moderuar, i rëndë ose i thellë.
Dëmtimet e dëgjimit mund të shkaktohen para ose gjatë lindjes për disa arsye të ndryshme siç janë:
– Lindje premature;
– Situata që gjatë lindjes çojnë në mungesë të theksuar të oksigjenimit;
– Kalimi i Rubeolës, Siphilisit apo sëmundje të tjera infektive gjatë shtatzënisë;
– Përdorimi i ototoksikëve që mund të shkaktojnë dëmtim të veshit të brendshëm.
– Hepatiti, i cili mund të dëmtojë nervin e dëgjimit në një fëmijë të sapolindur.

Zgjidhja e dëmtimeve të dëgjimit duhet të fokusohet në parandalimin, zbulimin e hershëm, menaxhimin dhe rehabilitimin e pacientit.

Burimi: Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza / https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Temperaturat e larta? Ja cilat ushqime duhet të shmangni dhe çfarë të konsumoni më shumë
60 kursantë të Akademisë së Sigurisë në spital me simptoma helmimi, Policia: AKU ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara
Helmohen sërish kursantët e Akademisë së Sigurisë, 30 persona përfundojnë në spital
Kripa në ushqim: 4 truke për ta reduktuar atë pa humbur shijen
I nxehti ekstrem, kush janë kategoritë më të rrezikuara
Studimi: Si po përhapen në TikTok informacione të rreme rreth kremrave të diellit
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Mes protestave: Akila, gazetarja me inteligjencë artificiale, do të flasë me një milion shqiptarë