Kryefaqja Pyet Mjekun Pyet mjekun: Kam probleme me mëlçinë, çfarë duhet të bëj?

Pyet mjekun: Kam probleme me mëlçinë, çfarë duhet të bëj?

0
Shpërndaje

Përshëndetje! Unë jam Valentina, jetoj në Danimarkë. Njeriu kur është pa qejf, edhe pse është në vendin me më shumë kushte, përsëri i shkon mendja jo pak në vendin e vet dhe mendon se atje janë mjekët më të mirë. Kështu më duket mua, unë kam besim tek mjekët në Shqipëri. Jo se kam qenë ndonjëherë e sëmurë, por tani që jam këtu dhe kam probleme me shëndetin, besoj se në Shqipëri do isha shëruar. Isha në janar në Tiranë tek mamaja dhe pija kapuçino çdo ditë, dhe befas më filloi stomaku. Mora një ilaç në farmaci dhe e piva 2 herë, nuk më bëri efekt dhe nuk e piva më. Më pas ika në Danimarkë. Mjekja këtu më tha të bëja një skaner. E bëra dhe më tha që kisha një shenjë gjaku të mpiksur në mëlçi. Dhimbjet i kisha të përditshme, më fillonin në stomak dhe vazhdonin në anën e djathtë deri prapa në kurriz dhe më përhapeshin në të gjithë barkun. Më dërguan të bëj një gastropi, ku më futën një tub në gojë për të më parë stomakun. Pasi bëra gastropinë, më thanë që ke disa plagë të vogla në stomak dhe këto kishin ardhur nga nje ilaç që e përdorja si aspirinë për hollim gjaku, pasi ka 3 vite që kam tension të lartë. Doktoresha ma ndaloi këtë ilaç dhe u bën afro 2 muaj që përdor antibiotik për plagët në stomak. Unë jam shumë mirë, nuk kam më dhimbje. Për shenjën në mëlçi më bënë një ekzaminim dhe nxorën që kam një tumor beninj. Më kanë thënë të bëj biopsi për ta parë se çfarë është kjo mpiksje gjaku dhe nëse ka nevojë të trajtohet. Unë dua të ju pyes juve a është e nevojshme kjo biopsi? A ndikon më vonë në mëlçi apo në organizëm? Tani nuk kam asnjë simptomë, jam top fare si më parë, nuk kam asnjë dhimbje. Faleminderit!

Përgjigjet Valdete Malaj , mjeke gastrohepatologe në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3, Tiranë

Për sa i përket dhimbjeve që keni, sigurisht që kanë të bëjnë me stomakun, me erozionet që ka ose gërvishtjet, gastrit eroziv quhet. Aspirina ose antiinflamatorët josteroid janë shkaktarë kryesorë i këtyre erozioneve. Për sa i përket formacionit që keni në mëlçi, nuk është shkaktari i dhimbjes, mëlçia çfarëdo sëmundje të ketë, nuk dhemb, sepse nuk ka mbaresa nervore. Duhet të jeni më e qartë në përcaktimin e diagnozës që ju është bërë në skaner. Në qoftë se është hemangiomë, si rregull nuk rekomandohet biopsia. Nuk e di nëse keni edhe gurë në tëmth, pasi zakonisht ato japin dhimbje në anën e djathtë dhe që hapet deri në shpatullën e djathtë, gjithashtu edhe dhimbjet e stomakut hapen në shpatull. Në këto raste bëhet një konsultë mes mjekut përkatës që ka dhënë aspirinën dhe gastrohepatologut, për të parë nëse duhet ta përdorësh apo jo aspirinën. Nëse nuk mund ta ndërpresim, atëherë duhet të marrësh vazhdimisht ilaçe mbrojtëse të stomakut. Për mëlçinë duhet të më shkruash termin e saktë. Në rastin e hemangiomave, që është mpiksje ose mund të themi një enë gjaku në mëlçi e zmadhuar, nuk rekomandohet biopsia, sepse aty është gjak dhe mund të krijojë hemorragji. Në qoftë se është tumor beninj, duhet të më shkruash emrin, sepse tumori është tjetër gjë dhe hemangioma është tjetër gjë./Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here