Përshëndetje. Jam Kozeta 32 vjeçe, beqare. Unë kam shumë të ftohtë, duart dhe këmbët nuk më nxehen kurrë as ditën, as natën kur jam në shtrat e mbuluar. E vuaj shumë këtë gjë edhe pse vishem trashë pothuajsë e njëjta gjë unë prapë se prapë do kem të ftohtë edhe kur fle, fle e veshur mirë e me çorape të trashë dhe e mbuluar mirë, nuk nxehem asnjëherë dhe krevati do të jetë akull. Theksoj se natën kam shumë mpirje të duarve dhe të këmbëve sidomos të këmbës së majtë. Flokët dhe thonjtë i kam gjithmonë të dobët sado përpiqem të kujdesem për to dhe sa herë perpiqem të mbaj regjim ose ndonjë dietë unë nuk bie asnjë gram nga pesha, madje më duket sikur shtoj në peshë. Kam bërë analizat e gjakut dhe më thanë të kontrolloj dhe tiroidet se mos ndoshta ndikon kjo gjë. Çfarë më këshilloni ju lutem se i vuaj shumë këto probleme?
Përgjigjet mjekja Julia Kollçaku, reumatologe pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr.3, Tiranë
Me faktet e sjellja nga pacientja, mendoj se mund të jetë një çrregullim i funksionit të tiroides. Por pacientja duhet të bëjë disa analiza biokimike. Çrregullime të metabolizmit bazal. Është rast i referuar për endokrinolog. Përjashtoj faktin që të bëhet fjalë ndonjë problem reumatologjik.
Përgjigjet Sokrat Riza, mjek hematolog pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr.3, Tiranë
Pacientja ka nevojë për kryerjen e disa analizave. Nuk është rast që mund të nxjerrësh një përfundim në bazë të këtyre të dhënave që ka shkruar. Vlerësoj që është rast për mjek endokrinolog. Simptomat e përshkruara të orientojnë drejt një problemi me tiroiden.
Përgjigjet Dashamir Gjergji, mjek endokrinolog pranë Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr.3, Tiranë
Pacientja duhet të bëjë fillimisht analizat e tiroides, në mënyrë që të mund të dilet me një përfundim të saktë, pasi thjesht me shenjat nuk mund të dielt në një konkluzion përfundimtar. Nëse analizat e tiroides tregojnë probleme, atëherë për të do të fillojë mjekimi nga mjeku endokrinolog. Nëse analizat për tiroiden dalin në rregull, atëherë duhen vlerësuar me kujdes edhe sisteme të tjera që mund të mbartin probleme, për shembull: sistemi tretës, sistemi nervor, sidomos nëse pacientja është një rast me shqetësime të shpeshta të ankthit./ Shendeti.com.al


