Pyet mjekun: Ndihem gjatë gjithë kohës e uritur, ha shumë dhe nuk shëndoshem. Çfarë kam?!

Përgjigjet dr. Nevila Lengu, mjeke gastrohepatologe pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 1, Tiranë.

Ndjesia e oreksit të shtuar lidhet me disa patologji të aparatit tretës, ku bëjnë pjesë hiperaciditeti (sekretimi i shtuar i acidit në stomak) dhe parazitozat.

Në rastin e hiperaciditetit, i cili shoqërohet me dëmtim të mukozës së stomakut, diagnoza vendoset  me fibrogastroskopi. Në qoftë se pacienti refuzon gastroskopinë, tentohet me medikamente të cilat bëjnë uljen e aciditetit të 24 orëve dhe atë të stimuluar nga ushqimet.

Në rastin e parazitozave, kjo konfirmohet me bërjen e një analize të thjeshtë në feçe (feçeparazit,) ku mikrobet më të shpeshta që konstatojmë janë ato që quhen lambliaintenstinalis (lamblia), një lloj paraziti mikroskopik, oksjuret (krimbat e bardhë të vegjël) dhe askaridet, të cilët hasen shumë rrallë në ditët e sotme pasi prania e tyre lidhet me kushtet socialekonomike. Parazitoza akoma edhe më të rralla janë edhe ato që quhen tenia, ose shiriti në gjuhën popullore. Në të dyja rastet pacienti ka ndjesinë e oreksit të shtuar, por nuk shton dot në peshë.

Pastaj patologji të tjera që nuk mund të përjashtohen janë edhe problemet e gjëndrës tiroide, hiperfunksioni i së cilës bën që këta persona të hanë në mënyrë të pakontrolluar, por që përsëri nuk është se shtojnë në peshë.

Në mosha më të rritura duhet verifikuar me kujdes, pasi pacienti mund të jetë në fillimet e një diabeti të fshehtë. Pasi, siç dihet, tabloja e klasike e diabetit është që këta persona konsumojnë shumë ushqim por nuk shtojnë në peshë.

Në të tilla raste ne rekomandojmë ato që quhen testet joinvazive.  Që do të thotë një eko e thjeshtë abdominale  me ultratinguj, testet biokimike dhe ato klinike, duke përfshirë një gjak komplet për të parë rruazat e kuqe dhe të bardha.

Në qoftë se personi vuan nga tiroidet apo dyshojmë, rekomandohet ajo që quhet hormoni nxitës i tiroides TSH. Ndërsa për diabetin mjafton thjesht një nivel i matjes së sheqerit esëll./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Obeziteti gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të ndikojë në shëndetin e fëmijës
Sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë, mjekja tregon si mund të mbahet nën kontroll
Mjekja tregon keqkuptimin më të madh në lidhje me obezitetin
Pse qumështi i gjirit është kaq i rëndësishëm për shëndetin dhe zhvillimin e foshnjës
Sa shpesh duhet të bëjnë kontrolle personat me obezitet dhe kur duhet të nisin ato?
Mjekja shpjegon pse rënia në peshë nuk është gjithmonë në dorën e pacientit
Çfarë do të thotë të jesh i pashëndetshëm? Mjekja shpjegon faktorët që ndikojnë në shëndet
hipertensioni
Nga hipertensioni te diabeti, sëmundjet që mund të shkaktojë obeziteti