Qendra shëndetësore e Steblevës, pa ilaçe, pa drita, pa ujë

Banorët prej kohësh janë ankuar se mjekët venë e vijnë saqë qendra shëndetësore vjet u katandis në një vend fjetjeje për një zyrtar të komunës.

Mark Brunga

Edhe këtë fund viti banorët e Komunës së Steblevës ndodhen para një telashi të tejzgjatur, pasi ka shumë vite që nuk është zgjidhur: mungesa e efikasitetit të qendrës shëndetësore, që mbetet një plagë shumëvjeçare. Edhe pak e do të fillojnë reshjet e dëborës, siç ndodh zakonisht në këtë stinë dhe nevojat shëndetësore të rreth 1500 banorëve nuk mund të plotësohen, pasi qendra shëndetësore nuk është e pajisur me ilaçet e duhura për të përballuar sëmundjet e ndryshme të banorëve të zonës.

Alban Fejzo, Steblevë

Alban Fejzo, Steblevë

Dimri me dëborë që në këtë zonë është veçanërisht i ashpër, sigurisht shkakton probleme për të përballuar lindjet, sëmundjet apo dhe aksidentet evidente që mund të ndodhin, probleme që janë përballuar ndër vite me mjete rrethanore dhe sakrificat e shumta të banorëve të zonës që shquhen për një solidaritet të rrallë ndaj njëri-tjetrit.

Gjithnjë në vend të ambulancës së munguar kanë qenë mjetet e bashkëfshatarëve  që kanë kryer transportin e të sëmurëve në urgjencë.

Banorët prej kohësh janë ankuar se mjekët venë e vijnë saqë qendra shëndetësore vjet u katandis në një vend fjetjeje për një zyrtar të komunës.

Për të vetmin doktor të qendrës, që udhëton çdo ditë nga Elbasani, nevojitet ndërhyrje urgjente, duke qenë se dhe dimri është në prag. Ndërsa kryekomunari i Steblevës, Alban Fejzo, teksa pranon se gjendja është e vështirë, thotë se është në pritje të investimeve nga shteti.

Ai thekson se “kjo qendër shëndetësore u shërben 1500 banorëve. Është momenti që edhe dimri po afron. Ndaj kërkojmë që kjo qendër shëndetësore të ndërtohet e kompletohet para reshjeve të dëborës”.

Edhe para një viti, saktësisht në muajin nëntor të 2013-s, qendra nuk funksiononte, madje nuk kishte as mjek. Sipas banorëve në atë periudhë,  godina, e cila dikur kishte funksionuar si qendër shëndetësore, ishte kthyer në vendbanim për shefin e llogarisë së komunës.

Nga ana tjetër, në pamundësi për të vënë në funksion këtë Qendër Shëndetësore, kryetari i komunës së Steblevës shprehet se shpeshherë vë në funksion mjetet e institucionit për të transportuar të sëmuret në spitalin e Librazhdit.

“Ka pasur raste edhe të sëmundjeve kronike apo raste lindjesh, të cilët i kemi transportuar në spital me mjetet e komunës, por nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti”, deklaron Fejzo.

Një nga banorët e fshatit i revoltuar deklaroi para mediave se qendra e ndërtuar 18 vite më parë me fondet e shtetit nuk ka funksionuar as 18 sekonda.

“I kanë bërë edhe një mur rrethues, – shton banori, – me vlerë 8 milion lekë, por edhe muri është rrënuar. Ndërsa doktorët vijnë e ikin”.

Vetë Fejzo edhe para një viti deklaroi se gjendja e mungesës së qendrës ka shkaktuar probleme. Dhe deri tani me sa duket situata nuk është se ka ndonjë përmirësim të dukshëm. Përveç sjelljes së një mjeku nga Elbasani. I cili pa drita, ujë dhe dru zjarri, duket si një cigan nomad me qëndrim të përkohshëm…

Stebleva është një zonë turistike me mjaft prespektivë po të ketë investime dhe me sipërfaqe pyjore masive mjaft të mëdha, që ndikojnë në zhvillimin e një turizmi veror dhe dimëror. Po mungesat spitalore janë një ndër faktorët e shumtë që e detyrojnë popullsinë që të braktisë banesat dhe t’u drejtohet qyteteve të mëdha Librazhdit, Elbasanit, Tiranës, Durrësit etj, duke shkaktuar edhe problemet e shumta sociale më pas si të braktisjes së zonave vitale për ekonominë dhe papunësi në qytete me njerëz të papërgatitur për të përballuar sfidat e ekonomisë së tregut. Dhe shumë të tjera.

Postime të ngjashme

Keni fëmijën me gji dhe jeni me grip? Mjekja pediatre: Kujdesi që duhet të tregoni që të mos ia transmetoni
Tejkalimet buxhetore 2021–2024 zbulojnë nevojat e larta në sektorin e shëndetësisë
“Është rritur në mënyrë eksponenciale”- Kardiologu Edvin Prifti shpjegon arsyet e atakut në moshat e reja
Pësoi atak kardiak, ndahet nga jeta këngëtari Shpat Kasapi
Bebet para kohe/ Rritet numri i fëmijëve që lindin premature, mjekët: Ndikojnë alkooli dhe mosha e madhe e nënës
Studimi: Vetëm 2 cigare në ditë rrisin me 50% rrezikun e sëmundjeve të zemrës
Me këto këshilla do të shpëtoni nga buzët e çara
Shtrëngata dhe stuhi, ja zonat më të rrezikuara nga moti i keq (HARTA)