Kryefaqja Box 2 Rakitizmi, si shfaqet dhe masat parandaluese

Rakitizmi, si shfaqet dhe masat parandaluese

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Vitaminat janë ndër elementet e rëndësishme që nxisin zhvillimin e mirë të shëndetit, kjo veçanërisht tek fëmijët ndërkohë që marrja e sasive të rekomanduara nuk duhet neglizhuar në asnjë rast. Një ndër vitaminat më të rëndësishme që ndikon në mineralizimin e kockave, është ajo D e cila rekomandohet të merret tek fëmijët sidomos gjatë dimrit dhe viteve të para.

Petrit Hoxha, mjek endokrinolog pediatër, shpjegon dëmet që mund të shkaktojë mungesa e kësaj vitamine në organizëm, faktorët predispozues, si dhe masat parandaluese, ndërkohë që e një rëndësise të veçantë është ushqyerja e fëmijëve me gji dhe ekspozimi i gjatë në diell.

Doktor, çfarë është rakiti?

Rakiti është një sëmundje që vjen si pasojë e paaftësisë së kockave që të shfrytëzojë fosforin, dhe kjo shkakton deformim të tyre. Kafazi i kraharorit bëhet i ngritur nga përpara, kockat e duarve, brrylave në fundin e tyre zgjerohen. Kolona vertebrale harkohet. Kjo është një sëmundje e fëmijëve të vegjël, por nuk duhet harruar edhe mosha e adoleshencës, kohë në të cilën mungesa e vitaminës D bie më shumë në sy dhe që në fund të fundit duhet kuptuar si një mineralizim i pamjaftueshëm i kockës.

Rakiti lidhet me një çekulibrim të metabolizmit, të fosforit dhe kalciumit. Kockat nuk janë në gjendje të fiksojnë sasi të mjaftueshme të kalciumit dhe të fosforit dhe kështu i nënshtrohen një deformacioni, deformimi që vjen nga mungesa e vitaminës D e cila merret me pakicë kur ushqyerja nuk është e përshtatshme për moshën, sidomos në vendet në zhvillim. Por nuk duhet harruar edhe mungesa e ekspozimit të fëmijëve në diell nga rrezet UV.

Një formë e veçantë e rakitit që ne e quajmë vitamino-rezistent nuk rrjedh nga një mungesë e vitaminës D, por nga një anomali e veshkave të cilat nuk janë në gjendje ta transformojnë nga ana e tyre vitaminën D në produktin përfundimtar që është aktiv për të vepruar mbi kockat.

Çfarë deformimesh shkakton mungesa e vitaminës D tek fëmijët në organizëm?

Ekstremitetet e poshtme të bebeve pësojnë një harkim që është karakteristik për rakitin. Kafazi i kraharorit bëhet i ngritur përpara, kockat e duarve dhe bërrylave zgjerohen në fundin e tyre.

Dhe në këto raste radiografitë zbulojnë një harkim të kockës së kofshës dhe të kërcirës dhe një prekje të kockave të kokës në fundin e tyre ose në pjesën e sipërme të tyre.

Deformimet kuptohet që janë në gradë të ndryshme, sipas fazës  në të cilën zbulohet sëmundja, por nuk duhet harruar që tek të vegjlit koka bëhet e sheshtë nga mbrapa, sidomos kur fëmija fle duke u mbështetur tek pjesa e pasme e kokës, fontanelat mbyllen me vonesë dhe dhëmbët dalin me vonesë.

Sëmundja bëhet e dukshme sidomos mbas muajit të katërt të jetës dhe është nëna ajo që vë re e para shqetësimet e fëmijës. Dalja e kockave të reja që ndodh në kyçet e tërë organizmit, është e vonuar, dhe në këto raste janë më rëndësi analizat laboratorike që zbulojnë nivelin e fosforit dhe kalciumit në organizëm ose shtimin e fosofotazës alkaline.

Si manifestohet rakiti?

Është e vështirë të themi që shenjat janë të qarta që përpara muajit të tretë të jetës. Në këtë moshë fëmijët shfaqin disa shenja të përgjithshme, siç është nervozizmi, pagjumësia, mungesa e oreksit, çrregullimet e jashtëqitjes etj,  shenja të cilat janë më të theksuara tek fëmijët që lindin para kohe apo nën peshë.

Si fillim periudha e parë është e karakterizuar nga një irritim i përgjithshëm i sjelljes së fëmijës. Një djersitje jo e zakonshme sidomos gjatë ushqyerjes, indi dhjamor është i pakësuar në kofshë dhe në trung, fëmijët bëhen pastoz dhe bie tonusi muskular. Gjatë kësaj periudhe janë të shpeshta edhe gastroenteritet dhe prekjet e rrugëve të sipërme aspiratore.

Periudha që pason është periudha kur rakiti është shfaqur në mënyrë të plotë, dhe janë të pranishme shenjat që kanë të bëjnë me kockat dhe dhëmbët. Djersa është më e shtuar gjë që mund t’i japë fëmijës për pasojë dhe infeksione nga mykrat. Rënia e tonit muskular arrin një nivel më të lartë, shfaqet zmadhimi i mëlçisë, nyjet limfatike rreth qafës, fontanela e përparme e kokës mbetet e hapur, dhe në vendin ku brinjët takohen me dërrasën e kraharorit formohen disa nyje që ne i quajmë rruazat rakitike. Kafazi i kraharorit në tërësi pëson një zhvendosje nga përpara ose në vendin ku është dërrasa e kraharorit bëhet një gropë e cila persiston për një kohë të gjatë sikurse ndryshimet që pëson kolona vertebrale dhe këmbët. Vertebrat janë të kalcifikuara dhe nuk kanë rezistencën e nevojshme të mbajnë peshën e trupit, sikurse dhe këmbët të cilat harkojnë gjithashtu, kur fëmija fillon të qëndrojë në këmbë nga pesha e trupit.

Duke pakësuar gjatësinë trupore në pamje, duhen shtuar këtu ndryshimet e legenit të cilat tek fëmijët mund të jenë shkak i anomalive për të ardhmen. Kockat e gjata humbin kalcifikimin e tyre, deformohen dhe pengojnë rritjen në gjatësi, prandaj dhe themi që këmbët bëhen në formën e x-it ose në formën e zeros. Dalja e dhëmbëve vonohet, por edhe mbasi dalin, ato janë të dëmtuar dhe me anomali të smaltit.

Periudha e tretë që pason dy të parat, është periudha që vjen mbas shërimit nëpërmjet mjekimit që jep një përmirësim të deformacioneve, të ardhur nga periodat e mëparshme.

Cilat janë faktorët prirës që ndikojnë në shfaqen e sëmundjes?

Në përgjithësi vijnë të lidhura me vendbanimet e fëmijëve, mungesën e ekspozimit në diell, sepse rrezet ultravjollcë bëjnë që në lëkurën e fëmijës të prodhohet një pjesë e madhe e vitaminës D dhe për këtë ne themi që fëmijët duhet që të paktën 3-4 orë në ditë të ekspozohen në diell.

Duke mos harruar që një ndikim të madh mbi këtë sëmundje ka dhe ndotja e ajrit përveç mungesës së diellit, dhe në këtë mënyrë krijohen forma të rënda të sëmundjes, sidomos tek ata me ushqyerje artificiale që nuk marrin gjirin nga nëna, ata të lindur para kohe, ata me peshë të ulur apo ata që kanë sëmundje të tjera sekondare të mushkërive, të zorrëve etj., kanë keqyshqyerje ose gabime në ushqyerje siç për shembull ndodh kur nënat për t’u kujdesur për peshën e tyre trupore, marrin një sasi më të paktë të proteinave apo kalorive në total dhe për pasojë nëpërmjet gjirit u japin bebeve më pak vitaminë D. Normalisht vitamina D tek një fëmijë që ushqehet me gji, zë rreth 70% të nevojave ditore dhe pjesën tjetër e plotëson marrja e vitaminës D si mjekim të cilën ne e rekomandojmë të merret tek fëmijët, sidomos gjatë periudhës së dimrit dhe përgjatë gjithë vitit të parë të jetës.

Arsye të tjera të shfaqjes së rakitit?

Të tjera arsye të shfaqes së rakitit janë disa forma që kanë të bëjnë me anomali të funksionit jo të mirë të traktit tretës, që e përthithin vitaminën D, disa anomali të mëlçisë së zezë, të cilat transformojnë vitamin D nga një fazë drejt një produkti më të komplikuar, dëmtimet kronike të veshkave të cilat e transformojnë vitaminën D në produktin përfundimtar aktiv, i cili sistemon vendosjen e kalciumit në kocka.

Ka dhe sëmundje të tjera të cilat janë nën përgjegjësinë e mjekut pediatër që kuron fëmijën, i cili mund të vërejë që jo gjithmonë parandalimi i rakitit me vitamin D zhduk shenjat e sëmundjes, dhe për këtë arsye mjeku mund të bëjë matjen e konsumimit në gjak apo të tjera me sëmundje të cilat pengojnë thithjen e vitaminës D apo rolin dhe efikasitetin që ka ajo në mbajtjen e  ekulibrit të kalciumit dhe fosforit në organizëm.

Shkaqe të tjera pastaj mund të jenë ato gjenetike që bashkojnë disa faktorë apo forma  familjare që kërkojnë doza shuëmë të larta të vitaminës D për t’u mjekuar.

Sa shpesh haset kjo sëmundje?

Në Shqipëri këto programe janë të specifikuara mirë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, janë të detyrueshme për të gjithë mjekët pediatër, qofshin në konsultorin e fëmijës qofshin në konsultorin e nënës, ndaj dhe përqindja e rakitit vjen gjithmonë duke u ulur, ne e ndeshim gjithmonë e më rrallë, sidomos rakitin e formës së rëndë. Kam mendimin se Shqipëria në aspektin e parandalimit është ndër vendet më të zhvilluara.

Mjekët pediatër e njohin mirë saqë në konsultorët e fëmijëve punohet pareshtur edhe me nënat qoftë për ushqyerjen dhe mirëmbajtjen e fëmijëve, qoftë  për ushqyerjen dhe mirëmbajtjen e nënës.

Ajo që do ta gjykoja unë me rëndësi është marrja e kësaj vitamine edhe për fëmijët e moshës 11 vjeç, pasi rritja dhe zhvillimi në gjatësi i kockës apo organizmit në tërësi në këtë moshë janë më të dukshme, dhe kanë nevoja për këto minerale është shumë më e madhe sesa doza që përdoret për fëmijët 400-500 unite në ditë.

Si mund të parandalohet rakiti?

Normalisht duke njohur këto arsye, bëhet parandalimi i rakitit nëpërmjet zëvendësimit nga goj,a gjë e cila është shumë e thjeshtë sepse jepet vetëm një herë me një dozë unike me pika.

Në përgjithësi rekomandohet që parandalimi të bëhet me një dozë prej 400-500 njësi vitaminë D në ditë. Në raste kur rakiti ka shenja të një zhvillimi të plotë në organizëm, atëherë këto doza janë më të larta dhe drejtohen nga mjeku që kontrollon fëmijën. Prandaj ne këshillojmë përdorimin e qumështit të gjirit dhe kur fëmijët janë me ushqim artificial, vitamina D duhet të fillohet më shpejt sesa muaji i tretë apo i katërt.

Gjithashtu, kërkohet që fëmija të mbahet në krahë gjatë ditës për të evituar deformimin e kockave, që ndodh sidomos kur fëmija lihet shtrirë për një kohë të gjatë.

Është e detyrueshme të evitojmë shfaqen e rakitit duke korrigjuar gabimet në ushqyerje e cila ka të bëjë jo vetëm me përmbajtjen e mjaftueshme të përbërësve të ndryshëm (proteinë, yndyrna, karbohidrate), por dhe me përmbajtjen e vitaminës D, e cila është e pranishme sidomos në qumësht, gjalp, vezë dhe produktet e peshkut (me shumicë tek peshku merluc).

Dhe mbetet përsëri për t’u vënë në dukje domosdoshmëria e ekspozimit të fëmijës në diell. Substancat që prodhohen nga lëkura, transformohen në vitaminë D, e cila është e nevojshme për të plotësuar nevojat ditore të fëmijës me këtë lloj vitamine.

Çfarë ndodh nëse nuk trajtohet?

Gjendja vjen dhe përkeqësohet dhe do të kemi jo vetëm dëmtim të kockës, por edhe të sistemit nervor qendror, pasi në fazën e tretë kur sëmundja shfaqet e plotë, bie ndjeshëm rënia e kalciumit në gjak dhe kjo prodhon prekjen e eksabilitetit neuromuskular, hipereksabilitet muskular, spazma të ralingut dhe konvulsione të përgjithshme të organizmit që vijnë nga hipokalcemia, pra do të kemi një dëmtim të sistemit nervor qendror për shkak të konvulsioneve./ https://shendeti.com.al/

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here