Për gazetën “Shëndet+”: Dr. Rexhina Rama, mjeke ORL
Rënia e dëgjimit është një çështje madhore e shëndetit publik, pasi është patologjia e tretë më e zakonshme pas artritit dhe sëmundjeve të zemrës.
Rënia e dëgjimit është një gjendje e padukshme; ne nuk mund ta shohim rënien e dëgjimit, vetëm efektet e saj mund të shohim që mund t’i atribuohen ftohtësisë, konfuzionit ose ndryshimeve të personalitetit.
Rënia e dëgjimit kongenitale nënkupton që fëmija lind pa dëgjim (shurdh), ndërsa rënia graduale e dëgjimit ndodh gjatë kohës.
Tek të rriturit, shkaqet kryesore të rënies së dëgjimit janë zhurmat dhe plakja. Ka një lidhje të fortë midis plakjes dhe rënies së dëgjimit.
Në rëniet e dëgjimit të lidhura me moshën, të njohura edhe si presbiakuzia, ndryshimet që ndodhin në veshin e brendshëm gjatë plakjes janë të ngadalta dhe të qëndrueshme. Rënia mund të jetë e moderuar ose e rëndë, dhe është gjithmonë e qëndrueshme.
Rënia e dëgjimit e shkaktuar nga zhurmat mund të ndodhin ngadalë gjatë kohës ose në mënyrë të menjëhershme. Të jesh i ekspozuar në zhurmat e përditshme, të tilla si të dëgjosh muzikë me zë të lartë, të punosh në një punë me zhurma mund të ulë dëgjimin pas shumë vitesh. Rënia e menjëhershme e shkaktuar nga zhurma, si armët e zjarrit ose eksplozionet, mbeten numri 1 i paaftësive të shkaktuara në luftë.
Shpesh rënia e dëgjimit shoqërohet me zhurmë në vesh (tinitus), që mund të ketë më shumë efekte negative tek pacientët sesa vetë rënia e dëgjimit.
Gjendje të veçanta, përfshirë moshën, sëmundjet dhe faktorin gjenetik, mund të luajnë një rol në rënien e dëgjimit. Jeta moderne ka shtuar listën e elementëve që dëmtojnë veshin, duke përfshirë disa medikamente dhe shumë burime të zhurmave.
Çfarë do të kuptojmë me rënie dhe humbje dëgjimi?
Me humbje dëgjimi kuptojmë të mos jesh i aftë të dëgjosh tinguj në një ose në të dy veshët.
Për të kuptuar se si ndodh rënia e dëgjimit, duhet të dimë se si punojnë veshët.
Tingulli shkon nëpërmjet ajrit si valë tingulli, e cila vibron membranën timpanike dhe lëviz 3 kocka shumë të vogla të veshit. Kjo shkakton valë në lëngun që mbush veshin e brendshëm. Këto valë përkulin qelizat me flokë të cilat janë të lidhura me nervin e dëgjimit. Ato kalojnë sinjale elektrike në nervin e dëgjimit, të quajtur nervi koklear, i cili shkon në tru. Në qoftë se ndodh dëmtim në një nga strukturat të cilat përshkon tingulli, atëherë kemi të bëjmë me rënie dëgjimi.
Shkallët e rënieve të dëgjimit janë: e lehtë, e moderuar, e rëndë, e thellë.
Kemi 3 lloje të rënies së dëgjimit:
- Rënie dëgjimi konduktive-ndodh kur rënia e dëgjimit shkaktohet nga probleme të kanalit të jashtëm të dëgjimit, membranës timpanike (daulles së veshit) ose veshit të mesëm dhe zinxhirit kockorë.
- Rënie dëgjimi sensorineurale- ndodh kur rënia e dëgjimit shkaktohet nga probleme të veshit të brendshëm, të njohura gjithashtu edhe si rënie dëgjimi të lidhura me nervin e dëgjimit.
- Rënie dëgjimi mikse-i referohet uljeve të dëgjimit të kombinuara (konduktive + sensorineurale).
Rënia e dëgjimit mund të përshkruhet edhe si:
- Bilaterale ose unilaterale- bilaterale kur prek të dy veshët, unilaterale kur prek vetëm njërin vesh.
- Simetrike ose asimetrike– simetrike nënkupton se shkalla dhe konfigurimi i rënies së dëgjimit është i njëjtë në të dy veshët, asimetrike kur ato janë të ndryshëm.
- Progresive ose rënie e menjëhershme e dëgjimit- progresive nënkupton së rënia e dëgjimit përkeqësohet me kalimin e kohës, ndërsa e menjëhershme, ndodh shpejt. Kjo e fundit kërkon trajtim mjekësor të menjëhershëm që të përfitojmë në dëgjim.
- Rënie dëgjimi e ndryshueshme ose e qëndrueshme– e ndryshueshme do të thotë se dëgjimi ndryshon me kalimin e kohës, ndonjëherë bëhet më mirë, ndonjëherë më keq. E qëndrueshme do të thotë që rënia mbetet në të njëjtin nivel për kohë të gjatë.
Cilat janë disa nga shkaqet dhe faktorët që çojnë në rënie deri në humbje të dëgjimit?
Mosha e avancuar është shkaku më kryesor i humbjes së dëgjimit. 1 në 3 njerëz nga mosha 65-74 vjeç ka rënie dëgjimi. Pas 75 vjeç, ky raport shkon 1 në 2 njerëz. Kërkuesit nuk e kuptojnë plotësisht pse dëgjimi ulet me moshën. Mundet të jetë ekspozimi ndaj zhurmave gjatë tërë jetës dhe faktorë të tjerë dëmtues që prishin mekanizmat delikate të veshit.
Gjenetika gjithashtu luan rol.
Zhurmat e ulin dëgjimin në qoftë se janë të larta ose të vazhdueshme. Në disa vende pune, veshët ekspozohen në zhurma të larta çdo ditë, të tilla janë: ushtria, minierat, fabrikat, bujqësia, transporti, klubet e natës.
Shkaktarët e rënies së dëgjimit konduktive janë të shumta. Mund të përmendim:
- Keqformimet e veshit të jashtëm, kanalit të dëgjimit ose strukturave të veshit të mesëm.
- Lëngu në veshin e mesëm (otit media me efuzion)
- Infeksione të veshit (otit media akut)
- Alergjitë
- Disfunksion i tubit të Eustakut
- Perforacion i membranës timpanike
- Tumoret beninje
- Tapat e dyllit
- Trupat e huaj në kanalin e veshit
- Infeksion i kanalit të jashtëm
- Otoskleroza
Shkaktarët e rënies së dëgjimit sensorineurale janë:
- Ekspozimi në zhurma të mëdha
- Traumat e kokës
- Viruse
- Sëmundje autoimune të veshit të brendshëm
- Rënie dëgjimi familjare
- Rënie dëgjimi nga plakja (presbiakuzia)
- Keqformime të veshit të brendshëm
- Sëmundja Meniere
- Tumoret
Sa shqetësuese dhe e zakonshme është rënia e dëgjimit?
Rënia e dëgjimit është shumë e shpeshtë dhe shumica e njerëzve e kuptojnë që mund të prekë gjithsecilin nga ne, në çdo kohë gjatë jetës.
Po të flasim për statistika, mund të themi se 20% e amerikanëve raportojnë disa shkallë të rënieve të dëgjimit. Në moshën 65-vjeçare, 1 nga 3 njerëz ka rënie dëgjimi. 60% e njerëzve me rënie dëgjimi janë persona aktivë. Rreth 2-3 në çdo 1000 fëmijë në Amerikë lindin me një rënie dëgjimi të detektueshme në njërin apo të dy veshët. Përreth 15% e fëmijëve të moshës shkollore ( 6-19 vjeç) kanë rënie dëgjimi.
Cilat janë shenjat klinike të këtij problemi?
Shenjat klinike të rënies së dëgjimit janë:
- SOCIALE
- Kërkohet të përsëriten shpesh fjalët;
- Vështirësi në ndjekjen e bisedave me më shumë se 2 njerëz;
- Mendon se njerëzit e tjerë nxjerrin tingull të mbytur ose murmurisin;
- Vështirësi në dëgjim në ambiente me zhurmë si konferenca, restorante, qendra tregtare etj;
- Vështirësi për të dëgjuar fëmijët ose gratë;
- Ngre volumin e radios ose televizorit;
- Përgjigjesh në mënyrë të papërshtatshme bisedave;
- Zhurmë në vesh;
- Lexon buzët ose qëllimisht shikon fytyrat e njerëzve kur ata flasin.
- EMOCIONALE
- Ndjehesh i stresuar nga lodhja për të dëgjuar të tjerët se çfarë po thonë;
- Të bezdisin të tjerët sepse nuk mund t’i dëgjosh ose t’i kuptosh ata./ Shendeti.com.al


