Përshtati në shqip: Blertina Koka / Shëndeti Online dhe gazeta ‘Shëndet+’
5 pacientë me HIV kanë 7 muaj pa shenja virusi pasi u trajtuan me një vaksinë të re. Trajtimi, i zhvilluar nga hulumtuesit shkencorë në Spanjë, u dha mundësi pacientëve të ndalojnë marrjen e rregullt të ilaçeve antiretrovirale (ARV) – metoda që përdoret aktualisht për të kontrolluar virusin HIV.
Shkencëtarët nuk i kanë testuar akoma rezultatet në teste klinike më masive, megjithatë thonë se kjo vaksinë mund të jetë një “kurë funksionale”.
Ky mund të jetë hapi i parë drejt suksesit në një fushë që ka dështuar në gjetjen e një vaksine në këto 30 vitet e fundit.
“Është një provë e konceptit se nëpërmjet vaksinimit terapeutik ne mund të mësojmë qelizat T të kontrollojnë virusin”, thotë dr. Beatriz Mothe, në Institutin IrsiCaixa për Hulumtimin e Sidës, në Barcelonë të Spanjës.
“Është hera e parë që ne shohim një mundësi tek qeniet humane”.
Janë bërë shumë investime dhe kërkime për sëmundjen e sidës, por, deri tani, nuk ka dalë as edhe një vaksinë e vetme në treg. Meqë dështuan në krijimin e një vaksine të veçantë që mund të parandalojë infeksionin e HIV, hulumtuesit shkencorë vendosën të testojnë vaksinat terapeutike.
Qëllimi i tyre është të ndihmojnë njerëzit e infektuar të mbajnë larg virusin për muaj ose edhe vite pa pasur nevojë për përdorimin e rregullt të ilaçeve antiretrovirale.
Dr. Mothe dhe kolegët e saj përdorën një vaksinë kundër virusit HIV të krijuar nga profesor Tomáš Hanke në Universitetin e Oksfordit, në Britani.
Pasi morën trajtimin, tek 5 nga 24 pacientë nuk u shfaqën më shenja të virusit dhe u ndalua përhapja e tij nga sistemi imunitar. Njëri prej tyre ka 7 muaj që nuk përdor më ilaçe për mbajtjen nën kontroll të virusit.
Rreth 18 milionë njerëz në të gjithë botën – gjysma e të cilëve jetojnë me virusin HIV – duhet të marrin ilaçet kundër retroviruseve për të ngadalësuar zhvillimin e infeksionit. Këto ilaçe kushtojnë shtrenjtë dhe mund të shkaktojnë efekte anësore. Pacientët duhet të kujtojnë t’i marrin ato çdo ditë të jetës së tyre.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/