Rreziku i misrit OMGJ

Sëmundjet e shtuara ishin: tumoret e gjirit, tumoret e gjendrës së hipofizës, nekroza e mëlçisë, sëmundje veshkash etj.

Rita Strakosha

Shkencëtarët francezë të cilët kanë publikuar më parë një studim të debatuar që lidh misrin OMGJ, të trajtuar me pesticide, me tumoret në minj Miser omgj 2eksperimentalë, u rikthyen më 23 qershor duke e ripublikuar studimin në internet. Ata refuzojnë akuzat se studimi ka gabime dhe pas tërheqjes nga gazeta ku u publikua fillimisht, e kanë ripublikuar në gazetën elektronike “Shkencat Mjedisore Europë”, e zotëruar nga grupi “Springer” i Gjermanisë.

Të dhënat e plota të studimit tashmë janë publike, në dispozicion të shkencëtarëve të tjerë për t’i shqyrtuar.

“Censurimi i kërkimit shkencor mbi rreziqet e një teknologjie kaq ndikuese në sigurinë ushqimore në botë, kërcënon vlerën dhe besueshmërinë e shkencës” deklaroi grupi kërkimor për shtypin.

Studimi u botua fillimisht në shtator 2012. Ai drejtohej nga Gilles-Eric Seralini, profesor në Universitetin Caen, Francë. Sipas studimit, minjtë që ushqeheshin me misër NK603 (OMGJ, tolerant ndaj pesticidit Roundup), si dhe ata që ekspozoheshin ndaj pesticidit Roundup (>0.1 pjesë për billion në ujë) për një periudhë 2-vjeçare kishin më shumë sëmundje se minjtë e paekspozuar.

Sëmundjet e shtuara ishin: tumoret e gjirit, tumoret e gjendrës së hipofizës, nekroza e mëlçisë, sëmundje veshkash etj. Nivelet e pesticidit që shkaktonin sëmundje, ishin më të ulëta se ato të lejuara me ligj. Sipas autorëve, këto sëmundje janë pasojë e çrregullimeve hormonale të shkaktuara nga pesticidi Roundup (i përdorur në masë në fushat me misër OMGJ), por mund të jenë dhe pasojë e ndryshimit të funksionimit të gjeneve për shkak të vetë OMGJ-së.

Autorët e studimit e mbrojtën studimin kaq të kritikuar dhe kundërsulmuan gazetën “Ushqimi dhe Toksikologjia Ushqimore” që e tërhoqi atë – një fyerje e madhe në botën shkencore.

“Pesticidi Roundup dhe OMGJ-të tolerante ndaj tij duhet të konsiderohen çrregullues endokrinë. Vlerësimi zyrtar i ndikimit të tyre në shëndet është tejet me mungesa”, deklaruan ata.

Publikimi zyrtar në gazetën “Springer” mundëson krijimin e një forumi “që shkenca të rifitojë të drejtat e saj përballë presionit të industrisë për t’i mbyllur gojën zhurmuesve,” deklaruan shkencëtarët.

Në Shqipëri OMGJ-të nuk kultivohen ende, por planet afatgjata janë për lejimin e kultivimit të tyre. Autoritetet shtetërore dhe universitetet shqiptare nuk kryejnë studime mbi sigurinë e OMGJ-ve, por mbështeten mbi studimet e huaja për vlerësimin e tyre.

Postime të ngjashme

34, 60 dhe 78 vjeç! Moshat kur organizmi ndryshon më shumë
Çfarë duhet të bëni nëse sytë tuaj thahen nga kondicioneri?
Çfarë i ndodh trupit tonë kur kalojmë shumë orë në diell?
Shalqiri: 8 përfitime shëndetësore që mund të mos i keni ditur
Shoqata e Zemrës: Ja sa filxhanë kafe në ditë janë të shëndetshme
5 fruta që ulin tensionin e gjakut në mënyrë natyrale
5 mënyra të lehta për të përshpejtuar metabolizmin tuaj
Kastraveci, përfitimet shëndetësore të kësaj perimeje verore