Mund të tingëllojë si diçka nga një film fantashkencë, por një pilulë që ndalon procesin e plakjes mund të bëhet realitet. Shkencëtarët në Rusi po testojnë një formulë të re, për të cilën pretendojnë se mund të shtyjë fillimin e procesit të plakjes.
Ata shpresojnë që pilula, e cila po testohet tek minjtë, peshqit dhe qentë, do t’i lejojë njerëzit të jetojnë të paktën 120 vjet.
Kërkuesi dr. Maksim Skulachev, nga projekti i Universitetit Shtetëror të Moskës, tha për mediat ruse:
“Shumë nga sëmundjet e plakjes zhvillohen ngadalë. Shkencëtarët po përdorin një lloj të ri antioksidanti, që shpresojnë të ndikojë mbi mitokondri, pjesa e prodhimit të energjisë së qelizave, e cila duket se shkakton plakjen. Mitokondria fajësohet për sulmet në zemër dhe ka lidhje me sëmundje, si alcajmeri apo parkinsoni”.
“Një synim realist është zgjatja e jetës së njeriut deri në 120 vjet dhe ilaçe antiplakje, – tha ai. – Nuk besoj se do të jemi në gjendje që të jetojmë deri në 800 vjet. Me shumë mundësi do të dalin disa sëmundje të reja, le të themi, një sëmundje tipike për një 120-vjeçar. Është si rasti me kancerin, që ishte një sëmundje e rrallë kur njerëzit vdisnin shumë të rinj”.
“Testet ruse nuk kanë çuar në një rritje të konsiderueshme të jetës, por kanë vonuar fillimin e plakjes, – tha doktori. – Nëse sëmundjet zhvillohen më ngadalë, ideja jonë për të luftuar plakjen përmes mitokondrisë, është zgjidhja e duhur”, përmbylli dr. Skulachev, i cili ka punuar për dekada të tëra për të përsosur trajtimin e tij./ Përgatiti: Elsa Musaj


