Sarkoidoza, sëmundja që prek çdo organ

Denisa Canameti

Edhe pse është një sëmundje pak e njohur, sarkoidoza është një sëmundje shumë e rrezikshme. Thuajse të gjitha organet janë të rrezikuara nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Për lexuesin e gazetës “Shëndet+” mjeku pneumolog Xhemil Alizoti shpjegon se sarkoidoza është një sëmundje që mund të formojë gunga në organe të ndryshme.

Xhemil ALIZOTI (2)Edhe pse në 5% të rasteve sëmundja zbulohet rastësisht shenja më e shpeshtë e cila ka tendencë të jetë edhe e paqartë është gjendja monotone, lodhja, mungesa e energjisë (rreth 66 për qind e rasteve), humbja e shpejt në peshë, dhimbjet e trupit dhe të muskujve etj.

Doktor, çfarë është sarkoidoza?

Sarkoidoza është një sëmundje që përfshin koleksione ose grumbullime anormale të qelizave të infektuara, që mund të formojnë moduse (ose siç njihen në gjuhën e përditshme gunga) në organe të ndryshme. Këto grumbullime quhen ndryshe edhe granuloma.

Granulomat janë të vendosura më shpesh në mushkëri, si dhe në apo gjendrat limfatike. Por nuk përjashtohet edhe shfaqja e sëmundjes në organet e tjera të trupit. Kjo sëmundje vjen si rezultat i një reagimi imun ndaj një agjenti të jashtëm infektiv.

Ky reagim vazhdon edhe pasi infeksioni fillestar është mjekuar dhe agjenti i jashtëm infektiv është larguar nga organizmi i njeriut. Ecuria e kësaj sëmundjeje në përgjithësi është e mirë, por disa raste kanë ecuri afatgjatë dhe mund të përbëjnë rrezik për jetën e pacientit nëse nuk ndërhyhet në kohë për të shmangur ndërlikimet.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore, shkalla mesatare e vdekshmërisë shkon në më pak se 5 për qind e totalit të rasteve të patrajtuara. Duke u ndalur tek kategoritë që janë më të rrezikuara për t’u prekur nga sarkoidoza, rezulton se sëmundja prek më shumë moshat e reja: 25-50 vjeç.

Ndërkohë femrat janë më të kërcënuara, pasi sëmundja shfaqet dy herë më shpesh tek kjo kategori në krahasim me meshkujt.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të kësaj sëmundjeje?

Shkaku i saktë i sëmundjes ende nuk është i njohur. Hipoteza aktuale e mundshme është se në individë gjenetikisht të ndjeshëm, sarkoidoza shkaktohet përmes ndryshimit të përgjigjes normale imune pas ekspozimit ndaj një agjenti të mjedisit, të punës apo ndaj një agjenti infeksioz. Gjeneciteti ndryshon edhe në bazë të racës. Për shembull, raca e zezë ka një prirje rreth 20 për qind më të lartë sesa raca e bardhë për t’u prekur nga kjo sëmundje. Ndër agjentët më të shpeshtë infektivë, si shkaktarë të sarkoidozës renditen: mykobakteriet (për shembull tuberkulozi), kërpudhat (mykrat), borrelia dhe rikeciet. 

Cilat janë shenjat klinike që shoqërojnë sëmundjen?

Sarkoidoza është një sëmundje që mund të prekë çdo organ, edhe pse mund të jetë pa shenja klinike (asimptomatike), në rreth 5 për qind të rasteve zbulohet rastësisht. Shenja më e shpeshtë e cila ka tendencë të jetë edhe e paqartë është gjendja monotone, lodhja, mungesa e energjisë (rreth 66 për qind e rasteve), humbja e shpejtë në peshë, dhimbjet e trupit dhe të muskujve (në rreth 70 për qind të rasteve).

Gjithashtu, shenja të tjera që mund të tregojnë praninë e kësaj sëmundjeje, janë edhe artriti (14-38 për qind të pacientëve), enjtja e gjunjëve, tharja e syve, kolla e thatë ose shenja të ndryshme që shfaqen në lëkurë. Në raste të rralla, pacientët mund të kenë kollë me gëlbazë dhe rrema gjaku. Megjithatë, sëmundja shpeshherë bëhet e vështirë për t’u zbuluar pasi shenjat e saj mund të jenë të ngjashme me sëmundje të tjera.

Si ndikon kjo sëmundje në funksionimin e zemrës dhe sistemit nervor?

Sarkoidoza mund të prekë zemrën duke u shoqëruar me aritmi të ndryshme (çrregullimet e ritmit të zemrës) deri edhe në atak të papritur të zemrës. Në rreth 10-25 për qind të rasteve kemi prekjen e sistemit nervor në zona të ndryshme të tij. Për këtë arsye edhe shenjat klinike mund të jenë të ndryshme.

Mund të kemi paraliza në pjesë të ndryshme të trupit, çrregullime të të folurit, të dëgjimit, të nuhatjes, të ecjes, ndryshime në temperaturën e trupit dhe çrregullime të humorit. Po ashtu, ndryshime mund të pësojë edhe sistemi endokrin dhe ekzokrin (gjëndrat me sekrecione të brendshme dhe të jashtme).

Cilat janë format e trajtimit të sëmundjes?

Sarkoidoza është një sëmundje që kërkon një përkujdesje të gjatë dhe të specializuar. Kontrollet e rregullta te mjeku për të gjitha shqetësimet ndikojnë që ecuria e kësaj sëmundjeje të jetë mjaft e mirë. Shumica e personave (në rreth 70 për qind të rasteve) kërkojnë vetëm mjekim simptomatik (qetësim të shenjave klinike) me preparatet e thjeshta antiinflamatore siç janë aspirina dhe ibuprofeni.

Por, pa dyshim që edhe këto duhen marrë me këshillimin e mjekut, sepse paraqesin efekte të shumta anësore. Në përgjithësi sëmundja mund të ketë një ecuri kronike me periudha acarimesh dhe përmirësimesh.

Rreth gjysma e rasteve mund të shërohen me trajtime të thjeshta brenda tre deri në pesë vite, por në disa raste mund të shkojë deri në disa dekada. Personat me sarkoidozë e kanë më të lartë rrezikun për kancer, veçanërisht për kancerin e mushkërive, prandaj duhet të jenë korrekt në kontaktet me mjekun.

Një ushqyerje e shumëllojshme dhe jetë e shëndetshme aktive ndihmon në rritjen e forcës imunitare të organizmit tek pacientët që e kanë identifikuar praninë e kësaj sëmundjeje.

Postime të ngjashme

Këto janë efektet anësore të ujit me limon
Mishrat e dhëmbëve: Çfarë tregon ngjyra e tyre për shëndetin tonë
Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
5 superushqime që do t'ju ndihmojnë të flini më mirë dhe më gjatë
Erëzat që zvogëlojnë inflamacionin dhe forcojnë trupin
3 këshilla për të ulur konsumin e sheqerit dhe për të qetësuar sistemin nervor
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja