Kryefaqja Mjeku juaj Sëmundja e vitiligos, sa ndikojnë tiroidet dhe anemia

Sëmundja e vitiligos, sa ndikojnë tiroidet dhe anemia

0
Shpërndaje

 

Bisedoi: Elona Tereziu

Vitiligo është një sëmundje dermatologjike që shoqërohet me shfaqjen e njollave të bardha në lëkurë.

Nuk shoqërohet me dhimbje, por dëmi psikologjik është i madh. Zakonisht persona të tillë vuajnë nga ndjenja e turpit dhe vetëbesimi i ulët. Në rreth 30% të rasteve, pacientët e prekur nga kjo sëmundje kanë njërin nga prindërit, gjyshërit, motër ose vëlla me vitiligo. Këto dhe shumë detaje të tjera tregon për lexuesit e gazetës “Shëndet+” mjekja dermatologe Violeta Dajci.

Çfarë është sëmundja e vitiligos?

Vitiligo është një patologji dermatologjike që shfaqet klinikisht me njolla të bardha në mënyrë të menjëhershme ose të ngadaltë në lëkurë normale. Kjo patologji mund të fillojë në çdo moshë. I prek të dy sekset, por diagnostikohet më shpesh tek femrat për shkak të përkujdesjes së tyre më të madhe për pamjen e jashtme. Ajo është sëmundje kronike që në rreth 30% të rasteve përmirësohet spontanisht, por mund të rishfaqet. Përdorimi i medikamenteve  stimulues të melaninës dhe kombinimi me metodat e tjera mjekësore si fototerapia dhe PUVA-terapia përmirësojnë sëmundjen deri në 80% të saj. Njollat fillojnë nga të vogla (5mm) deri në të mëdha, në trajtë hartash, në ngjyrë të bardhë si e shkumësit dhe kanë kufij të pastër me lëkurën e paprekur nga sëmundja. Ajo progreson ngadalë dhe shpeshherë vihen re njolla të vjetra e të reja qe dallohen nga ngjyrat e ndryshme të tyre. Të gjitha terapitë e mundshme synojnë stopimin e sëmundjes dhe përmirësimin e vatrave pa ngjyrë.

Çfarë ndikon në shfaqjen e saj?

Në shfaqjen e Vitiligos ndikojnë faktorë të shumtë, të njohur dhe të panjohur. Kjo patologji është e lidhur me sëmundje të tjera të organizmit, veçanërisht me ato të tiroides, mbiveshkores dhe aneminë perniciosea.

Në përqindje të madhe, kjo sëmundje shfaqet në persona që nuk kanë patologjitë e mësipërme  dhe nuk kanë as predispozitën gjenetike. Këto e bëjnë këtë patologji jo vetëm të panjohur plotësisht, por dhe të pashërueshme. Akuzohet tiroidja me hormonet e saj, për arsye të rolit të tiroksidozës në shkatërrimin e melanociteve, qelizave që i japin melaninën dhe ngjyrën lëkurës, por nga ana tjetër në rastet me luhatje të nivelit të hormoneve të tiroides dhe vitiligos, stabilizimi i hormoneve, nuk zhduk vitiligon. Ajo është patologji kronike që mund të përmirësohet, por rishfaqet në të njëjtat zona ose zona të reja. Shpeshherë, shfaqja e njollave të vitiligos fillon në zonat ku vritesh.

Në cilat zona të trupit dhe kur e hasim më shpesh?

Zonat e preferuara të sëmundjes (që ndihmojnë dhe në vënien e diagnozës) janë përreth syrit, përreth gojës, në organet gjenitale, gjunjët, duart, por mund të përhapen në të gjithë trupin. Ajo mund të shfaqet edhe në kokë, ku bashkë me skalpin çngjyrosen dhe flokët në trajtë tufash të vogla dhe duken si të thinjura.

Kjo patologji shfaqet më shpesh në periudhën e verës. Një arsye e fortë për këtë është ngjyra që merr lëkura dhe diferenca me vatrën e vitiligos që nuk merr dot ngjyrë. Ajo mund të shfaqet në këtë periudhë, por dhe mund të ketë ekzistuar e të vihet re nga diferenca në ngjyrën që i jep dielli lëkurës. Në këtë stinë duhet treguar dhe kujdes i shtuar për këtë patologji, pasi ndikon direkt në përmirësimin ose përkeqësimin e saj. Në diellin e mëngjesit lëkura duhet ekspozuar sepse ai stimulon shtimin e melanociteve dhe rrjedhimisht të melaninës. Përkundrazi, në diellin e fortë, lëkura pa pigmente e vitiligos digjet, shkatërrohet dhe humbet edhe shtresat e qelizat e tjera të saj.

Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundje?

Diagnoza e kësaj sëmundjeje, në shumicën e rasteve vihet pa vështirësi gjatë ekzaminimit klinik me sy të lirë dhe anamnezës së marrë nga pacienti:

  1. Njollat e bardha pa melaninë që rriten progresivisht.
  2. Shfaqja e tyre në zonat tipike në mënyrë simetrike në fytyrë, trung dhe ekstremitete.
  3. Njolla me kufij të qartë në lëkurën e paprekur.
  4. Lëkura e prekur është e padëmtuar, është normale dhe i mungon vetëm pigmenti.

Llampa e Wood është aparatura ndihmëse për diagnostikimin e sëmundjes, veçanërisht në lëkurat e bardha, ku diferenca mes njollave dhe lëkurës normale është e vogël.

Në raste të veçanta është e nevojshme marrja e biopsisë për ta diferencuar nga disa patologji të tjera që shfaqen me njolla të bardha. Në ekzaminimet hematologjike të cilat, më tepër se për diagnozën, ndihmojnë në gjetjen e shkaktarit, përfshihen hormonet e tiroides T4 dhe TSH, të mbiveshkores ACTH dhe gjak me formulë për të kërkuar për aneminë perniciosea

A ka predispozitë gjenetike?

Vitiligo është sëmundje hereditare ose e trashëgueshme. Në rreth 30% të rasteve, pacientët e prekur nga kjo sëmundje kanë njërin nga prindërit, gjyshërit, motër ose vëlla me vitiligo. Nga ana tjetër, risku i një personi me vitiligo për t’ua transmetuar atë fëmijëve të tij është 10%.

Individët që vijnë nga familje me incidencë të lartë të patologjive të tiroides, të diabetit melitus, sëmundjes së Adisonit, anemisë perniciosea dhe të vitiligos, duket se kanë risk më të madh për t’iu shfaqur kjo sëmundje. Vitiligo prek të gjitha racat pavarësisht se në aparencë racat me lëkurë të bardhë raportojnë numër më të pakët të sëmundjes. Ajo është pothuajse e padukshme në lëkurat nordike.

 Sa e përhapur është kjo sëmundje?

Vitiligo është patologji e shpeshtë. Në vendet që ka statistika të sakta, ajo prek rreth 1% të popullsisë, që do të thotë se ka një peshë të madhe në përqindjen e patologjive të lëkurës në përgjithësi. Ajo shfaqet në çdo periudhë të jetës, por haset më shpesh në moshën 10-30 vjeçare. Raste shumë të rralla të shfaqjes së saj raportohen në të porsalindurit në literaturën botërore. Edhe në moshat e vjetra shfaqet, por rastet janë të rralla në krahasim me grupmoshat e tjera.

Siç e thamë më lart, ajo është patologji e përhapur në të gjitha racat dhe vendet e botës, pa dallim në shtrirje gjeografike, gjë që nuk e bën përgjegjës diellin me praninë ose jo të tij.

Duke qenë se nuk shoqërohet me dhimbje, po në aspektin emocional si ndikon?

Është e vërtetë që vitiligo nuk ka asnjë simptomë si sëmundje, dhimbje, djegie, kruajtje apo pickime, por impakti social është i pallogaritshëm sidomos në fillimet e sëmundjes dhe kur elementët janë në zonat më të dukshme si fytyra dhe duart. Pacientët me vitiligo të cilët janë dhe në moshën më aktive të jetës, atëherë kur kujdesi për pamjen e jashtme dhe formimi i karrierës janë në kulm për çdo person. Shfaqja e këtyre elementeve çon në ulje të stimës për vetveten, ndjenjë turpi kur je në kontakt me persona të tjerë të panjohur dhe tendencë për t’i fshehur duart dhe zonat e tjera ku janë elementët të dukshëm. Nga ana tjetër, qëndron kureshtja e personave të pacivilizuar që pyesin si pa te keq për këto “njolla” duke shprehur dhe keqardhje për këtë “fatkeqësi”.

Në shumë vende të pazhvilluara, personat me këtë patologji humbin vendin e punës dhe kanë vështirësi të krijojnë lidhje në çift.

Çfarë mundësish trajtimi ka sot lidhur me këtë sëmundje?

Terapia e vitiligos synon ripigmentimin e lëkurës me anë të stimulimit të melanociteve për prodhimin e melaninës .

Kremrat dhe pomadat me kortizonikë janë terapia kryesore lokale dhe përdoren me masazh lokal për kohë të gjatë dhe me alterime dy javore pushimi. Për arsye të efekteve anësore të tyre ato gjithmonë përdoren nën kujdesin e mjekut. Ato kombinohen gjithashtu me medikamente të tjera lokale si takrolimusi dhe pimekrolimusi. Pas aplikimit të kremrave me anë të një masazhi të lehtë i cili rrit qarkullimin, lëkura ekspozohet në diell ose në aparaturat e fototerapisë.

Fototerapia (UVB ) dhe PUVA-terapia përdoren në rastet rezistente dhe shumë të përhapura të patologjisë, gjithmonë nën ndjekjen korrekte dhe të kujdesshme të mjekut dermatolog.

Përdorimi i kremrave solar mbron lëkurën e prekur nga patologjia nga djegia e diellit. Nga ana tjetër kremrat me faktor mbrojtës përdoren edhe për të frenuar nxirjen e lëkurës normale gjë që limiton diferencën me zonën e sëmurë.

Gjerësisht sot përdoret kamuflazhi ose make up-et e ndryshme të prodhuara enkas për të mbuluar këto zona. Ato janë rezistente ndaj faktorëve të jashtëm si uji, i ngrohti dhe i ftohti dhe kanë kolorime të ndryshmë sipas llojeve të lëkurës.

Vitaminoterapia ose suplementet ushqimore përdoren gjerësisht në këtë patologji dhe kanë efekte në përmirësimin e gjendjes së njollave të bardha. Shpesh kjo patologji në popull njihet si: mungesë vitaminash.

Së fundmi përdoren metodat e minitransplanteve për zona të vogla dhe në regjione delikate si fytyra. / Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here